Aktualitet
Rama: Jam i pakënaqur, por do mbyllim edhe mandatin e dytë
Kreu i qeverisë, Edi Rama, foli gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për zhvillimin e integruar urban dhe turizmin me Bankën Botërore.
Rama renditi disa nga reforma që ka realizuar qeveria e tij, të cilat ishin zvarritur prej vitesh nga qeveritë e shkuara. Gjithashtu, Rama nuk nguroi të shprehë dhe pakënaqësitë lidhur me rezultatet e reformave, ku tha se kostot mund të ishin shmangur.
“Skema e pensioneve sot garanton qëndrueshmëri dhe lehtësim të një barre që ishte nën kufijtë e të papërballueshmes deri dje. Reforma kundër informalitetit është një reformë e vështirë, ka dhënë disa rezultate edhe pse jemi të pakënaqur, por jemi optimist dhe në këtë drejtim do bëjmë sukses”.
“Reformat që ne kemi ndërmarrë janë reforma që janë zvarritur për shumë vite dhe kanë krijuar kosto dhe pasoja, të cilat mund të ishin shmangur nëse do ishin bërë vite më parë. Nëse sot mund të gjykojmë me optimizëm për këto reforma, kjo i dedikohet padiskutim partneritetit me Bankën Botërore, që nuk është vetëm një mbështetës nga ana financiare, por edhe me dije, eksperiencë me këshilla të duhura”.
“Sigurisht se shumë prej jush që e dëgjojnë këtë do mendojnë se është komplimenti i radhës, ku ne do të firmosim për të marrë ca para më shumë, por në të vërtetë Banka Botërore ka bërë gjithmonë gjëra të tilla”.
“Sot nënshkrimi i marrëveshjen për zhvillimin e integruar urban dhe turizmin na çon në rrugën e duhur. Ky kapitulli i ri thellon një program që ka filluar të japë rezultate shumë të mira. Projekti me Bankën Botërore do të prekë dy qendrat strategjike të mbrojtura nga UNESCO si Beratin dhe Gjirokastrën, Sarandën si portë hyrësi për turizmin, Butrintin si një qendër me rëndësi strategjike”,tha kryeministri Rama.
Rama tha se beson tek fitorja e një mandati të dytë në zgjedhjet e ardhshme 2017 dhe parashikon rritjen e punësimit në sektorin e turizmit me mbi 100 mijë të punësuar.
“Sot mund të numërohen rreth 51 mijë të punësuar në sektorin e turizmit në 2015, shifrat për 2016-ën nuk kanë dalë. Pa diskutim mund të shkojmë në 250 mijë të punësuar në 2025-ën. Objektivi ynë është që të jemi 100 mijë plus gjeri në 2021 që jo rastësisht përkon dhe me mbylljen e mandatit të dytë qeverisës, për të cilin askush nuk ka dyshim se do ta ushtrojmë me përgjegjësinë më të plotë”./Mapo
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu