Kritike
BunkArti i Turpit, aty ku viktimat shiten me lekë dhe xhelatët s’kanë një fotografi!
Nga Dritan LACI
Gi Dë Mopasane një nga novelistët më të mëdhenj francezë ishte një nga kundërshtarët më të flaktë të ndërtimit të Kullës Eifel. Aq sa janë të famshme tashmë letrat e tij në botimet e kohës kundër Kullës. Një ditë, një miku i tij teksa e pa të shijonte kafenë në Kullë dhe mendoi se gjeti momentin më të përshtatshëm për ta ngacmuar: “Z. Mopasane po ju sikur ishit kundër ndërtimit të Kullës”. Mopasane pasi u mendua një çast, nuk përtoi t’ja kthente përgjigen gjithë qësendi. “Po i dashur mik, është e vërtetë. Unë vazhdoj të jem akoma kundër Kullës. Kjo është edhe arsyeja përse kam zgjedhur ta pi kafenë këtu. Pasi ky është i vetmi vend në Paris ku unë nuk mund ta shikoj atë (Kullën)”. Në këtë shembull, edhe pse shumë zëra bënin thirrje lart e poshtë për të refuzuar vizitën në BunkArt 2 apo ndryshe tuneli poshtë Ministrisë së Brendshme, vendosa të shkoj ta vizitoj.
Vendosa të shkoj jo për të parë viktimat e sistemit komunist, por për të parë baballarët xhelatë të atyre që vunë në jetë këtë rimishërim post 25 vjeçar të diktatures komuniste mu në qendër të Tiranes. Dhe nuk është se u zhgënjeva. Sepse nuk kisha pritshmëri për t’u ndjerë i zhgënjyer. Ndërsa u enda në bodrumet apo ndryshe pavijonet e tunelit nuk gjeta asnjë foto të xhelatëve. Asnjë për be. Nuk gjeta po kështu asnjë krim. Vetëm disa statistika që vinin nga kufiri i regjimit popullor socialist ku shkruhej për 54 viktima, po ku nuk shkruhej asnjë fjalë kush i vrau. Pashë vetëm portretet e viktimave të një regjimi gjakatar në hyrje të bunkerit dhe dritën e diellit që zbriste nga zgavra e krijuar nga demostruesit e janarit të shkuar, që u krijonte lirinë për të pare edhe njëherë botën pa pranga dhe kupola mbi kokë. “Çfarë paradoksi,- mendova me vete”. Bijtë e xhelatëve sot na dalin të jenë më antikomunistët. Ndërsa ata që vuajtën sistemin duhet të paguajnë 5 mije lekë të vjetra për të parë krimet e etërve te atyre që kanë sajuar këtë palo pavijon. Dhe çfarë se! Një vajzë e re futur në një stendë aty në hyrje të bunkerit fillon të shpjegon gjerë e gjatë se sa kushton të vizitosh këtë pavijon. Dhe ç’se! Të përndjekurit janë falas. Të tjerët duhet të paguajnë 5 mijë lekë të vjetra.
E kuptoni?! Të përndjekurit falas. Pra për të ardhur për të parë baballarët, vëllezërit, fëmijët e tyre, të vrarë apo të persekutuar, xhelatët kanë vënë dorë në zemër dhe u ofrojnë falas shfaqjen e ligësht viktimave të tyre. Dhe ç’se! Në të gjithë vizitën nëpër pavijonet e BunkArtit mu në qendër të Tiranës, shikon portrete viktimash por nuk shikon portrete xhelatësh. Shikon dosjet e këngëtarit të burgosur Sherif Merdani, politikanit Kiço Ngjela. poetit të pushkatuar Vilson Blloshmi etj etj etj por nuk shikon asnjë dosje të xhelatëve. Shikon stenda në mure që e rrëfejnë policinë e kufirit të regjimit si një polici që ka kryer detyrën, edhe pse ka vrarë njerëz thjesht se kërkonin të mos jetonin në një realitet si regjimi komunist, dhe nuk shikon një cicëron apo një historian.
A e dini pse? Sepse dikush ka frikë nga pyetjet: Po xhelatët ku janë në këtë pavion? E pra xhelatë nuk ka. Ka vetëm viktima. Dhe për të parë viktimat e atij sistemi nëse një shfaqje në teatër kushton 3 mijë lekë, një shfaqje futbolli kushton 2 mijë, një shfaqje e tillë turpëruese si kjo e BunkArtit mu në qendër të Tiranës kushton 5 mijë lekë. Dhe ato pyetjet që ideatorët e kësaj shfaqje denigruese fshihen të mos i japin përgjigje janë: Kur do vijë ajo ditë që edhe xhelatët të kenë një fotografi? Kur do vijë ajo ditë që për gjithësecilin prej tyre të ketë një dosje? Edhe sa kohë do të talleni me gjakun e viktimave që mbollët në 50 vite diktaturë? Kur do vijë ajo ditë kur bijtë e etërve gjakatarë të mos i trajtojnë viktimat e etërve të tyre si bileta për të mbushur xhepat?
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu