Veriu i Shqipërisë ka një shprehje, “të ndash paret si pare vitri”. Për ata që nuk e dinë, vitra ose fitri është një lloj lëmoshe që u jepet njerëzve të vobektë gjatë muajit të Ramazanit.
Ka disa ditë që qeveria jonë—Kryeministri ynë dhe, me rradhë, sozitë e tij ministra, deputetë, drejtorë, drejtues vendore—po trumbetojnë me forcë dhe krenari, televizion me televizion, Facebook, Twitter e kudo faktin që qeveria këtë fundviti po u jep pensionistëve shpërblim (edhe ky duhet të jetë më i madhi në 25 vjet si çdo gjë tjetër), po u rrit rrogat administratës dhe mësuesve, ndërkohe që për këta të fundit po mendohet dhe ende nuk ka vendosur nëse do t’u japë shpërblim fundviti apo jo.
Krahas kësaj, Bashkia Tiranë, e cila natyrisht “ka veç punë dhe jo llafe”, po lodhet për ditë duke u kujtuar qytetarëve se duhet të dhurojnë, ndihmojnë qendrat sociale për të moshuarit, fëmijët dhe nevojtarët dhe si me ndihmën e ddhuruesve po hap mensat sociale dhe po ndan pako ushqimore për familjet në nevojë.
Parë në ndikimin e menjëhershëm, këto veprime duhet të përshëndeten, sepse ato ndihmojnë njerëz në nevojë dhe për ta të gjithë duhet të jemi të ndjeshëm.
Por, pas shkëlqimit të buzëqeshjeve plot mirësi, nuk duhet të harrojme që kryeministri, ministrat, deputetët, kryetarët e bashkive, jane zgjedhur nga ne dhe paguhen me paratë tona për të krijuar kushte dhe shërbime që përmirësojnë jetën e çdo qytetari në kët vend, i pasur apo i varfër.
Ata nuk i paguajmë qe të bëjnë bamirësi apo të na tregojnë se ku, kujt dhe si duhet të bëjmë bamirësi. I paguajmë të punojnë dhe mirëadministrojnë paratë tona për t’i kthyer ato në mirëqenie ekonomike dhe shërbime në përfitim të të gjithë qytetareve, të pasur e të varfër.
Ne nuk e kemi punësuar kryeministrin, ministrat, deputetët dhe kryebashkiakët e tij që me “shpirt bamirës” të shpërndajnë paratë e taksave tona si “pare vitri” dhe as të na kërkojnë llogari që bëhemi solidare apo bëjmë bamirësi.
Solidariteti dhe bamirësia kërkojnë përunjësi, ndërgjegje dhe përgjegjshmëri dhe këtë nuk mund ta predikojë një qeverisje arrogante, e papërgjegjshme dhe tinzare, e cila në vend të bëjë punën për të cilën paguhet, preferon të bejë bamirësin e qytetarëve me paratë e qytetarëve dhe këtë t’ua përplasë fytyrës çdo ditë deri më 18 qershor./Exit
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu