Autoritetet turke kanë përjashtuar nga puna edhe 4400 nëpunësit civilë, përfshirë mësuesë, oficerë policor dhe akademikë sipas një dekreti të publikuar mbrëmë, raporton Reuters.
Ibrahim Kaboglu, një profesor i njohur i të drejtës kushtetuese, i cili i ka kundërshtuar ndryshimet në Kushtetutën turke që do t’i japin presidentit, Rexhep Tajip Erdogan fuqi më të mëdha ekzekutive, është në mesin e atyre që janë përjashtuar nga puna, sipas dekretit që është publikuar edhe në gazetën zyrtare.
Ky është numri më i madh i përjashtimeve nga puna prejse mijëra punonjës u pezulluan nga puna javët e para pas puçit të dështuar të korrikut të vitit të kaluar. Për puçin e dështuar, autoritetet e kanë fajësuar klerikun turk që jeton në SHBA, Fetullah Gylen, ndonëse ky i fundit i ka hedhur poshtë akuzat.
Pezullimet e reja nga puna kanë nxitur kritika sidomos në rrjete sociale. Ligjvënësi opozitar, Sezgin Tanrikulu ka shkruar në Twitter se universitetet e vjetra turke po shkatërrohen.
Deri më tash autoritetet kanë pezulluar nga puna mbi 125 mijë njerëz, ndërsa formalisht kanë arrestuar 40 mijë persona.
Qeveria ka thënë se masat e reja arsyetohen nga natyra e kërcënimit me të cilin përballet shteti.
Grupet për të drejtat e njeriut thonë se Erdogani po e shfrytëzon gjendjen emergjente për të shtypur paknaqësitë.
Në mesin e 330 akademikëve që janë pezulluar nga puna, janë edhe ata që vitin e kaluar e kanë nënshkruar një peticion që kanë kritikuar masat ushtarake që Turqia i ka ndërmarrë kundër militantëve kurdë në zonën juglindore.
Erdogan, atëkohë ka thënë se akademikët do të paguajnë çmim për “tradhëtinë” e tyre.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu