Për debatin nëse duhen shfaqur ose jo filmat e prodhuar në kohën e komunizmit është pyetur edhe aktori Ndriçim Xhepa, protagonist në disa prodhime të ish Kinostudios, Shqipëria e Re. Ai thotë se disa prej filmave kanë deformuar të vërtetën dhe kanë prekur figura që historia sot i sheh ndryshe.
“Debati për filmat e para viteve ‘90 më duket i fryrë. Më duket sikur është një debat me një tenxhere bosh. Nuk jam emocional në qëndrimin tim, 10 ose 15 përqind e filmave të asaj kohe mund edhe të seleksionohen. Prefekti, figura e Qazim Mulletit ndoshta duhet riparë. Është folur shumë për Qemal Stafën. Ka ardhur në disa filma si hero, në vitet e pluralizmit gjykohet ndryshe. Të mblidhen ekspertët, historianët, kineastët, regjisorë të gjenjë të vërtetën mbi figurat. Të bëjnë filma, çfarë ka qenë komunistët, ballistët, Qemal Stafa, Prefekti. Jam shumë dakord që ka filma të cilët kanë prekur figura të caktuara e kanë deformuar të vërtetën e tyre. Mund të ketë familjarë të prekur sot me të cilët ndaj empatinë time dhe jam dakord që në këto raste të ketë seleksionim. Por nuk mund t’i marrim të gjithë filmat, janë shumë pak prej tyre”, thotë ai.
Xhepa është kritik edhe për shfaqjen pa kriter të këtyre filmave.
“Nuk është kategorike. Ja për shembull çfarë mund t’i ndryshosh “Dimrit të fundit”, çfarë ka të keqe? Në kontekstin e kohës ishte një lëvizje që tregonte ca gra që ndihmonin lëvizjen e kohës. Nuk mund të gjykojmë politikën.Kam një vërejtje për disa televizione që i japin më shumë se sa duhet dhe në mënyrë bajate. Ndonjëherë çdo gjë është me vend”-shprehet aktori i njohur per Tiranapost.al
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu