Shqipëria e mbyll 2016, vitin e saj më të suksesëshëm ku realizoi për herë të parë ëndrrën e pjesëmarrjes në fazën finale të një kompeticioni madhor, Europianin Francez, në vendin e 49 në renditjen botërore të Fifa-s. Klasifikimi i kuqezinjve nuk pësoi asnjë ndryshim në përditësimin e fundit për muajin dhjetor, ashtu si shumica absolute e kombëtareve të tjera me Shqipërinë e futbollit që e mbyll vitin e 49-ta, 11 shkallë më poshtë nga sa e nisi. Në janar të 2016 kuqezinjtë renditeshin të 38-ët në klasifikimin botëror ndërsa pozicionimi më i mirë i tyre për 12 muajt që lëmë pas ka qenë në mars me Shqipërinë që klasifikohej në vendin e 35 në botë. Padyshim që ky ishte një vit i vecantë për futbollin e Kosovës që këtë vit realizoi njohjen ndërkombëtare duke u bërë anëtare e Uefa-s dhe Fifa-s.
Kosova mori pjesë kështu për herë të parë në eleminatoret e një kompeticioni madhor, ato të Botërorit 2018, Përfaqësuesja e shtetit më të ri të Europës e mbyll vitin në vendin e 165 në renditjen globale, ku u përfshi për herë të parë në muajin gusht duke e nisur nga vendi i 190-të. Rruga e ngritjes në nivelet e larta është e vështirë, por e rëndësishme është se ajo ka nisur dhe Kosova e ka bërë hapin e parë të madh. Për sa i përket kundërshtarëve të Shqipërisë në grupin G të kualifikueseve të botërorit, më lart nga të gjithë vazhdon të qëndrojë Spanja që mbyll dhjetëshen e parë në botë, Italia vazhdon të qëndrojë në vendin e 16-të, Izraeli ndodhet në shkallën e 55 të klasifikimit, Maqedonia renditet e 162-ta , ndërsa si në grup edhe në renditjen e Fifa-s më poshtë qëndron Lihtenshtejni që ndodhet në vendin e 189. Për sa i përket kryesuesve në rang botëror edhe këtu nuk ka asnjë ndryshim me Argjentinën që e mbyll në krye, e ndjekur nga Brazili dhe Gjermania.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu