Kryesore
Mero Baze: “Guerrilsja” si Nexhmija! Bushati: Ishte sinjali i parë
Analisti Mero Baze, ka komentuar në gazetën TemA, veprimin e një aktiviste të ekstremit të majtë, që hodhi salcë mbi kokën e ministres së Arsimit, Lindita Nikolla.
Në shkrimin e tij, Baze thotë se “ministrja Nikolla nuk duhet të ndjehet e fyer nga ky gjest”.
“Së pari, se më shumë se sa përpjekje për të mbrojtur arsimin, apo për të sulmuar ministren dhe kryeministrin, kjo organizatë është në përpjekje për të krijuar profilin e saj si organizatë radikale, që përmes gjesteve të tilla ekstreme, të krijojë shtratin e një lëvizje radikale të majtë në Shqipëri.
Së dyti, akte të tilla ekstreme i mundësojnë vetëm qeveri liberale dhe të moderuara, nga ato që “populli nuk i ka frikë”
Së treti, çka është më e rëndësishme, nuk mendoj se ka arsye për të protestuar për dështimin e reformës në arsim, se nuk shikoj ndonjë dështim. Kur nisi zhurma rreth reformës, problemi që ngritën kundërshtarët e saj, ishte se po ngeleshin studentët pa shkollë, tani problemi është që kanë ngel shkollat bosh, ngaqë nuk ka mjaftueshëm studentë. Kjo nuk është dramë e studentëve, por dramë e shoqërisë sonë fallco, ku të gjithë duan të bëhen student, edhe pse nuk meritojnë të jenë as kamarierë,” shkruan Baze.
Sipas tij, veprimi i aktivistes nuk ka lidhje me reformën në arsim.
“E vetmja gjë që mund të diskutojmë, është perspektiva politike e së majtës radikale në këtë rast, apo jargavitjen e PD, pas çdo ekstremisti, qoftë i majtë, i djathtë “apo i qendrës”, për shkak të impotencës së saj opozitare. Sot nuk mendoj se kemi fituar një studente të revoltuar, që do shkollën, por një veprimtare politike që do pushtetin, siç e ëndërron ajo, siç e ka pas ëndërruar dhe Nexhmija dhe Vitoja kur protestonin si “vajza me kordele të kuqe”. Rrojnë akoma, dhe mund të frymëzohen dhe duke u folur për “idealet” dhe krimet e tyre”.
Kurse analisti Andi Bushati ndan tjetër mendim.
Në një shkrim në portalin Lapsi, ai thekson se po tentohet të reduktohet aksioni i Mirela Rukos në një mëri personale.
“Ka një keqkuptim me aktin e bujshëm të vajzës që la një shenjë mbi kryet e ministres së arsimit. Të shumtë janë ata që po tregojnë empati, për historinë e saj të dhimbshme: largimin nga familja në Fier, babain e sëmurë dhe të pasiguruar, nënën shtëpiake, borxhet për të vazhduar shkollën, zbritjen në Tiranë me po aq para në xhep, sa një rilindaseje i kushton kalimi i zakonshëm tek parukieri dhe së fundi, braktisjen e studimeve për mungesë të ardhuarash. Unë besoj se Mirela Ruko, nuk e bëri atë akt, as vetëm sepse është e varfër, as vetëm sepse u detyrua të braktiste studimet, as vetëm sepse ndihet e majtë dhe as sepse është rritur me tingujt e këngës “shoqet tona ilegale”. Jo, veprimi i saj nuk është as një shpërthim nga pezmi i njeriut të pashpresë dhe as një çast heroizmi i një fanatikeje të përbetuar,” shkruan Bushati.
“Ai është sinjali i parë i mijra shqiptarëve të lodhur nga një tallje e gjatë. Në këtë kuptim, ajo që ndodhi, nuk qe thjeshtë një sulm mbi një grua. As një atak mbi një ministër të veçantë. As thjeshtë një inat apo zhgënjim me një përfaqësuese të Rilindjes. Ajo përbën një simbol. Një shenje të parë kundër një kaste shurdhe dhe memece, që i ka humbur lidhjet reale me njerëzit e zakonshëm”.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu