Dhëndri i presidentit Donald Trump, njëkohësisht bashkëpunëtori i tij, Jared Kushner do të merret në pyetje nga një komision i Senatit amerikan për lidhjet e dyshuara mes stafit të Trump dhe Moskës.
Burime nga Shtëpia e Bardhë kanë deklaruar për mediat ndërkombëtare se Kushner ka shprehur vetë vullnetin e tij për të folur përpara Komisionit për Shërbimet e Inteligjencës, që po heton ndërhyrjen e supozuar të Rusisë në zgjedhjet e vitit të kaluar.
Komisioni kërkon ta marrë në pyetje në lidhje me dy takime që ai dyshohet të ketë zhvilluar me zyrtarë rusë, raporton “New York Times”.
Nga ana tjetër, stafi i Kushner, i cili ishte këshilltar i rëndësishëm i Trump gjatë fushatës elektorale, ka deklaruar se, oferta e tij për t’u marrë në pyetje nga senatorët nuk ka marrë ende përgjigje.
Gjatë tranzicionit presidencial në Shtetet e Bashkuara dhe në muajt e parë të administratës Trump, dhëndri i presidentit ka qenë, me të gjitha fuqitë, përfaqësues i Departamentit të Shtetit.
Komisioni i Shërbimeve të Inteligjencës dyshon se hakerimi rus gjatë zgjedhjeve presidenciale ka pasur si qëllim të ndihmojë zotin Trump në fitoren kundër Hillary Clinton.
Nga ana e saj Rusia i ka mohuar këto akuza dhe vetë presidenti Trump i ka cilësuar si “lajme të rreme”. Por aktualisht janë dy komisione hetimore parlamentare që po hetojnë dyshimet në fjalë, si dhe një hetim i FBI-së.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu