Kryesore
Jeta pas humbjes së bashkëshortes: Alban Hoxha rrëfen si e kaloi dhembjen
Dy vjet e gjysmë më parë, Alban Hoxha humbi bashkëshorten pak ditë pas lindjes së fëmijës së tyre të parë. Sot, Beko është dy vjeç e gjysmë dhe nënën nuk e ka njohur kurrë, por babai i tij përpiqet të bëjë gjithçka që i biri të jetë i lumtur. E në fakt për portierin e Partizanit, Beko është lumturia më e madhe.
Alban Hoxha tregoi pas më shumë se dy vitesh detajet e jetës së tij si baba i vetëm pas vdekjes së Dorianës, gruas me të cilën kishte një marrëdhënie të gjatë që kur ishin fare të rinj. Ai pranoi për “Jo vetëm modë” se dhembja e humbjes së njeriut të zemrës nuk është aspak e lehtë, megjithatë pohoi se me kalimin e kohës, gjithçka sheshohet.
“Është shumë e vështirë. Kalova diçka që nuk e kisha menduar ndonjëherë. Gjërat nuk harrohen, por koha kalon, të merr rutina e jetës. Këto gjëra thjesht ndodhin. Unë jam besimtar musliman dhe besoj se Zoti e ka shkruar, prandaj ka bërë edhe harresën, përndryshe bota do ishte shumë e vështirë.”
Hoxha shpjegoi se, duke qenë se ka një axhendë shumë të ngjeshur për shkak të futbollit, shumicën e kohës është e ëma që kujdeset për Bekon e vogël. Një ndihmë e madhe, pasi gjashtë ditë në shtatë ai gjendet në fushë duke bërë stërvitje apo mbledhje me ekipin.
Ai pranoi dëshirën për t’u bërë prind që në moshë të re, pa pasur frikë nga angazhimet. Ishte një dëshirë e përbashkët e tij dhe Dorianës, dhe përpara se të lindte Beko kishin nisur t’i blenin gjithçka mund t’i duhej, dhe ëndërronin si do e rrisnin, si do ta vishnin; donin të mos i mungonte asgjë.
Alban Hoxha thotë se, vërtet tani kohën mund ta ketë të kushtëzuar sepse duhet të kujdeset për djalin, por ia vlen sepse ashtu siç ka ëndërruar, në të ardhmen Beko do të jetë si një shok për të dhe do ta mbajë kudo afër.
“E kam dashur shumë një familje që në moshë të re. Kam menduar që fëmijën më vonë ta kem si shok, ky ka qenë parimi im. Tani po kaloj vështirësitë e babait të ri, por do të vijë një kohë kur do ta kem si shok, do ta kem nga pas kudo.”
Kohën që kalon me Bekon, nuk e ndërron me asgjë tjetër; i biri i fal qetësinë që kërkon pas çdo stresi të punës, e çon siç thotë në një botë tjetër, shumë më të bukur.
“Nuk kam bërë ndonjëherë jetë nate, kam qenë gjithmonë familjar. Megjithatë që kur lindi djali, kohën për sportin dhe gjëra të tjera e kam mjaft të kushtëzuar. Por është diçka e bukur; kur ke kaq shumë stres sa të jep sporti, sa mbaroj ndonjë ndeshje shkoj tek djali dhe qetësohem me të. Hyj në botën e tij prej fëmije dhe për mua është bota më e bukur, që më bën shumë të lumtur.”
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu