Deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu është shprehur sot se nga shtatori i vitit të ardhshëm mund të nisë të japë mësim në auditorë.
E ftuar në emisionin “Vila 24” në News 24, ajo tha se “në shtator mund të nis punë sërish në auditor? Unë e kam dashuruar gjithë kohën punën me studentët. Në momentin që mora vendimin për të vijuar full-time në televizion në atë kohë, në TVSH, i kisha të dyja propozimet dhe vendosa të punoja me kohë të plotë në fakultet”.
Bregu nuk bëri të ditur nëse do të tërhiqet nga politika në përfundim të kësaj legjislature.
Ajo është sot një ndër kritiket më të mëdha të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe nuk kanë munguar zërat se nuk do të jetë pjesë e listave të PD-së në zgjedhjet e ardhshme.
Si e vlerësoni drejtimin e PD-së nga Basha?
Ti po më thua që unë të vë notë sot? PD-ja në këto 3 vite, nuk do ishte e lehtë për këdo që do zëvendësonte Berishën, do të ishte dhe do të konsumonte ciklin e saj. partitë politike sot nuk janë entitetet apo grupimet që njerëzit i shohin me shpresën se do të bëjnë ndryshimet. Te partitë sot janë shtuar dozat e mosbesimit. PD-ja ka nevojë, por tani ne jemi para zgjedhjeve dhe këto diskutime duhet të ishin kryer me kohë, ka nevojë për të vendosur njëherë e mirë jo kufijtë e vetes, por për të përcaktuar që ne jemi këtu. Ne bëmë një koalicion me një parti të majtë të vogël, gjë që nuk funksionoi. Çfarë kam thënë të gjithave i qëndroj. Nuk vendos dot notë sepse nuk më shqetëson kjo. Më shqetëson socializimi, krijimi i një dinamike funksionale grupi.
A duhet bërë koalicion me LSI-në?
Jo përsa kohë PD ka vetëm një qëllim, të vazhdojë të mbetet forcë kryesore politike në vend. Duhet kthyer në mënyrë urgjente te e djathta. Për të mos shkuar drejt një shpërbërje dhe rikompozim të forcave të majta, ka nevojë për ristrukturim të së djathtës.
Do jeni deputete në 2017?
Votën e kanë qytetarët në dorë. Këtë pyetje askush nuk e di sot, edhe kryetari i partisë. Mua më intereson që PD të jetë forcë kryesore politike në vend.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu