Përballë zhvillimeve të ndryshme që mund të ndodhin jo vetëm në kompanitë e tyre por edhe në të gjithë botën në përgjithësi, CEO-ve u duhet të veprojnë me shpejtësi në mënyrë të tillë që të mbrojnë punonjësit e tyre që këto ndryshime të mos ndikojnë aq keq tek ata dhe që ta kalojnë lehtësisht “lodhjen që vjen nga ndryshimi”.
Liderët të cilët i karakterizon energjia pozitive e tregojnë një gjë të tillë me të gjithë dhe mundohen që edhe ajo të bëhet pjesë e kulturës së kompanisë së tyre. Zakonisht këta liderë janë edhe ata që shfaqin besim tek të tjerët, janë autentikë, i kanë qëllimet e qarta dhe gjithmonë mundohen të shohin anën pozitive të gjërave, janë pikërisht ata liderë që edhe ne duam të ndjekim.
Në kontrast me ta, ekzistojnë edhe liderët të cilët konsiderohen si “Vampirët e energjisë” të cilët marrin të gjithë energjinë që gjejnë dhe nuk lënë asgjë për të tjerët .
Sipas një studimi të fundit, të kryer me rreth 20,000 liderë dhe 3,000 ekipe punonjësish, liderët të cilët karakterizohen nga energjia pozitive janë ata të cilët e përshpejtojnë ecurinë e kompanisë, sepse ekipi i tyre i punonjësve ka një rendiment më të lartë.
Kompanitë po ndryshojnë nga dita në ditë me ritme shumë të shpejta – ndaj janë pikërisht CEO-t ata të cilët duhet të kujdesen për kompaninë e tyre. Më poshtë do të lexoni 7 tipet e liderëve të cilët, për një arsye apo për një tjetër, mund ta çojnë kompaninë e tyre drejt shkatërrimit. Më e rëndësishmja nga të gjitha është që ata të mos jenë “Vampirë të energjisë pozitive të ekipit të tyre”.
Premtime, premtime vetëm premtime…
Kjo është një prej karakteristikave më të këqija që mund të ketë një lider. I referohemi me këtë term “të këqija”, sepse pjesa më e madhe e tyre bëjnë vetëm premtime, por kur vjen puna për t’i përmbushur ato, neglizhojnë. Kjo gjë është shumë e keqe edhe për imazhin e kompanisë suaj, sepse ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë tek ajo.
Klientët e vështirë
Klientët besnikë të një kompanie, ashtu siç fitohen me shumë vështirësi, në të njëjtën mënyrë, edhe mund të largohen shumë lehtësisht nga kompania juaj. Një prej gjërave më të rëndësishme që një kompani ka nevojë është të ketë liderë të cilët nuk e shohin biznesin si një çështje ku përherë duhet të dalin fitimtarë dhe në këtë mënyrë të harrojnë edhe gjëra të tjera shumë të rëndësishme, të cilat nuk i lejojnë ata që të kenë sukses.
Problematikët
Ky është tipi i CEO-s që gjithmonë i pëlqen të shkaktojë stres tek punonjësit dhe për rrjedhim, të krijojë edhe një atmosferë kaosi, ku askush më pas nuk e ndien veten të qetë. Këta liderë janë ata të cilët ose duhet të ndryshojnë ose më mirë të heqin dorë nga një detyrë e tillë.
Të paaftët
Një prej detyrave kryesore të liderëve është ndarja e përgjegjësive në mënyrën e duhur. Nëse ata nuk e bëjnë këtë gjë ashtu siç duhet, atëherë kompania e tyre mund të shkojë drejt shkatërrimit, sepse disa punonjës mund të jenë të mbingarkuar me punë, disa të tjerë të mos kenë ngarkesë fare, apo në rastin kur peronave të gabuar, i caktohen detyra që nuk janë pjesë e tyre, gjë kjo e cila çon në uljen e rendimentit të punonjësve dhe uljen e ecurisë së përgjithshme të vetë kompanisë.
Egoistët e “jashtëzakonshëm”
Liderët të cilët kur shihen në pasqyrë dhe e etiketojnë veten si të jashtëzakonshëm, janë pikërisht ata ndaj të cilëve duhet të keni më shumë kujdes, sepse sipas shembujve të shumtë, kur vjen puna për të zgjidhur ndonjë problem shumë të rëndësishëm në kompaninë e tyre, ata largohen si pa të keq, duke thënë se nuk është detyra e tyre. Ju nuk mund t’i besoni kurrsesi atyre, prandaj një punë e tillë nuk është për ta.
Narcistët
Këtu kemi të bëjmë me kategorinë e atyre liderëve të cilëve u pëlqen më shumë seç duhet vetja e tyre. Gjysma ose më pak se gjysma e trurit të tyre është e përqendruar në punët që mund të kenë dhe pjesa tjetër është e përqendruar që të dalin sa më parë nga kompania e tyre dhe të shkojnë të qetësohen duke ngrënë darkë apo duke bërë ndonjë udhëtim në ndonjë vend tjetër. Duhet të hiqni dorë sa më parë nga një sjellje e tillë.
Të pabindurit
Cilado qofshin rregullat e kompanisë suaj, ju duhet t’i zbatoni ato njësoj tek të gjithë punonjësit. Nëse do të përballeni me punonjës të pabindur, të cilët mund të thyejnë edhe rregullat e kompanisë suaj, këshillohet që ju më mirë t’i pushoni ata sesa të hakmerreni ndaj tyre/ The World Economic Forum
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu