Letersi
Smerald – Ivan Bunin
Bluja e errët e qiellit të natës në qetësinë pluskuese të reve, gjithkah të bardha, ndërsa përqark hënës – të kaltëreme. Përqendrohesh dhe – as retë lëvizin – as hëna lundron, por bri saj, bashkë me të pikon loti i artë i një ylli: hëna lundron prajshëm lartësish të paskaja dhe e merr me vete gjithë e më lart këtë yll.
Ajo shtrihet brinjazi në pezulin e çelur të dritares: me kryet anuar këqyr lart – koka i endet rrotull nga lëvizja e qiellit. Ai qëndron në gjunjët e saj.
– Çfarë ngjyre është kjo? Nuk mund ta përcaktoj dot! Po ju, Tolja, mundeni?
– Për çfarë ngjyre, Kisa?
– Mos më thërrisni më kështu, njëqind herë ju kam thënë. . .
– Si urdhëroni, Ksenia Andrejeva.
– E kam fjalën për këtë qiell ndërmjet resh. Çfarë ngjyre mahnitëse! Dhe e tmerrshme dhe magjepsëse. Me të vërtetë qiellore, se në tokë të tillë nuk ka. Thuajse smerald.
– Përderisa është në qiell, sigurisht që qiellore është. Vetëmse smerald ç’ne? Dhe ç’do të thotë smerald? Kurrë gjallë s’më kanë zënë sytë smerald. Juve, thjesht, ju pëlqen kjo fjalë.
– Nuk di si të them, – ndofta nuk është smerald, por rubin. . . Porse vërtet i tillë, që vetëm në parajsë e gjen, engjëjt, fron perëndish. . .
– Dhe dardha majë plepit. . .
– Uf, sa cinik që je, Tolja. Mirë e ka Maria Sergejevna, kur thotë se edhe çupa më budallaqe është më e mirë se një djalë.
– Vetë e vërtetë gurgullon në buzët e saj, Kisa.
Ajo është veshur me një fustan pikëlor basmaje, këpucë fare të lira; pulpët dhe gjunjët e saj janë të plota, vajzërore, koka e saj e rrumbullt me një gërshet të hedhur prapa aq lezeçëm. . . Ai vë dorën mbi gjunjët e saj, tjetrën ia hedh përqafe dhe si me shaka e puth në buzët gjysmë të hapura. Ajo çlirohet ngadalë, ia largon dorën nga gjunjët.
– Ç’pate? U fyeve?
Ajo ngjesh zverkun pas shtalkës së dritares dhe ai, dallon se si ajo duke kafshuar buzën, përmban lotët.
– Po ç’keni pra kështu?
– Oh, lermëni të qetë. . .
– Po çfarë ndodhi pra ?
Ajo pëshpërin:
– Asgjë. . .
Dhe teksa kërcen nga parvazi, lëshohet me vrap.
Ai ngre supet:
– Budallaçkë gjer në shenjtëri!
Përktheu nga origjinali: Agron Tufa
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu