Janë zbuluar, para se të fillonte Sanremo, pagat e prezantuesëve. Vëmendja u përqendrua e gjitha te Carlo Conti pasi Maria de Filippi deklaroi që do të prezantonte falas duke e konsideruar veten një të ftuar në këtë program. Conti do të marrë nga Rai një shumë prej 650 mijë eurosh. Shifra ngjalli menjëherë debat, edhe pse duhet thënë që Conti, përveçse është prezantuesi zyrtar është edhe autor dhe drejtues artistik dhe ka punuar për muaj me radhë për organizimin e këtij festivali që për pesë ditë mbërthen italianët, por edhe spektatorë ndërkombëtarë, duke vazhduar këtë traditë të këngës italiane.
Shumë personalitete të njohura të televizionit i dolën në mbrojtje Rai-t dhe Conti-t duke mos e konsideruar aspak të tepruar këtë shpërblim përballë punës kolosale të drejtuesit dhe prezantuesit. Pika më e ndjeshme e çështjes ishte që Rai është një televizion kombëtar që mbahet me taksat e popullit italian dhe, sipas kritikëve, të paguash një prezantues 650 mijë euro, në një kohë krize, është një shpërdorim i këtyre parave.
Rai u detyrua më pas të sqarojë që këto para nuk janë marrë nga fondi i taksave të italianëve. Televizioni ka deklaruar që shpërblimi i drejtuesit të festivalit, një nga figurat më të rëndësishme të Rai-t, nuk ka të bëjë vetëm me eventin, por është pjesë e një kontrate ekskluzive që përfshin prezantimin, rolin e drejtorit artistik të Festivalit dhe Radio Rai-t dhe realizimin e programeve të tjera në rolin e autorit dhe drejtues.
“Festival i Sanremos nuk peshon në fondin e grumbulluar nga taksat, por, prej të paktën dy vitesh, është aktiv prej shumave të grumbulluara nga spotet publicitare dhe kontratat komerciale me një vlerë që këtë vit vlerësohet rreth 23 milionë euro”, theksohet në deklaratën për shtyp të publikuar nga Rai.
Ky festival, veç të tjerash, është angazhuar për të mbështetur popullsinë e goditur nga ngjarje të ndryshme natyrore gjatë këtij viti.
Ndërkaq ende nuk dihet shpërblimi për të ftuarit, ndër ta edhe italianët Tiziano Ferro apo Giorga, por është e sigurt, sipas mediave, që shumat janë marramendëse.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu