Projekti i kryebashkiakut Mziu me presidentin Qarri për ngjitjen e Kamzës në Superligë po merr formë çdo ditë e më shumë
Ekipi i Kamzës këtë sezon futbollistik 2016-2017 është ekipi i rekordeve i Kategorisë së Parë. Në grupin A të kësaj kategorie është skuadra e vetme në këtë kategori, e cila ka marrë 19 fitore, 3 barazime dhe vetëm 1 humbje. Puna e shkëlqyer e bërë nga drejtuesit e Kamzës me në krye kryebashkiakun Xhelal Mziu kanë formuar një ekip pretendent, me synim fitimin e titullit kampion të Kategorisë së Parë dhe ngjitjen e menjëhershme në mesin e skuadrave më të mira të Superligës. Që në fazën përgatitore janë afruar lojtarë shumë cilësorë, madje në përbërjen e skuadrës ka shumë lojtarë të cilët kanë luajtur në nivele shumë të larta të futbollit shqiptar.
Me futbollistë të talentuar dhe me një stol shumë cilësor, skuadra e Kamzës nuk e diskuton ngjitjen në Superligë, pasi edhe objektivat e fillimsezonit po realizohen. Konkurrenca është shumë e madhe në skuadër, pasi edhe lojtarët të cilët nuk kanë qenë pjesë stabël e formacionit bazë, sa herë që janë aktivizuar, kanë dhënë kontributin e tyre në çdo ndeshje. Përveç 11-shes titullare, edhe lojtarët e stolit janë pothuajse të të njëtit nivel.
Skuadra e Kamzës është mirënjohëse ish-trajnerit Bledar Devolli për punën e palodhshme që ka bërë gjatë këtyre ndeshjeve në drejtimin e skuadrës. Ish-trajneri është larguar vetë nga drejtimi i skuadrës, për arsyet e veta personale.
Pavarësisht nga ndryshimi i trajnerit, morali në skuadër është shumë i lartë. Trajneri i ri Ramadan Ndreu ka marrë përgjegjësitë e tij në vazhdimin e objektivit madhor të vënë në fillim të kampionatit, ngjitjen e Kamzës në Superligë këtë sezon. Edhe trajneri Ramadan Ndreu është shprehur me superlativa për skuadrën, pasi renditet në vendin e parë dhe ka lavdëruar punën e mirë nga paraardhësi i tij, që ka bërë me formimin e grupit të ekipit, që në këtë moment renditet i pari. Me të marrë detyrën e të trajnerit, menjëherë ka veshur tutat e sportit dhe ka zbritur në fushën e blertë në përgatitjen e skuadrës për ndeshjen pasardhëse. Këtë javë ekipi është pushim, për shkak të kalendarit, por nën drejtimin e trajnerit të ri po përgatitet shumë që në ndeshjen ndaj Besëlidhjes të shkohet me vetëm një synim, marrjen e trepikëshit. Ecuria e skuadrës deri më tani ka qenë jashtëzakonisht shumë pozitive dhe vazhdon të kryesojë e vetme që prej javës së parë kampionatin e Kategorisë së Parë.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu