Ministria e Arsimit dhe Sporteve ka publikuar rezultatet e testimit “Mësues për Shqipërinë” për të gjithë mësuesit që duan të punësohen në një nga vendet që do të hapen në arsim. Konkursi i mbajtur më datë 21 janar bën të mundur rankimin e të gjithë mësuesve në portal, duke përzgjedhur më të mirët. Aplikimi për testim edhe këtë vit është kryer online, pasi kandidatët kanë dorëzuar si fillim dosjet me pikët përkatëse.
Për Ministrinë e Arsimit, kjo formulë aplikimi ka rezultuar e suksesshme, ndaj për të tretin vit radhazi e ka aplikuar në të gjitha rrethet e vendit. MAS, gjithashtu po shikon mundësinë që kjo lloj formule punësimi të mos ngelet vetëm udhëzim, por të futet si akt nënligjor.
Për të parë rezultatin, me kodin përkatës nga DAR e rrethit tuaj, klikoni këtu:
Cila është procedura e punësimit?
Që një mësues të fitojë vendin e punës duhet të kalojë në tri faza paraprake. E para nis me dorëzimin e dosjes në Drejtorinë Arsimore Rajonale përkatëse. Të gjithë mësuesit që kanë një diplomë të nivelit të dytë, bashkë me licencën për ushtrimin e profesionit, duhet të aplikojnë nëpërmjet postës në DAR, duke dorëzuar dokumentet që janë të cituara në udhëzimin nr.38 “Për procedurat e lëvizjes paralele, emërimit dhe largimit nga puna të mësuesit në institucionet arsimore publike”.
Testimi “Mësues për Shqipërinë” është faza e dytë, nëpërmjet së cilës duhet të kalojnë të gjithë ata që pretendojnë të fitojnë një vend pune në mësuesi.
Faza e tretë ka të bëjë me zgjedhjen e vendit të punës dhe emërimit të mësuesit. Rezultati i provimit është një nga faktorët përcaktues, por jo i vetmi për t’u punësuar. Pikët e testit kanë 70% të peshës në garën për punë. Shumatorja e rezultatit me pikët e dosjes që vlerëson DAR përbën totalin e pikëve që bëjnë rankimin përfundimtar të mësuesve. Në rast se hapet një vend pune për një profil të caktuar, ai me rezultate maksimale punësohet me kontratë 1-vjeçare.
Në portalin “Mësues për Shqipërinë” përfshihen dhe mësuesit që dëshirojnë të lëvizin me punë nga zonat rurale në ato urbane dhe anasjellas. Ata që e kanë dhënë këtë provim dhe dëshirojnë të mbajnë rezultatin, për t’u punësuar duhet të dorëzojë dosjen dhe të vijojnë garën me pikët që kanë. Probabiliteti i punësimit të gjithsecilit është në varësi të vendeve vakante që hapen në profilin që ata i përkasin.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu