Arredimi i apartamentit ku jetojmë është një kënaqësi më vete. Dikush e ka pasion, dikush preferon të frymëzohet nga një ambient I këndshëm që ka parë diku. Një burim ideal idesh janë apartamentet e francezeve, për arredimin e të cilëve, ato jo domosdoshmërisht shpenzojnë shumë, përkundrazi!
Është stili i tyre Chic i cili i transformon në ambiente fine, me klas, ku “ulërasin” detajet dhe jo çmimet e objekteve. U hedhim një sy:
Vendosni me zgjuarsi “theksin”në ambientin tuaj.
Jastëkët janë një nga elementët më të thjeshtë, por edhe më të rëndësishëm në dekorimin e interierit. Mund t’i ndryshosh në çdo moment, edhe në varësi të stinës apo gjendjes shpirtërore. Një ndryshim që të kënaq syrin, por edhe portofolin.
Ruani një stil të thjeshtë.
Nuk ka përse ta komplikoni ambientin tuaj me objekte të panevojshme të cilat jo vetëm duhen mirëmbajtur, por edhe pastruar; mjafton që shtëpia “të flasë”për ju. Përfshini sa më shumë elemente të stiluara vetë: një tavolinë e thjeshtë dhe funksionale, një raft librash, një pasqyrë. Një tavolinë mesi e thjeshtë e veshur me një copë imitacion lëkure bën ndryshimin.
Mos u trembni nga ngjyra e zezë.
Njerëzit e lidhin imazhin e apartamentit francez me ngjyrën e bardhë, por një ambient i tillë dëshmon se mund të guxosh me sukses edhe me të zezën në mur, apo me ngjyra të errëta të spektrit të grisë dhe blusë. Mjafton të thyhet me tonalitete të ngrohta dhe një ndriçim optimal natyral. Ky propozim është ideal për adhuruesit e kontrasteve të forta.
Shtoni ngjyrat nëpërmjet qilimave.
Dyshemetë me parket i japin një tjetër dimension interierit. Kombinimi i tyre me qilimat shumëngjyrësh krijon një prekje sa moderne aq edhe retro, duke dhënë përshtypjen e një udhëtimi në kohë, por edhe duke vënë në pah vlerat e krijimeve të veçanta artizanale siç janë qilimat. Çelësi i suksesit të këtij elementi në apartament, është të ruani ngjyra sa më neutrale të mureve dhe mobiljeve.
Shtëpia “të tregojë” për ju.
Një nga elementët kryesorë që i bën shtëpitë franceze interesante, janë objektet që kanë vlera shpirtërore për njerëzit (jo detyrimisht vlerë materiale). Dhurata me kuptim, punime personale, sende që ju kujtojnë momente të rëndësishme të jetës, një mobilje apo pikturë e vjetër, rëndësi ka që të ketë vlerë për ju. Gëzojuni thjeshtësisë së objekteve, ato janë elementet më të veçanta të arredimit, sepse i keni vetem ju!
Investoni me zgjuarsi.
Ndërkohë që apartamentet tona janë në proces të vazhdueshëm transformimi (për shkak të dëshirave dhe mundësive ekonomike) zgjidhni një investim afatgjatë në një element të caktuar, i cili t’i japë një prekje të freskët dhe moderne shtëpisë dhe të jetë i pakohë, pra të mos përbëjë një tendencë kalimtare. Nje veshje e zonës së gatimit me një mermer cilësor, është një investim që ia vlen, por edhe është estetikisht i pranueshëm për çdo stil të arredimit tuaj.
Stile të përzierë
Ambientet e ndenjies në apartamentet tipike franceze të ditëve të sotme, karakterizohen nga një shkrirje e elementeve historike të arkitekturës, me ndriçimin natyral dhe prekjen moderne. Nëse shtëpia ka një linjë të caktuar klasike, një kolltuk me një ngjyrë të theksuar apo një stol të thurur si në shtëpitë e fshatit, krijohet një shkrirje stilesh shumë e goditur. Mjafton të guxoni, por gjithmonë duke shfrytezuar ambientin me ndriçimin më të mirë natyral.
Zgjidhni ngjyrën tuaj.
Nëse doni që apartamenti juaj të duket më i bollshëm, zgjidhni një ngjyrë të veçantë e të ndritshme dhe përpiquni ta përdorni në disa elemente njëherësh, por në një masë të caktuar. Mund të zgjidhni një faqe muri të veçantë, një abazhur, disa qirinj, si në këtë ambient modern. Mjafton që ngjyrat të kombinohen dhe njëra prej tyre të jetë më dominante se tjetra.
Art
Elementet e dekorimit lidhur me pikturën, muzikën, artin në përgjithësi, nuk do t’ju zhgënjejnë asnjëherë. Nëse nuk vendosni dot ku t’i varni pikturat apo punime të tjera artistike, mjafton t’i mbështesni në ndonjë orendi; nëse keni një vegël muzikore duhet ta vendosni në një pikë kyçe të ambientit sepse i japin një frymë krejt ndryshe dekorit dhe e shpëtojnë shtëpinë nga të dukurit formale dhe e zakonshme.
Tregoni çdo gjë që ju pëlqen.
Edhe nëse ato janë këpucë, bizhu, libra. Kthejeni në art çdo send që ju kënaq syrin dhe shpirtin duke i parë. Nuk ka rëndësi se çfarë mendon dikush tjetër për këtë zgjedhje tuajën. Nëse ndiheni mirë duke varur këpucët, bejeni! Mund të vini në dukje edhe libra apo objekte që koleksiononi. Sekreti: të jenë të ndriçuara mirë!
Krijoni zonën më të rëndësishme të apartamentit tuaj.
Pasqyrat krijojnë jo vetëm efektin vizual të një dhome më të madhe për shkak të reflektimit të dritës, por kur kombinohen me një kornizë të ndritshme dhe vendosen mbi një oxhak klasik të punuar me shumë finesë, krijojnë pikën kryesore të fokusit, por edhe të shkëlqimit të apartamentit. Pjesa tjetër mund të jetë shumë e thjeshtë, mjafton të ketë një cep me këtë efekt “glamour”.
Përfshini sa më shumë elemente të natyrës.
Kuzhina juaj do të jetë e personalizuar duke përdorur sa më shumë elemente natyrale, si për shembull dru apo gur. Ato i japin ambientit ngrohtësi duke e bërë familjar dhe mikpritës, pa qenë nevoja për orendi luksoze. Efektin e materialeve të Nënës Natyrë në interier nuk e jep asnjë material tjetër.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu