Kryesore
Arrestohet vajza me sy jeshile e kopertinës më të famshme në botë
Një vajzë afgane, e cila është përjetësuar në një kopertinë të revistës “National Geographic”, është arrestuar të mërkurën në Pakistan, pasi jetonte aty me dokumente false.
Sharbat Gula u fotografua në vitin 1984 në një kamp refugjatësh në Pakistan nga Steve McCurry.
Kopertina e asaj kohe mund të jetë ndoshta kopertina më e famshme në botë.
Por tani ajo rrezikon 14 vite burg.
Gula, tani rreth 40 vjeç, u arrestua pas një hetimi dyvjeçar.
Zyrtarët thanë se ajo u arrestua pasi kishte një kartë identiteti false.
Ajo ishte shpallur në kërkim dhe u arrestua të mërkurën.
Nën hetim janë edhe zyrtarët që kanë lëshuar dokumentin.
Megjithatë, familjarët e saj thonë se ajo është refugjate dhe viktimë e destabilitetit në një rajon të goditur nga luftimet.
“Ajo është thjesht një grua analfabete. Sharbat duhej të kthehej në Afganistan në fillim të verës, por banorët e fshatit të saj të lindjes janë larguar për shkak të Shtetit Islamik,” tha një i afërm.
Me shumë gjasë ajo nuk do e kryejë një dënim të tillë pasi shumë afganë janë deportuar përpara se të dërgohen në burg.
Fotoja e kopertinës së famshme u bë në vitin 1984.
Në atë kohë ajo ishte refugjate në Pakistan pasi ishte larguar nga Afganistani për shkak të pushtimit sovjetik.
Fotografi McCurry e gjurmoi atë edhe më vonë dhe në vitin 2002 e gjeti në një fshat të humbur afgan.
Ajo ishte martuar me një bukëpjekës dhe kishte lindur tre vajza.
Si myslimane, asaj nuk i lejohej të takonte fotografin, prandaj revista dërgoi një ndihmëse femër për të bërë një tjetër set me foto.
McCurry tha se e njohu menjëherë për shkak të syve.
Pas arrestimit të saj, fotografi tha se do bëjë gjithçka të jetë e mundur për të ofruar ndihmë ligjore dhe financiare për të dhe familjen e saj.
“Arrestimi i saj është një dhunim i hapur i të drejtave të saj,” tha ai.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu