Kioske
Foto/Shqipëria 1929
Shqipëria 1929: Shtëpitë e bejlerëve dhe myslimanët në festat ortodokse
Koleksioni fotografik i Hugo Bernacikut (Hugo Bernatzik)
Etnologu, fotografi dhe udhëpërshkruesi austriak, Hugo Adolf Bernacik (1897-1953), lindi në Vjenë, bir i juristit Edmund Bernacik (1854-1919). Kontaktet e para me shqiptarët i pati që para Luftës së Parë Botërore në Stamboll, ku njohu djemtë e rojeve të sulltanit. Hugo Bernaciku shkoi në Shqipëri për herë të pare në vitin 1914 gjatë pushtetit të shkurtër të Princ Vidit (Wilhelm zu Wied, 1876-1945).
Në vitin 1915, kur ndodhej përsëri në Shqipëri, shërbeu vullnetar në ushtrinë austro-hungareze me një njësi artilerie. Edhe në dhjetor 1917 ai ishte sërish në tokën shqiptare me gradë togeri. Kënetat e bregdetit shqiptar e tërhoqën shumë sepse interesohej për natyrën dhe për zogjtë. Bernaciku braktisi studimin e mjekësisë në Universitetin e Vjenës sepse preferonte të udhëtonte dhe të zbulonte botën. Gjatë periudhës 1923-1930 shkoi katër herë në Afrikë (Afrika e veriut, Egjipti, Sudani jugor dhe Somalilandi), dhe më vonë në Pacifikun jugor dhe Guinenë e Re (1932-1933), Azinë juglindore (1936-1937) dhe Lapland (1938). Nga këto udhëtimet dolën botime shkencore, udhëpërshkrime dhe fotografi tërheqëse. Bernaciku i financoi udhëtimet e veta duke u shitur fotografi të udhëtimeve gazetave dhe revistave.
Në vitin 1930 filloi të studionte etnologji, psikologji dhe gjeografi në Universitetin e Vjenës dhe atje mbaroi doktoraturën në vitin 1932. Në vitin 1939 ishte profesor i Universitetit të Gracit (Graz). Si përkrahës i etnologjisë së aplikuar Hugo Bernacik u bë në atë kohë një ndër etnologët më të spikatur të botës gjermane. Pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë së cilës ishte anëtar i partisë naziste, ai udhëtoi në Marok (1949-1950) ku e zuri një sëmundje tropikale, nga e cila vdiq më vonë në Vjenë. Në lagjen 19 të kryeqytetit austriak ekziston një rrugë me emrin e tij, Bernatzikgasse.
Në vijim të një qëndrimit në deltën e lumit Danub në Rumani ku shkoi për zogjtë, Hugo Bernaciku erdhi përsëri në Shqipëri ku qëndroi nga 24 prilli deri me 6 korrik 1929. Të dhënat bazë mbi kushtet e jetës së vendit Bernaciku i mori nga gjeologu gjerman Ernst Novak (Ernst Nowack, 1891-1946), i cili e këshilloi që të kontaktonte të dërguarin gjerman në Tiranë, Franc fon Shajger (Franc von Scheiger, 1891-1960).
Bernaciku ishte në kontakt gjithashtu edhe me çifligarin shqiptar Ago Agaj (1897-1994), me të cilin doli për gjueti zogjsh në Myzeqe. I pajisur me një çadër, një kajak dhe një aparat fotografik, Bernaciku kaloi plot dy muaj në Shqipëri. Rezultati i udhëtimit të tij ishin dy libra: Riesenpelikane und ihre Kinder (Pelikanët e mëdhenj dhe fëmijtë e tyre), Vjenë 1930, një album i vogël dhe tani i harruar për pelikanët e kënetës së Maliqit; dhe Europas vergessenes Land (Shteti i harruar i Evropës), Vjenë 1930, i cili doli në tirazhin e katërt të zgjeruar me titullin Albanien: das Land der Schkipetaren (Shqipëria: vendi i shqiptarëve), Vjenë 1939. Fotografitë e këtij koleksioni janë marrë prej këtij vëllimi të fundit.
Marrë nga faqja e albanologut Robert Elsie
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu