Kur Japonia dhe Kolumbia njihnin Ahmet Zogun si mbret të shqiptarëve
Prestigjiozja franceze, Le Figaro, ka botuar më 16 tetor 1928, një shkrim në lidhje me njohjen e mbretërisë së Ahmet Zogut. Lideri strateg sapo ishte shpallur mbret i Shqipërisë, më 1 shtator 1928. Për më pak se një muaj, dy vende të largëta si Japonia dhe Kolumbia arritën ta njohin Zogun si mbret të Shqiptarëve.
Shkrimi i gazetës:
Tiranë, 15 Tetor. Zyra e shtypit të Shqipërisë publikon lajmin në vijim :
Shkëlqesia e tij Z. Matsuda, ambasador i Japonisë në Romë, i ka komunikuar, gjatë 6 tetorit, Legatës së Shqipërisë në Romë, se qeveria imperiale japoneze e ka marrë parasysh ndryshimin e regjimit në Shqipëri dhe ngjitjen në fron të Madhërisë së Tij Zogu I, mbret i Shqiptarëve. Qeveria japoneze e njofton njëkohësisht atë për dëshirën e sinqertë për të mbajtur marrëdhëniet miqësore që fatmirësisht ekzistojnë midis dy shteteve.
Legata e Shqipërisë në Romë ka marrë, gjatë 8 tetorit, nga ana e Shkëlqesisë Z. Antonio Gomez Restrepo, ministër i Kolumbisë në Romë, një komunikatë, e cila falenderon në emër të qeverisë së tij, qeverinë mbretërore të Shqipërisë për njoftimin që ajo i ka dërguar në lidhje me ndryshimin e regjimit si dhe ngjitjen në fron të Madhërisë së tij Zogu I. Komunikata shpreh dëshirat e sinqerta të Kolumbisë për paqen e Shqipërisë dhe mbretërimin e begatë të Madhërisë së Tij.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu