Lidhu me ne

Temporal

Stambolli, një përrallë vjeshte

koloreto-cukali_0
Kur duan të flasin për politikë, stambollitët i vendosin telefonat në një tavolinë larg. Tashmë dihet, edhe kur janë të fikur, smartphone-t mund të kthehen në vegla përgjimi. Dhe shteti i Erdoganit nuk ka skrupuj të përdorë të gjitha mjetet, edhe të paligjshme, për të futur brenda disidentët dhe për të betonizuar pushtetin.
Në biseda, aq njerëz sa pranuan të shprehen, mund të kuptosh se sa shumë ua ka ulur kokën diktatori atij populli, dikur aq të gjallë. Ai i shtyp protestat me dhunë, ai mobilizon militantë islamikë që e duan më shumë se babanë fizik për t’i ndërsyer ndaj protestuesve, ai bllokon rrjetet sociale, ai përgjon këdo dhe arreston këdo, ai do të rivendosë dënimin me vdekje. Madje, ka vendosur të mos ndërrojë as orën, ndoshta thjesht për karshillëk ndaj pjesës tjetër të botës. Fotot e Kemal Ataturkut janë rralluar nëpër vende publike. Erdogan do preferonte, si gjithë diktatorët, si dhe Edi K. Rama, që historia nis me të.
Erdogan është pjesë e një vale regresi që duket e pandalshme në vendet e pakonsoliduara të lindjes, të të gjitha lindjeve, asaj europiane, të mesme apo të largët, ku njerëz me prirje autoritariste ia dolën të shartojnë modelin e diktaturave komuniste me demokracinë, duke e mbajtur diktaturën në këmbë me vota. Problemi është që pasi i ke vënë një herë prangat në dorë, qoftë edhe për shaka, qenka shumë vështirë t’i heqësh.
Më kujtohet Mero Baze i datës 3 Prill 2013, që në editorialin “Më kokulur”, u shkruante Ramës dhe Metës, të sapofejuar, “…më kokulur kur dilni para kamerave. Aq kokulur, sa të paktën të mos na shihni në sy, se ndoshta ua falim, ngaqë radhën për të ikur e ka Berisha”.
Ky ishte kanalizimi i zhgënjimit pas aleancës amorale të 1 prillit se, pasi të heqim qafe Berishën, i cili kishte radhën, do heqim qafe këdo tjetër që do të na marrë nëpër këmbë si ai. Dhe ja ku jemi, me prespektivën që diktatori i vogël i Ballkanit, byrazeri i Erdoganit, t’ia tejkalojë edhe Berishës në pushtet.
Tirana brenda Stambollit
Stambolli i sotëm më kujtoi Tiranën. Në vende pa qytetarë, si ne, shpresa mbetet që vendet me qytetarë të ndërhyjnë. Evropa, me një fjalë, ose Amerika. Në Turqi, të pamundur për t’ia dalë diktaturës me vota ose me protesta, sepse ajo i manipulon të dyja, njerëzit kanë filluar të ikin me mijëra. Si tek ne. Alternativa tjetër është të presin vdekjen e Erdoganit siç prisnim ne të Berishës. Siç do presim ne të Ramës, pastaj do presim të Veliajt, e me radhë… Siç presin të sëmurët terminalë heqjen e tumorit, duke mbajtur shpresë. Enveri na tregoi që diktatorët vdesin shumë vonë, më vonë se ne.
Sjellja e Erdoganit pas grushtit të shtetit i ngjan shumë asaj të Berishës pas 21 janarit. Sjellja e tij para grushtit i ngjante si dy pika asaj të Edi K. Ramës tani.
Agresioni ndaj mediave, blerja e mediave, injorimi i protestave, zhdukja e të vërtetës dhe ngritja e kultit të njeriut që punon dhe po ndërton “shtet”. Ndërkohë me mijëra turq e shqiptarë ikin në perëndim, dhe mbeten vetëm ata që nuk kanë mundësi të ikin, ose ata që janë nënshtruar tashmë dhe përpiqen thjesht të mbijetojnë.
Rama nuk ka nevojë të arrestojë kryeredaktorë mediash opozitare, sepse thjesht ata nuk ekzistojnë. Mjaftohet që të heqë nga ekrani çdo lajm që nuk i pëlqen. Dhe askush nuk proteston. Por dhe po të protestonte, ju nuk do ta merrnit vesh, sepse nuk do të dalë në lajme. Krahasuar me Erdoganin, Edi K. Rama është me fat. Nuk ka fare ushtri që të mund t’i bëjë puçe, e as traditë sekulariste ose opozitare që t’i dalë përballë. Ne nuk kemi as filozofë (skolastikë ose urbanë) që të na shërbejnë si pika referimi.
Turpi i Europës
Ndërsa isha atje, Erdogan arrestoi kryeredaktorin dhe gazetarët e Cumhuriyet, si pjesë e strategjisë për të shuar çdo zë opozitar. Kjo është ekuivalente sikur Theresa May të arrestonte kryeredaktorin e Guardian, apo Merkel të fuste në burg krejt stafin e Der Spiegel. Megjithatë Merkel hesht.
Deri më tani, Erdogani ka arrestuar  37 mijë njerëz, pas grushtit të dështuar të shtetit, ka pushuar mbi 100 mijë nga puna në administratën shtetërore, ka mbyllur 170 media opozitare. Dhe Europa hesht.
Ajo që po ndodh në Turqi është shumë europiane, por Europa hesht. Kompromisi i Europës me Erdoganin më kujton kompromiset që ambasadorët amerikanë e liderët europianë bëjnë me diktatorin tonë të radhës, për arsye që nuk do i marrim vesh kurrë.
Ata që dinë të lexojnë ngjarjet e kanë kuptuar që ligji për plehrat ishte një qokë për kushedi se kë nga ndërkombëtarët. Ndaj nuk e pamë as Ambasadorin amerikan e as ndonjë europian të dalë e të shprehet. Shpresa që ne mbajmë tek Europa është një tallje me veten. Europa na ka lënë e do të na lërë në baltë për një diktator që u jep atë që duan. Si Erdoganin. Europa ka depresionin e vet dhe nuk ka kohë as energji të merret me depresionin tonë.
Bella Ciao
Depresioni lexohet qartë në rrugët e Stambollit, një qyteti ku kam qenë me dhjetëra herë, po kurrë nuk e kam parë kështu. Hotelet e mrekullueshme me emra që evokojnë kohët e Agata Kristit tani lëshojnë dhoma me çmimet e një moteli të zvjerdhur në Tiranë. Dyqanet, thuajse bosh. Allçaku, një shitës flokëgjatë që ka jetuar në Këln, nuk mund ta besojë se ne kënaqemi kur e vizitojmë Stambollin.
“Pse vini këtu?” është pyetja e atij që jeton brenda burgut. Në rrugicat e Istiklalit 3- 4 të rinj, po shumë të rinj, këndojnë pas mesnate “Bella Ciao”. Edhe në Tiranë këndohej Bella Ciao përpara monstrës së betonit në park. Por diktatorëve nuk u bëhet shumë vonë për këngët e revolucionit. Ata kanë mbështetjen e kompanive të betonit me të cilat blejnë mediat dhe të vërtetën. Bashkia e Tiranës arriti ta kthente një krim urban e ekologjik në një propagandë për gjoja një park fëmijësh.
Rama, shembi stadiumin në mënyrë të jashtëligjshme, kundërshtuar nga të gjithë e dukshëm për aferë korruptive. E bëri fakt të kryer, sepse mendimi juaj e i imi nuk kanë vlerë për të. Këto janë Gezi parku jonë, por ne nuk jemi turq, dhe ne nuk protestojmë. Ne jemi dembelë, sipas Kryeministrit, dhe këtu ka të drejtë, jemi shumë dembelë për të rezistuar.
Eyüp, është një lagje që e shëtisim më këmbë. Më habisin rrugët e mbushura me vajza e deri fëmijë të mbuluar me ferexhe. Kurrë nuk kam parë kaq shumë ferexhe në Stamboll, sa këtë herë. Përveç arkitekturës, ajo lagje e ata njerëz ndjellin trishtim. Më këshillojnë të mos puthem me gruan në rrugë: lagjia e Erdoganit, më thonë për këtë lagje ku partia e tij fiton shumicën. Edhe ne i kemi “lagjet e Ramës”. Zonat, ku nuk ka rëndësi e vërteta, ku votohet gjithmonë njëlloj, ku ndryshimi nuk bën sens e ku e ardhmja është vetëm nën liderin.
Duke i blerë mediat, duke deformuar të vërtetën, duke shpërfillur ndjeshmëritë publike e duke na vjedhur atdheun, duke paketuar para e milionerë të dyshimtë për zgjedhjet, duke i mbajtur masat në injorancë diktatorët kanë të njëjtën fytyrë.
Sfida jonë e fundit është që, ose të luftojmë për kaq pak sa na ka mbetur, ose të shkojmë e ta këndojmë Bella Ciao-n diku tjetër. Atje, ku nuk ka nevojë, sepse nuk ka as Ramë e as Erdogan. Miku im, Allçak, do iu sugjeronte Këlnin.
/marre nga lapsi.al/
Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Kritike16 orë më herët

Nuk e ka fajin fëmija që nuk lexon, por prindërit!

“Djali im nuk ka vullnet dhe nuk mëson asgjë”. Unë i them vazhdimisht po pse more nuk mëson, po mëso...

Sport17 orë më herët

Jude Bellingham është lojtari më i shtrenjtë në botë, vlen 251.4 mln euro!

Sipas Observatorit të Futbollit të Qendrës Ndërkombëtare për Studime Sportive (Cies), mesfushori anglez i Real Madridit, Jude Bellingham është aktualisht...

Radar17 orë më herët

Berisha shkatërron shpresat e Mul Nokës: Sa të kem jetë do jem në politikë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka dërguar një mesazh të fortë për ata që mendojnë se ai mund të largohet nga skena...

Aktualitet18 orë më herët

Tjetër instalacion në kryeqytet, Tirana Moons vendoset tek Politekniku

Në relacionin arkitektonik, struktura modulare “Hënë” është një pavijon sferik i bërë kryesisht prej druri dhe pëlhure. Foto ilustruese Tirana...

Mix18 orë më herët

Sekreti i rënies nga pesha – Kur duhet të hani mëngjesin dhe darkën

Ushqyerja është një aspekt shumë i rëndësishëm i shëndetit të organizmit. Krahas saj, koha e ushqyerjes është po aq e...

Mix18 orë më herët

Blackstone do investojë 300 milion dollarë në kompaninë e Inteligjencës Artificiale

Blackstone po investon në një kompani që i ndihmon organizatat të ruajnë dhe analizojnë në mënyrë më efikase sasi të...

Mix18 orë më herët

Il Ragazzo Dai Pantaloni Rosa, një film për bullizmin dhe pasojat e tij ishte më i ndjekuri i 2024 në Itali

70 milionë spektatorë vetëm në kinema në vitin 2024. Një shifër e përgjithshme prej rreth 493.9 milionë eurosh për një...

Mix19 orë më herët

Brooke Shields: Doktori më bëri operacion në pjesët intime pa aprovimin tim

Brooke Shields ka shkruar një libër autobiografik, i cili del të martën e 14 janarit në shitje. Mes shumë rrëfimeve...

Mix19 orë më herët

Jessica Alba divorcohet pas 17 viteve martesë

Jessica Alba dhe Cash Warren ndahen. Aktorja ka folur gjithmonë për marrëdhënien e tyre si shokë dhomë. Prej pak orësh...

Mix19 orë më herët

A e dini emrin e vërtetë të personazhit më të komentuar të momentit, Gjesti?

Këngëtari dhe ish-banori i “Big Brother VIP Kosova”, Gjesti, ka surprizuar publikun me lëvizjen e tij më të fundit. Vetëm...

Facebook