Udhëzimi për studime në universitetet italiane, si mund të aplikohet
Beskida Aliaj, drejtuese e “Patronatit Inas Cisl Albania, konfirmon të gjithë procedurën për maturantët dhe studentët që duan të ndjekin studimet e nivelit “Bachelor” dhe “Master” në një nga universitetet italiane përgjatë vitit të ri akademik 2017-2018. Afatet dhe dosja e dokumenteve që kërkohen për secilin rast
Nis aplikimi për studimet në universitetet italiane. Maturantët dhe studentët që duan të sigurojnë të drejtën për të vijuar studimet e larta në një nga universitetet publike italiane përgjatë vitit të ri akademik 2017-2018, duhet të kryejnë para-regjistrimin sipas afateve të caktuara në udhëzimin zyrtar të aplikimit.
Drejtuesja e “Patronatit Inas Cisl Albania”, Beskida Aliaj, konfirmon për “Dita”, të gjithë procedurën që kandidatët shqiptarë duhet të ndjekin për një regjistrim të vlefshëm. Sipas saj, nxënësit dhe studentët mund të paraqiten pranë këtij Patronati, për të marrë ndihmën e duhur në përgatitjen e dokumenteve të nevojshme që duhen për aplikim, si dhe plotësimin e formularëve përkatës. Shërbim i cili nuk kërkon asnjë lloj pagese.
“Janë me qindra studentë që marrin ndihmë në të gjitha procedurat me detaje, ku përfshihen ndër to edhe plotësimi i formularëve si domosdoshmëri për t’i dorëzuar më pas në Ambasadën Italiane, në mënyrë që me vijimin e procedurave të lëshohet edhe viza përkatëse për studimet.
Meqenëse jemi në ditët e para të fazës së parë, ju bëjmë me dije studentëve që duhet të nisin me përgatitjen e dokumenteve për t’i dorëzuar, duke lënë një takim në Ambasadën Italiane në Tiranë, ose Konsullatën Italiane në Vlorë sipas rregullave të përcaktuara”, thekson Aliaj. Në vijim të shkrimit gjeni të plota udhëzimet që duhet të ndiqen për të gjitha fazat e aplikimit.
Rregullat e aplikimit për fazën e parë
Deri më 21 korrik 2017 studentët që duan të aplikojnë për procedurën e para-regjistrimit pranë Ambasadës Italiane në Tiranë, duhet të caktojnë fillimisht një takim përmes shërbimit “Prenota online”, të kësaj faqeje interneti, duke zgjedhur shërbimin “Regjistrimet Universitare”.
Studentët duhet të paraqitën në datën e takimit me dokumentacionin përkatës, të cilin e gjeni të detajuar në vijim.
Këto informacione janë të vlefshme vetëm për juridiksionin e Zyrës Konsullore të Ambasadës Italiane në Tiranë, pra për ata kandidatë që janë me vendbanim në qytetet në vijim si: “Malësi e Madhe, Shkodër, Lezhë, Tropojë, Pukë, Mirditë, Has, Kukës, Dibër, Tiranë, Durrës, Kavajë, Peqin, Elbasan, Gramsh, Librazhd, Bulqizë, Mat, Krujë, Kurbin, Pogradec, Korçë, Devoll dhe Kolonjë”. Ndërsa rrethet që nuk përmenden në këtë listë, duhet t’i drejtohen Konsullatës së Përgjithshme të Italisë që ndodhet në Vlorë.
Studentët që dëshirojnë të ndjekin degët që konsiderohen me numër të mbyllur, duhet të regjistrohen për të dhënë provimin e pranimit edhe në faqen www.universitaly.it. Konkretisht në këto raste bëhet fjalë për degët: Mjekësi e Kirurgji, Stomatologji dhe Proteza Dentare, Veterinari, Arkitekturë, profesione të caktuara shëndetësore, Arsim Fillor, si dhe Akademi Ushtarake.
Paraqitja e kërkesës për para-regjistrim dhe dokumentet që duhen
Studentët minorenë duhet të jenë të shoqëruar nga të dy prindërit në momentin e paraqitjes së kërkesës së pararegjistrimit, bashkë me një certifikatë familjare me shumë gjuhë të apostiluar. Dokumentet që duhet të paraqiten në zarf të tejdukshëm janë: “Pasaportë dhe fotokopje të saj me vlefshmëri të paktën 90 ditë nga vlefshmëria e vizës, certifikatë lindje me shumë gjuhë e apostiluar, formulari i regjistrimit, në tre kopje tërësisht i plotësuar, por i pa firmosur.
Tërhiqet vëmendja e studentëve mbi faktin se në kërkesë duhet të shënohet qartësisht vetëm një degë universitare, formulari i autentikimit të fotografisë, në tre kopje tërësisht i plotësuar, por i pa firmosur, 4 fotografi me ngjyra për dokument, dokument nga universiteti italian që vërteton nëse duhet të kalohet, ose jo një provim pranimi për degën e studimit”.
Gjithashtu duhet edhe Diploma e Maturës Shtetërore dhe certifikata e saj në origjinal (ose fotokopje e noterizuar) bashkë me fotokopje të thjeshtë të të gjitha faqeve para mbrapa. Studentët që nuk zotërojnë më Dëftesën Origjinale duhet të dorëzojnë një vërtetim me rezultatet e të gjithë viteve bashkë me ato të Maturës Shtetërore dhe fotokopje të thjeshtë të të gjitha faqeve të saj.
Për maturantët e 2017
Ndërsa për nxënësit e regjistruar në vitin e fundit të shkollës së mesme, që do të marrin dëftesën në verën e 2017-ës, krahas dokumenteve të përmendura më lart, kërkohet të paraqesin një fotokopje të pa legalizuar të “Formularit A1” me të cilin janë regjistruar online për provimet e maturës 2017.
Pas marrjes së provimeve këta studentë duhet të dorëzojnë në Ambasadë Dëftesën e Pjekurisë dhe Certifikatën e Maturës Shtetërore në origjinal (ose fotokopje të noterizuar) bashkë me fotokopje të thjeshtë të të gjitha faqeve para mbrapa.
Studentët që janë regjistruar këtë vit për të dhënë provimet me zgjedhje të maturës duhet të dorëzojnë fotokopje të pa legalizuar të “Formularit A1Z”. Pas marrjes së provimeve, këta studentë duhet të dorëzojnë në Ambasadë Dëftesën e Pjekurisë, ose Vërtetim dhe Certifikatën e Maturës Shtetërore në origjinal (ose fotokopje të noterizuar) bashkë me fotokopje të thjeshtë të të gjitha faqeve para mbrapa. Në udhëzim saktësohet më tej se studentët që dëshirojnë të regjistrohen në kurset e ciklit të dytë (Laurea Magistrale), jo me numër të mbyllur, si për shembull specializim, ose kurs të shkurtuar, përveç Diplomës së Maturës Shtetërore, duhet të dorëzojnë edhe diplomën universitare me listën e notave të apostiluara dhe të përkthyera në italisht, bashkë me fotokopje të thjeshta të të gjitha faqeve para mbrapa. Si dhe programin e detajuar të studimeve të apostiluar dhe të përthyer në italisht bashkë me fotokopje të faqes së parë dhe apostiles.
Studentët e regjistruar në vit të fundit të sistemit trevjeçar, që do të marrin diplomën brenda verës së vitit 2017, duhet të dorëzojnë një vërtetim, që provon regjistrimin në vit të tretë dhe provimet e dhëna. Diploma përfundimtare (vërtetimi), lista e notave dhe programi i detajuar i studimeve do të dorëzohet në Ambasadë sipas mënyrës së përmendur.
Vulosja e dokumenteve
Dokumentet e shkollës së mesme duhet të vulosen pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale dhe pranë Ministrisë së Arsimit.
Më pas, dokumentet duhet të apostilohen pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të përkthehen në gjuhën italiane nga Instituti Italian i Kulturës, ose nga njëri prej përkthyesve të betuar, lista me emrat e të cilëve është e publikuar në faqen internet të Ambasadës Italiane. Ndërsa dokumentet universitare duhet të vulosen pranë Rektoratit, të apostilohen nga Ministria së Punëve të Jashtme dhe më pas të përkthehen në gjuhën italiane, gjithmonë nga Instituti Italian i Kulturës ose nga njëri prej përkthyesve të betuar.
Dokumentet e shkollës apo tw universitetit duhet të shoqërohen nga fotokopjet e thjeshta të të gjitha faqeve para mbrapa, me përjashtim të programit të detajuar të studimeve, të cilit i fotokopjohet vetëm faqja e parë dhe vula apostile. Nëse diplomat universitare, apo lista e notave nuk kanë të dhënat personale të plota (emër, mbiemër, datëlindje, vendlindje), dhe numër matrikulli ose diplome, duhet të paraqitet edhe një vërtetim lëshuar nga universiteti, i cili i përmban ato, si dhe të dhënat e degës së studimit.
Në dosje duhet të përfshini edhe certifikatë të gjuhës italiane: fotokopje e certifikatës së gjuhës italiane të lëshuar nga Universiteti për të Huajt i Perugia-s (CELI), Universiteti për të Huajt i Sienas (CILS), Universiteti Roma 3, ose Shoqata Dante Alighieri, ose nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë. Studentët që do të kryejnë provimin në sesionin e afërm për njohjen e gjuhës, mund të paraqesin regjistrimin në provim. Për studentët që kërkojnë të regjistrohen në degët me numër të mbyllur, njohja e gjuhës italiane quhet e kryer nëse kalojnë me sukses provimin e pranimit në Universitet.
Ndërsa studentët që duan të regjistrohen në degët që zhvillohen në gjuhë huaj (jo italisht), nuk janë të detyruar të paraqesin një certifikatë asaj gjuhe nëse nuk kërkohet nga Universiteti, sipas autonomisë universitare.
Faza e dytë
Dërgimi i dokumenteve për kërkesën e vizës
Studentët që duhet të përballen me një provim pranimi në universitetin e përzgjedhur dhe në momentin që e kanë kaluar testin e pranimit, duhet të marrin nga vetë universiteti një vërtetim që tregon se tashmë janë pranuar. Kandidatët që kanë paraqitur kërkesën për regjistrim paraprak, duhet të dorëzojnë personalisht në sportelin e Zyrës së Vizave, dokumentacionin e nevojshëm për lëshimin e vizës për studim dhe të paguajnë shumën prej 50 eurosh.
Dokumentacioni është si vijon: “Dëftesën e Pjekurisë (eventualisht bashkë me Diplomën Universitare, me listën e notave dhe me programin e detajuar të studimeve origjinal, ose kopje e noterizuar, të apostiluar në Ministrinë e Jashtme dhe të përkthyer, për ata studentë që regjistrohen në master), në rast se nuk është dorëzuar në momentin e dorëzimit në fazën e para-regjistrimit.
Më tej duhet edhe certifikatë lindje origjinale me shumë gjuhë e apostiluar, në rast se nuk është dorëzuar që në fazën e parë, pasaportë e vlefshme me afat skadence të paktën tre muaj nga afati i vizës së kërkuar (afati minimal i skadencës 01.06.2018), kopje e faqes së pasaportës me të dhënat personale, si dhe deklaratë për vendbanimin në Itali.
Kushtet për deklaratat e vendbanimit
Në rast qëndrimi pranë një personi privat duhet deklaratë strehimi nga data e fillimit të vizës deri në afatin përkatës, fotokopje e dokumentit të identitetit me firmë nga pritësi (nëse është shtetas i huaj: lejen e qëndrimit (permesso di soggiorno) ose faturat e rinovimit, nëse është shtetas i BE-së, pasaportën ose kartën e identitetit).
Ndërsa në rast të qëndrimi pranë enteve, apo institucioneve fetare duhet deklaratë strehimi nga institucioni dhe një fotokopje e dokumentit të identitetit me firmë të ftuesit. Për rastet e qëndrimi në hotel, duhet prenotim jo më i shkurtër se një muaj.
Gjithashtu për vizën kërkohet edhe sigurim shëndetësor për udhëtim. Mund të bëhet pranë shoqërive të sigurimit si shqiptare, ashtu dhe italiane, por që në asnjë rast nuk duhet të përmbaje kufizime, ose përjashtime të asnjë lloji (as për sëmundjet e mbuluara nga figuracioni, e as përsa i përket tarifave të përcaktuara për një shtrim spitalor urgjent) i vlefshëm nga data e fillimit të vizës për një vit.
Të ardhurat
Për vizën duhet edhe vërtetim bankar: mbi pasjen, nga ana e studentit, të burimeve financiare të vendosura nga rregullorja MIUR (me një shumë minimale prej 5830 euro/vit), si edhe dokumentacion tjetër, i apostiluar dhe i përkthyer në gjuhen italiane, që vërteton gjendjen ekonomike të përgjithshme të familjes (vërtetime pune të anëtarëve të familjes, vërtetime mbi pronat, mbi të ardhurat, etj).
Duhet edhe disponibilitet të shumës së nevojshme për riatdhesim (me avion rreth 200 euro) i provueshëm dhe me paraqitjen e biletës së kthimit, si dhe certifikimi i njohjes së gjuhës italiane (i nevojshëm vetëm për kurset në gjuhën italiane). Studentët e mitur në datën e kërkuar për një vizë do të duhet të paraqiten te shoqëruar nga të dy prindërit.
Faza 3: dorëzimi i pasaportës me vizë dhe dokumentacionit
Pas verifikimit të kërkesave të përcaktuara nga rregulloret, Ambasada Italiane do të lëshojë vizën për studimet në universitetet italiane. Lëshimi i vizës nuk nënkupton pranimin automatik në universitetin e përzgjedhur.
Për t’u informuar mbi pranimin, studentët duhet t’i drejtohen direkt universiteteve. Për informacion të mëtejshëm mbi procedurën e regjistrimit paraprak, lëshimit të vizave për kërkuesit që banojnë në Qarkun Konsullor të Ambasadës Italiane në Tirane, studentët janë të ftuar të konsultojnë rregullisht adresën e internetit: www.ambtirana.esteri.it.
Ndrysa për procedurën e regjistrimit paraprak dhe lëshimit të vizave për kërkuesit që banojnë në Qarkun Konsullor të Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në Vlorë, studentët duhet të konsultohen me www.consvalona.esteri.it. Patronati Inas Albania jep të gjithë konsulencën e nevojshme, që nga fillimi i procedurave dhe deri në mbylljen e tyre për të gjithë studentët që paraqiten pranë zyrave tona.
Të gjitha shërbimet janë falas dhe asnjë lloj pagese. Edhe mbas fitimit të së drejtës për studime në Itali, përfaqësuesit e këtij patronati i ndihmojnë studentët shqiptarë, nëpërmjet strukturave që kanë në të gjithë Italinë, deri në akomodimin e plotë të tyre, si edhe në plotësimin e dokumenteve për leje qëndrimin Italian nga zyrat e Patronato Inas Cisl që ndodhen të shpërndara në të gjithë Italinë.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu