Kryesore
Referendumi në Itali, shpresë për të lënë në “hije” pr/ligjin për call center-at
E gjithë vëmendja e Italisë tani është përqendruar tek ajo që do të ndodh pas fitores së “JO-së” në referendum e dorëheqjes së kryeministrit Renzi.
“Topi” i ka kaluar presidentit Sergio Mattarella, i cili për herë të parë do të thirret nga Senati për të marrë një vendim që do të jetë padyshim kompleks, që do të sjellë pasoja politike, në mesin e një furtune të vogël financiare, që po godet vendin.
Në këtë gjendje emergjence, duket se ka një ‘përfitim’, shkruan Monitor.
Projektligji për Buxhetin 2017, ku përfshihen edhe amendimet për delokalizimin e shërbimit call center, që prek jo pak Shqipërinë, mund të lihet në ‘hije”.
Shpresa që për momentin, kjo çështje mund të ‘harrohet’ duke qenë se Senati, po jo vetëm, gjëra më madhore për të diskutuar, është prezente.
Drejtuesit e shoqërive të call center në Shqipëri, por edhe përfaqësues të shoqatave të biznesit, thonë se situata politike në Itali, do të bëjë që kjo çështje të vonohet disi për t’u votuar.
Në faqen zyrtare të Senatit të Italisë thuhet se ditën e martë (6 dhjetor) është përcaktuar që të mblidhet Komisioni i Buxhetit në mbledhje konsultuese për të marrë mendimin e Presidentit të Senatit, Pietro Grasso.
Por, ky është një nga emrat që përflitet për të marrë detyrën e kryeministrit në qeverinë teknike që do të ngrihet, së bashku me atë të ministrit të Ekonomisë Pier Carlo Padoan.
Situata politike në Itali, në anën tjetër ka “ngrirë” edhe lobimin nga pala shqiptare e cila do të duhej të niste një letër në Senat në lidhje me çështjen e delokalizimit të shërbimit call center. Por, tashmë thjesht do të pritet për të kuptuar se çfarë do të ndodh me qeverinë italiane.
Projektbuxheti 2017, ku bëjnë pjesë edhe amendimet për ligjin e delokalizimit të shërbimit call center ka marrë miratimin në lexim të parë në datë 28 nëntor. Ai parashikon rregulla të forta, përjashtim nga lehtësitë fiskale, kontroll të të dhënave personale për ato shërbime call center që do të zhvendosen nga Italia, për të ardhur kryesisht në vendet jashtë BE-së, siç është Shqipëria.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu