Aktualitet
Grabitja e parave/ Cfarë dimë deri tani?
U grabitën dhjetë thasë me valutë! Policia: Ja kronologjia
Për herë të tretë në pak më shumë se një vit, një grabitje e armatosur ndodh pranë Rinasit. Makina me para është goditur nga mjeti i grabitësve, të cilët me mjete të forta shpërthyen dyert, rrahën policët privatë dhe rrëmbyen paratë.
Burime i thanë Top Channel se në furgon kanë qënë dhjetë thasë me valutë.
Grabitësit kanë përfituar nga fakti se në vendin ku dogjën automjetet nuk ka patur dëshmitarë okulare. Askush nuk ka dëshmuar në polici se me çfare automjeti u larguan ata nga Tapiza.
Pavarësisht se të djegura, automjetet e përdorura nga grabitësit janë shpresa e ekspertëve të kriminalistikës për të gjetur gjurmë gishtash në to. Duke qenë se grabitësit janë të shumtë, të paktën pesë, mundet që gjatë një ekspertize të gjatë të gjendet ndonjë provë që do të dërgojë drejt identifikimit të ndonjërit prej tyre.
Gjurmë po kërkohen edhe në automjetin që u grabit rreth orës 14:00. Dy automjetet e transportit të valutës të një banke të nivelit të dytë, ishin duke udhëtuar drejt Rinasit, kur një automjet tip “Jeep” goditi në gomën e krahut të majtë të automjetit të parë duke e ndalur atë në vend.
Automjeti në vendin e ngjarjes ka edhe shenja të plumbave, ku duket qarte se qitja e kryer me kallashnikov e ka thyer edhe xhamin antiplumb.
Të dyja mjetet janë rrethuar nga grabitësit me maska dhe të armatosur. Duket se me anë të qitjeve të drejtpërdrejta, grabitësit dhanë ndaj policëve privatë shenjën se nëse nuk dorëzonin paratë mund të vriteshin.
Pasi kanë dhënë këtë provë, ata e kanë patur më të thjeshtë të operojnë gjatë grabitjes së tyre, duke marrë dhjetë thasët e kartmonedhave dhe të largohen me shpejtësi që aty.
Banka ende nuk ka bërë të ditur shifrën sesa është grabitur as në organet e akuzës.
Në dhjetor 2015, në të njëjtin aks rrugor u grabitën 3.5 milionë euro. Kjo dosje u mbyll me gjashtë policë privatë të dënuar për shpërdorim detyre, ndërsa dosja u veçua për pesë grabitësit, të cilët ende nuk janë identifikuar.
Grabitja tjetër është edhe ajo e 900 mijë eurove brenda ambienteve të Aeroportit të Rinasit. Edhe për këtë dosje u arrestuan dhe janë nën hetim një pjesë e madhe e policisë private dhe ata të ruajtjes së sigurisë së aeroportit.
Ndërkohë Policia e Tiranës ka dhënë informacion lidhur me gabitjen e ndodhur ditën e sotme në vendin e quajtur mbikalimi Rinasit, ku persona të armatosur morën 8 thasë me para, të një banke të nivelit të dytë.
Më poshtë gjeni kronologjinë e plotë të ngjarjes:
Në orën 13 :10 njofton patrulla e policisë se mjetet e blinduara të Shoqërisë Private sigurisë fizike kanë kaluar në drejtim të Rinasit.
Në orën 13:24 ka ardhur telefonatë të numri i emergjencave 112, se në afërsi të Universitetit “Epoka”, ka të shtëna me armë.
Me marrjen e njoftimit, patrulla e policisë është nisur në drejtim të vendit, ku është marrë telefonata.
Sqarojmë se në mes të rrugës është konstatuar trafik nga patrulla dhe janë detyruar të lenë makinën dhe të shkojnë me këmbë në drejtim të Universitetit Epoka.
Në orën 13:29 shkon shefi i Komisariatit Vorë në vendin e njoftuar lidhur me ngjarjen.
Në orën 13:34 ka ardhur një tjetër telefonatë, nga punonjësi i firmës private, i cili ka kërkuar ndihmë policore.
Në orën 13:35 patrulla e policisë mbërrin në vendngjarje dhe ka marrë kontakt me drejtuesin e mjetit të shoqërisë fizike.
Ata i kanë shpjeguar oficerit të patrullës së përgjithshme lidhur me ngjarjen.
Sqarojmë se, nga Salla Operative e shoqërisë përkatëse nuk është dhënë asnjë njoftim mbi ngjarjen e ndodhur në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës.
Në vendngjarje janë konstatuar dy automjete të përshtatura si të blinduara të një shoqërie private, që po transportonin në drejtim të Rinasit vlera monetare.
Në këtë aks rrugor këtyre mjeteve u është ndërprerë rruga nga një automjet tip fuoristradë duke e goditur furgonin e blinduar të shoqërisë private dhe prej tij kanë dalë dy persona të paidentifikuar të cilët dyshohen të kenë qëlluar me armë gomën e përparme të makinës së parë dhe me anë të një sendi të fortë kanë thyer xhamat e automjetit të blinduar duke zbritur me forcë punonjësit e policisë private dhe duke i shtrirë në tokë.
Në të njëjtën kohë një tjetër automjet i dyshuar i autorëve kanë sulmuar makinën e shoqëruese të dytë te shoqërisë private duke neutralizuar punonjësit e shoqërisë private të cilët ndodheshin në të.
Pasi kanë marrë sasinë e parave , ata janë larguar me të dy automjetet e tyre.
Sqarojme se automjetet e shoqerise fizike te pershtatur si mjet i blinduar jane demtuar nga autoret ne pjesen e pasme duke perdorur mjet prerese te dyshuar motosharre dhe marre me pas shumen e parave.
Gjithashtu eshte konstatuar se kamerat e mjeteve te pershtatura si blind kane qene te fikura dhe GPS nuk ka qene I vendosur ne thaset e parave por ne nje thes I cili u gjet I vendosur poshte sediljes se shoferit.
Në vendngjarje janë fiksuar gëzhoja .
Nga shërbimet policore , janë konstatuar/gjetur dy mjete që po digjeshin pranë disa banesave , në vendin e quajtur “Rruga e Hajdutëve” në Fushë Prezë.
Nga verifikimi i kryer dyshohet se këto mjete të jenë të autorëve, të përdorura në vendngjarje.
Shumat monetare që po transportoheshin në drejtim të Rinasit ishin të një banke të nivelit të dytë, shumë e cila ende e papërcaktuar.
Si rrjedhoje jane arrestuar shtetasit :
Xhelil Metaj , 43 vjeç punonjes SHPSF,
Gentian Dedja , 31 vjeç punonjes SHPSF,
Perparim Logu , 39 vjeç , punonjes SHPSF,
Endrit Daçi, 31 vjeç , shofer I shoqerise,
Dashamir Balla, 42 vjeç shofer I shoqerise.
Vazhdojnë hetimet per dokumentimin e plote te ngjarjes.
Paralajmërimi i Tahirit dhe lajmi i Hoxhës: Thasët me para pa GPS
Një ditë më parë, ministri i Brendshëm Samir Tahiri, ngriti shqetësimin për mungesën e profesionalizimit të punonjësve të policive private, që shoqërojnë vlerat monetare.
Tahiri paralajmëroi edhe vetë kompanitë, të cilave u kërkoi të rrisnin pagat e punonjësve, për të shmangur ngjarjet e rënda, veçanërisht grabitjet e bankave.
Një ditë më pas, ngjarja e rëndë u shënua.
Të enjten u përsërit grabitja e makinave të bankës që transportojnë para drejt Rinasit, në Tiranë.
Këtë të enjte, “viktimë” e një sulmi dhe më pas e një grabitjeje ka rënë makina e një banke të nivelit të dytë, rrugës për në aeroport.
Në mbrëmje, ministri i Brendshëm mbërriti në ambientet e Policisë së Tiranës për të diskutuar për ngjarjen e rëndë.
Ndërkohë gazetari Artan Hoxha thotë se policia private që shoqëronte sasinë monetare nuk ka bërë asnjë qitje.
Gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes janë të autorëve të grabitjes.
Jo vetëm kaq, por Hoxha thotë se ndryshe nga sa parashikohet, që brenda thasëve me para të kishte GPS, kjo nuk ka ndodhur.
GPS ka qenë thjesht në kroskotin e makinës.
“Kamerat e makinës, të brendshme dhe të jashtme nuk kanë të ndezura,” tha Hoxha.
“Gjithë vjedhja ka zgjatur tre minuta dhe autorët kanë qenë në dijeni të ccdo informacioni,” shtoi ai.
Makinat e përdorura në krim mendohet se janë vjedhur jashtë, ndërkohë që janë përdorur targa të falsifikuara.
Bregu: Qafa e Kasharit si Gryka e Mezhgoranit! Blushi: Kam prova
Deputetja demokrate, Majlinda Bregu publikoi një qëndrim në rrjetin social, FB pas grabitjes së një tjetër makine me para në aksin Qafë Kashar-Rinas.
“Ne vetem pak muaj, jane kater akte te renda kriminale qe kane ndodhur ne te njejten segment: Qafa e Kasharit-Rinas.
3 vjedhje spektakolare thasesh me leke dhe nje rrahje fizike e biznesmenit libanez.
Madje po ketu ka ndodhur edhe atentati ne 2015 ndaj Emiljano Shullazit e te tijve…
Edhe sikur Qafa e Kasharit te ishte Gryka e Mezhgoranit dhe jo nje rrip rruge me fushepamje 360 grade, s’do te kishte qene kaq e lehte qe brenda pak muajve te vidheshin diten per diell mbi 15 milione euro ne makina te bankave duke e kthyer ate cope rruge kombetare ne piken me te lakmuar ku as patrulla e policise kurre nuk te kap dot ne aksion, as nuk te shqeteson njeri deri sa te zhdukesh gjurmet e te djegesh dhe makinat.
Keshtu behet shtetshkaterrimi se shtetformimi ka ikur ne drejtim te paditur,” shkruan Bregu.
Deputeti i LIBRAs, Ben Blushi shkruan në “Facebook” se bankat në Shqipëri vidhen me ndihmën e shtetit.
Ai shkruan se sot ka prova se republika po bie dhe se thasët po vidhen me ndihmën e shtetit.
“KUSH I MBRON BANKAT? Miku im Blendi Fevziu më kërkoi ta shtynim intervistën e parashikuar sot në darkë, për shkak të vjedhjes së makinave të bankës.
Natyrisht e mirëkuptoj. Vjedhjet e bankave janë kthyer në serial. Shteti shikon dhe bashkëpunon, grabitësit ikin dhe e shikojnë policinë në televizor.
Ja pse ska vende pune, besim dhe investime të huaja. Se nuk ka kush i mbron! Një javë më parë thashë në Kuvend se Republika po bie. Sot kam edhe prova. Thasët e Republikës sonë po vidhen me ndihmën e shtetit”.
Grabitja/ Arrestohen 5 policët privat, Manjani sulmon policinë
Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani nuk ka nguruar të sulmojë sot policinë pas grabitjes së ndodhur në Qafën e Kasharit, ku u mor një sasi e madhe parash nga makinat e bankës BKT.
Manjani thotë se nëse policët nuk mbrojnë jetën, pronën dhe paratë për çfarë përdoren?
“Policët dhe armët duhen për të mbrojtur jetën,pronën dhe paratë e njerëzve. Nëse nuk përdoren për këto, për çfarë tjetër?! Për politikë?!”, shkruan Manjani në Twitter.
Ndërkohë sipas burimeve të policisë, janë arrestuar 5 policët të firmës private që po transportonin paratë drejt Rinasit. Dyshimi i policisë është nese kanë bashkëpunuar me grabitësit.
Sipas të dhënave dyshohet se grabitësit kanë vjedhur afro 2 mln euro.
Video/ Grabitja në Rinas, roja: Ia q** motrën… këta i çon vet shteti!
Një grabitje spektakolare ka ndodhur mesditën e sotme në rrugën Tiranë-Rinas, ku persona të maskuar kanë ndaluar dhe i kanë marrë paratë një makine të blinduar që po transportonte paratë e një banke private.
Makina e blinduar, që transportonte paratë e bankës, është grabitur rrugës për në Rinas, në Qafë Kashar. Dyshohet se në makinë ishin duke u transportuar 2 milionë euro.
Nga autoritetet ende nuk ka shumë informacion, por mësohet se janë ngritur postblloqe të shumta nga policia.
Në videon e mëposhtme të publikuar nga “Tv Klan” duket edhe momentet e grabitjes. Video që tregon grabitjen e sotme në rrugën për Rinas është publikuar nga “Tv Klan”.
Filmimi është bërë nga një udhëtar i rastësishëm në rrugë, që ka filmuar nga disa dhjetëra metra larg momentin kur merren paratë.
Personi që ka filmuar videon: “Hajde, hajde… O sa thasë qenkan… shife shife… pyyyy”
Në momentin që personi që filmon, afrohet pranë vendit të grabitjes dëgjohen rojet e bankës që bërtasin:
Punonjësi: “Patrulla aty… ishte aty patrulla, i q**sha motrën! I merr shteti vetë këto se s’ka mundësi…?!”
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu