Nëse do të verifikosh vetëdeklarimet e pasurive të “burrave të shtetit”, nëpër formularët që ata plotësojnë, si detyrim ligjor, do të vësh re se e vetmja gjë uniforme në to është shënimi brenda kolonës: ”Detyrime financiare ndaj personave juridike dhe fizike”. Kjo për faktin se të gjithë rezultojnë të zhytur në kredi.
Si kredimarrës rezulton i vetëdeklaruar kryetari i Paramentit Ilir Meta, që në kolonën e sipërpërmendur ka të shënuar motivin: ”Kredi për blerje aparamenti” dhe shumën 155 mijë euro. Burimi sipas kontratës së shitjes së apartamentit të banimit dhe marrëveshjes për zëvendësin debitori, më dt. 25.02.2016”, lexohet më poshtë në deklarimin e Kryetarit të Parlamentit. Ndërkohë që nuk rezulton të jetë kredimarrëse, në vetëdeklarimin e bërë, bashkëshortja e tij, deputetja Monika Kryemadhi, e cila figuron të ketë shitur katër apartamente banimi, duke e bërë “rebus” ekuacionin: Iliri merr kredi për blerje apartamenti, Monika merr para nga shitja e apartamenteve?!
Edi Rama në vetëdeklarimin më të fundit të pasurisë, në kolonën ”Detyrime financiare ndaj personave juridike dhe fizike”, shënon se vijon të jetë borxh i kredisë së marrë në bankë, në shumën 80 mijë euro, së bashku me bashkëshorten.
Referuar formularëve të vetëdeklarimit, i zhytur në kredi rezulton të jetë edhe presidenti Bujar Nishani me të shoqen. Destinacioni i kredimarrjes është blerja e një apartamenti dhe mobilim shtëpie.
Me kredi të marra rezulton edhe Bashkim Dedja, kryetar i Gjykatës Kushtetuese, si edhe, pothuajse të gjithë drejtues e ish drejtues të gjykatave e prokurorive, si dhe gjyqtarë e prokurorë të përfolur për fshehje pasurish të pamerituara.
Por edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj del të ketë marrë kredi në muajin gusht 2015. Sipas informacioneve zyrtare mësohet se në vijimësi të shlyerjes, gjatë vitit 2016, Erion Veliaj ka shlyer 720 mijë lekë nga kredia, ndërkohë që ka ende për të shlyer edhe 5.8 milion lekë.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu