Temporal
Skender Gjinushi 25 vjet kryetar partie, po të tjerët?
Nëse do të rikonfirmohet në kongresin e 19 marsit, Edi Rama do të hyjë në histori si një prej kryetarëve më “jetëgjatë” të partive politike në Shqipëri.
Ai e drejton Partinë Socialiste prej 11 vjetësh. Dhe me rikonfirmimin, që sipas të gjitha gjasave do të ndodhë, do të sigurojë një tjetër mandat 4 –vjeçar, duke i çuar në 16 vitet në drejtimin e kësaj force politike.
Ai do të jetë kështu më “jetëgjati” ndër krerët e partive politike në Shqipërinë postkumuniste, duke rivalizuar vetëm me krerët e disa partive, që në fizionominë e tyre nuk kanë asgjë më shumë se kryetari, si partia e Skënder Gjinushit apo Lufter Xhuvelit.
Siç shpjegon tabela e mëposhtme, e hartuar nga Afrim Krasniqi, Edi Rama do të numërojë 16 vjet në krye të PS. Sali Berisha, i kritikuar si një prej politikanëve pa rivalë në PD, e ka drejtuar këtë forcë politike për 13 vjet. Skënder Gjinushi është prej 25 vjetësh në krye të PSD. Lufter Xhuveli e drejton prej 25 vjetësh Partinë Agrare. 20 vjet bëri Neritan Ceka në krye të PAD, ndërsa Fatmir Mediu është prej 17 vjetësh në krye të PR dhe Ekrem Spahia qëndroi 15 vjet në drejtimin e PLL. Edi Rama do të jetë në krye të PS edhe më shumë se Fatos Nano, i cili numëron 14 vjet si kryetar i saj.
Dhe nëse statuti i PS nuk do të pësojë të tjera ndryshime për të favorizuar, siç ndodh vitet e fundit, jetëgjatësinë e Ramës si kryetar, atëherë ai fare lehtë mund të pretendojë të thyejë edhe rekordet e Gjinushit e Xhuvelit dhe t’i afrohet Enver Hoxhës.
Në këtë rrugë, Rama nuk do ta ketë të vështirë të thyejë edhe Ilir Metën, i cili ka 12 vjet në krye të LSI dhe që për të legjitimuar veten në drejtimin e partisë nxjerr herë pas here kandidatë të tillë si Luan Rama që garoi në zgjedhjet e vitit 2012, ashtu siç bëri Rama me Maqo Lakrorin në 2009
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu