Deputetet që bëhen të rëndësishëm një herë në 4 vjet
Redaksionale/ Ato çfarë thuheshin dhe dëgjoheshin nëpër tavolina, tanimë dolën në ekrane. Eksponentë të lartë të PS dhe LSI, në bashkëqeverisje prej vitit 2013 nuk mbajnë më sekrete. Bashkëjetesa e thyer keqazi në zgjedhjet lokale të 2015-tës ka marrë fund dhe qëndron ende në këmbë për arsye që vetëm pamundësia numerike e deputetëve në Kuvend mund t’i shpjegojë.
Orët e fundit kanë shkaktuar habi se si një ministër mund të flasë me gjuhë dhe akuza të ashpra kundër një ministri tjetër dhe të jetë në detyrë i paprekur nga kryeministri. Konflikti që po orkestrohet nga aleati LSI sikur vjen nga individë të caktuar, do të ishte e pamundur të ndodhte pa bekimin e kokës së partisë. Ajo cfarë nuk është e qartë për publikun është arsyeja e lojërave me armiq brenda koalicionit të majtë, kur secila nga partitë mund të zgjedhë të dalë nga koalicioni në mos për të njëjtat arsye parimore që u krijua, për shkak të papajtueshmërisë me “terrorin” e pretenduar policor dhe frikën për prekjen e zgjedhjeve.
Burime pranë qeverisë pohojnë për Tiranapost se takimi i së mërkurës Rama-Meta në kryesinë e Kuvendit ka shkuar mirë dhe nuk janë shfaqur tensione. Por dalja televizive e Lefter Kokës të premten e fundit të Janarit në Ora News nuk dukej as e befte dhe as e pamenduar. Përkundrazi!
Atëherë çfarë i mban ende bashkë PS dhe LSI në këto kushte? Mungesë kurajoje apo pamundësi shifrash për të mbajtur një qeveri në këmbë deri në zgjedhjet e 18 qershorit?
Dy janë skenarët që mund të riciklohen në korridoret e politikës pas vlerësimit që patën në Korrik kur pritej miratimi i reformës në drejtësi. I pari, mund të vijë nga të ashtëuqajturit “pucistë” ose 1/5 e deputetëve që mund të paraqesin për votim një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit në detyrë dhe sipas nenit 105 të Kushtetutës, ky grupim duhet të ketë një propozim për Kryeministrin e ri, për të cilin duhen minimalisht 71 vota.
Një skenar tjetër është që Kryeministri t’i paraqesë vetë Kuvendit një mocion besimi ndaj Qeverisë dhe nëse Qeveria nuk merr mbështetjen e të paktën 71 deputetëve – atëherë Kryeministri, brenda 48 orëve nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit. A është i gatshëm Edi Rama t’a marrë këtë vendim, në kushtet kur grupi parlamentar i PS ka 59 deputetë sipas numrit të publikuar në faqen e Kuvendit www.parlament.al dhe aleati në qeveri PDIU ka 8 deputetë. Për të arritur numrin magjik 71 vota Ramës do t’i duhen edhe të paktën 5 deputetë që gjenden tek grupimet e tjera parlamentare ose jashtë tyre.
Me një kontroll në faqen e kryesisë së Kuvendit dhe duke vë në punë intuitën dhe deduksionet që na lejon llogjika politike, gjithmonë në rast se do ketë një divorc dhe jo thjesht ndarje momentale, qeverinë mund ta mbajnë në këmbë ose ta rrëzojnë këta deputetë.
Do përjashtonim Blushin dhe Hafizin që të pranojnë oferta.
Nuk do vinim dorën në zjarr për një skenar hipotetik për Nard Ndokën, Agron Dukën, Armando Prengën, Tom Doshi, Mirela Ferracakun, Bedri Hoxhën, Astrit Veliaj, Mhill Fufi apo Gjovalin Mzhetaj të cilët mund edhe të ishin surprizë për secilin kamp.
Grupi parlamentar i PD ka 41 deputetë, LSI ka 18, 7 PR dhe 7 deputetë janë jashtë grupeve midis tyre Blushi, Hafizi, Ferracaku, Ndoka, Doshi, Prenga, Dule. Përtej llogaritjeve matematikore, në kushtet kur vendi ndodhet 5 muaj nga zgjedhjet parlamentare, partitë politike janë të kujdesshme të mbajnë të motivuar elektoratin e tyre, i cili është vërtetuar se është gjithmonë e më i lidhur me pushtetin.
Nëse LSI nuk do ta përfundojë revanshin që ka nisur, pra të dalë vetë nga koalicioni për arsyet që thotë dhe nuk thotë publikisht, atëherë do të duhet që PS të shpjegojë përse qëndron në koalicion me një aleat që as po bashkëjeton dhe as po qeveris dot më. Trajtohen si armiq!
PD në opozitë, po qëndron në dukje indiferente ndaj kacafytjes brenda koalicionit. E vetmja që reagoi me ironi ishte deputetja Bregu që publikoi në faqen e saj të FB kartën e parimeve të bashkëpunimit PS-LSI të 1 Prillit 2013. Kur nuk ka më as parim dhe as durim për të përfunduar 4 vjeçarin e parë të qeverisjes, cfarë i mban bashkë dy partitë në koalicion? Me siguri në orët e ardhshme, deklarata të porositura do të qartësojnë pozicionin e secilës palë. Kjo është e vetmja gjë e sigurt deri tani.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu