Kryesore
Largimi i Brisida Shehajt, pasojë e përplasjes së klaneve Tahiri – Veliaj ?
Asnjë largim zv.ministri nuk ka prodhuar kaq shumë lajme dhe nuk ka marrë kaq shumë vëmendje. Por kur bëhet fjalë për të Brisida Shehajn çdo gjë merr një tjetër kuptim. Janë të shumta komentet mbi arsyet e largimit të 32-vjeçares nga Ministria e Ekonomisë ku mbante detyrën e zv.ministres vetëm prej dy muajsh.
“Ku është problemi këtu?”
Nën zë flitet për një përplasje të saj me ministren Milva Ekonomi. Vetë Shehaj i tha portalit newsbomb.al se “marrëdhëniet me të ishin shumë të mira dhe se largimi nga detyra kishte vetëm arsye personale”. Por në një analizë të hashtag.al thuhet se “përplasja” Shehaj – Ekonomi nisi që në ditët e para të futjes në zyrë të ish-drejtoreshës së Tatimeve. Sipas të njëjtave burime mbërritja e saj në ministri u komentua që ditën e parë nën zë, si një lëvizje provizore. Shehaj përhapi fjalë se qëndrimi i saj si zv/ministre do të ishte i përkohshëm pasi shumë shpejt do i zinte vendin ministres Milva Ekonomi.
Mes të dyjave nuk ka pasur marrëdhënie njerëzore dhe as kontakte institucionale. Shehaj në javët e fundit ka nxitur disa kontrolle/inspektime në radhët e punonjësve dhe të drejtorive, veprime që godisnin hapur njerëzit e emëruar nga Ekonomi.
Hashtag.al shkruan se një sërë procedurash dhe dosjesh që presin të firmosen janë të bllokuara si pasojë e luftës së brendshme mes klaneve. Kjo situatë është denoncuar në disa raste dhe pranë kryeministrit Rama, ndërsa ky i fundit e di mirë se çfarë fshihet realisht pas përplasjes Ekonomi-Shehaj.
Lufta mes klaneve ka bërë që kjo ministri të mos ketë një Sekretar të Përgjithshëm të emëruar në mënyrë të rregullt, por vetëm të komanduar. Për disa kohë u komandua zoti Ergys Qirici, i cili është denoncuar nga opozita si lidhje e afërt farefisnore e zonjës Shehaj.
Kjo e fundit gëzon mbështetjen politike dhe klanore të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ndërsa ministrja Milva Ekonomi gëzon të njëjtën mbështetje nga korridori Veliaj. Madje ky i fundit njihet si një njeri që “të mbaron punë me SMS” në ministrinë e Ekonomisë, pasi ka influencë të plotë mbi ministren.
Mediat kanë raportuar se Shehaj i ka dorëzuar kryeministrit një letër ku ka arsyetuar dorëheqjen e saj, por largimi i saj përflitet edhe si një ‘shkarkim i paketuar me dorëheqje’. Tensionet dhe lufta e konjukturës Ekonomi-Shehaj, janë zgjatim i një lufte për influencë që ka nisur ndërkohë mes Erion Veliajt dhe Saimir Tahirit.
Luftë, që në rastin konkret, duket se është fituar nga Veliaj, pasi ndryshe nga sa pritej, nuk është Milva Ekonomi ajo që do të lëvizë si ministre, por ishte rivalja e saj, Briseida Shehaj ajo që u “spastrua”. /Lapsi
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu