Kryesore
Si do llogariten pikët për të fituar universitetin
Mesatarja e shkollës së mesme, mesatarja e Maturës Shtetërore dhe 5 lëndët prioritet të përzgjedhura do jenë vendimtare në përzgjedhjen e maturantëve që do fitojnë të drejtën për të vijuar studimet e larta në një nga degët e mjekësisë. Pas Universitetit të Tiranës, edhe Universiteti i Mjekësisë ka detajuar kriteret që do të zbatohen për ciklin e ri të pranimeve që do të përzgjidhen përgjatë vitit akademik 2016-2017. Sipas kushteve të vendosura në ligjin e arsimit të lartë, edhe për programet e këtij universiteti, në garë do të hyjnë vetëm maturantët që kanë mesataren 6 e lart. Kusht, i cili shërben si kriteri bazë që duhet të plotësojnë të gjithë maturantët që duan të vijojnë më tej garën për të fituar studimet e larta, pavarësisht faktit se në cilin prej universiteteve do konkurrojnë. Më pas, vetë fakultetet e mjekësisë do të zbatojnë kriteret shtesë të përcaktuara nga Universiteti, për përzgjedhjen e maturantëve që plotësojnë kushtet për të marrë statusin e “studentit”. Kështu, shpallja e fituesve në programet e mjekësisë do bëhet sipas ndikimit të notës mesatare të shkollës së mesme, pesha e të cilës është përcaktuar në masën 35 për qind, sipas notës mesatare të Maturës Shtetërore, ku pesha e saj do jetë po në masën 35 për qind. Nga ana tjetër, Universiteti i Mjekësisë ka përcaktuar edhe lëndët prioritet që do të merren në konsideratë për kandidatët që duan të ndjekin studimet në programet e mjekësisë, ndikimi i të cilave në formulën finale të shpalljes së fituesve llogaritet në masën 30 për qind, (kjo përqindje ndahet në mënyrë të detajuar sipas rëndësisë që i jepet secilës lëndë të konsideruar prioritet). Sipas vendimit të marrë, 5 janë lëndët që do të jenë bazë në përzgjedhjen e fituesve që duan të konkurrojnë për të fituar studimet në programet e mjekësisë. Konkretisht bëhet fjalë për dy lëndët bazë që janë Biologjia dhe Kimia, ku secila prej tyre vlerësohet me 10 për qind të ndikimit që do të ketë në përzgjedhjen e fituesve, Fizika do jetë me 6 për qind të peshës, ndërsa dy lëndët e mbetura sociologjia dhe filozofia vlerësohen secila me 2 për qind të peshës në përzgjedhje. Për vite me radhë gara ndërmjet maturantëve që kanë konkurruar për të fituar studimet në një nga programet e mjekësisë ka qenë e fortë. Në listat e fituesve janë pranuar kandidatët që kanë pasur nivelin më të lartë të pikëve të siguruara nga provimet e Maturës Shtetërore dhe mesatares së shkollës së mesme. Në programet e këtij universiteti janë pranuar kandidatë me mbi 6500 pikë, rezultat i cili tregon se maturanti që ka fituar këto programe ka marrë rezultate të larta në të 5 provimet e detyruara dhe me zgjedhje të maturës. Me kushtet e vendosura, pritet që edhe në pranimet e vitit të ri akademik, në degët e mjekësisë të shkojnë maturantët që jo vetëm kanë mesatare të lartë, por do të dalin mirë edhe në provimet e maturës. Aktualisht në shkollat e mesme të vendit kanë nisur përgatitjet për provimet e detyruara të maturës shtetërore. Ndërkohë që pas shpalljes së formularit A1 dhe A1Z do të iniciojë edhe përgatitja finale për provimet me zgjedhje, rezultatet e të cilave për degët e mjekësisë duket se do të jenë shumë të rëndësishme. Pak ditë më parë autoritetet e arsimit kanë deklaruar se maturantët e 2016-ës, përgjatë këtij procesi do të plotësojnë vetëm formularin A1 dhe A1Z. Risi është se ky formular do të plotësohet nga të gjithë maturantët, pavarësisht faktit nëse ata duan të konkurrojnë për të fituar studimet e larta në një fakultetet publik, apo privat.
Pranimet në ciklin 3-vjeçar “Bachelor” sipas ligjit të ri
Viti i ri akademik do të nisë me një sërë ndryshimesh sa i takon organizimit të studimeve të larta. Ndryshime të diktuara edhe nga hyrja në fuqi e Ligjit të Arsimit të Lartë. Lidhur me pranimet në ciklin e parë të studimeve, ligji përcakton se ky proces do të jetë i mundur për çdo kandidat që ka përfunduar me sukses studimet e shkollës së mesme, dhe që plotëson kriterin e notës mesatare të vendosur nga qeveria, si kriter për të hyrë në garë për të fituar universitetin. Duke qenë se ky kriter zbatohet për herë të parë gjatë këtij viti, si dhe për të mos penalizuar maturantët, është propozuar që si mesatare dysheme të vendoset nota 6. Çka do të thotë se të gjithë maturantët që janë me mesatare poshtë kësaj note nuk mund të ndjekin studime të larta. Për këto kategori do të mundësohet formimi i tyre në programet e arsimit profesional, degët e të cilave janë mjaft të kërkuara nga tregu i punës. Për maturantët që do të fitojnë universitetin, ligji përcakton sasia normale e krediteve që duhet të grumbullojnë gjatë një viti akademik do jetë 60 kredite. Kohëzgjatja maksimale e studimeve në një program studimi nuk mund të jetë më shumë se dyfishi i kohëzgjatjes normale të studimeve që parashikon programi, pa marrë në konsideratë periudhën e kohës kur studenti i ka pezulluar studimet. Po sipas kushteve të vendosura në ligj, studenti, që nuk arrin të përfundojë studimet brenda kohëzgjatjes maksimale të programit, ka të drejtë të aplikojë për të rifilluar studimet, në të njëjtin program studimi ose në një program tjetër. Ai u nënshtrohet kritereve dhe procedurave të shpallura për regjistrimin në programin e studimit të institucionit pritës. Kreditet e grumbulluara nga studenti gjatë periudhës së mëparshme të studimeve mund të transferohen, me vendim të njësisë bazë të institucionit që pranon studentin, sipas kritereve të përcaktuara në rregulloren e saj.
Njehsimi i periudhave të studimit
Lidhur me njehsimin e periudhave studimore të kryera ndërmjet institucioneve të ndryshme të arsimit të lartë, në ligj përcaktohet se universitetet edhe për pranimet e vitit të ri akademik 2016-2017 do të ofrojnë mundësi (nëpërmjet kuotave të përcaktuara) për njohjen e krediteve dhe transferimin e studimeve. Ky proces do të bëhet vetëm midis programeve të të njëjtit cikël studimi, brenda të njëjtit institucion apo institucioneve të ndryshme të arsimit të lartë qofshin këto publike, apo private. Periudhat e studimit dhe detyrimet e programeve të studimit, të shlyera në institucione të tjera të vendit ose të huaja, njihen dhe njësohen, nga pikëpamja e së drejtës për të vazhduar arsimimin, në një program studimi të njëjtë, ose të ngjashëm. Ligji specifikon se njohja kryhet nga institucioni i arsimit të lartë, pranë të cilit është paraqitur kërkesa për vazhdimin e studimeve. “Transferimet lejohen brenda të njëjtit cikël studimi e në fusha studimi të njëjta ose të përafërta dhe vetëm në fillim të vitit akademik. Kriteret e procedurat e njohjes së krediteve dhe transferimi i studimeve përcaktohen në rregulloren e njësisë bazë të universitetit. Vendimi për njohjen e plotë ose të pjesshme të krediteve të fituara nga një student që transferohet, më qëllim vazhdimin e studimeve në institucionin pritës të arsimit të lartë, i takon komisionit përkatës, të ngritur nga njësia bazë e institucionit të arsimit të lartë”, bëhet me dije në nenin 89 të Ligjit për Arsimin e Lartë.
Universitetet mund të rekrutojnë edhe staf akademik ndihmës
Krahas stafeve akademike me kohë të plotë, universitetet kanë të drejtë që të punësojnë edhe personel ndihmës-akademik. Përzgjedhja e tyre bëhet me konkurrim të hapur, sipas nevojave të shpallura nga vetë universiteti. Sipas përcaktimeve të bëra në ligj, personeli ndihmës-akademik ndahet në personel me karakter mësimor dhe personel ndihmës me karakter administrativ. Personeli ndihmës-akademik me karakter mësimor do të kontribuojë në realizimin dhe mbështetjen e veprimtarive të mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor, sipas programeve të detajuara nga vetë institucioni i arsimit të lartë. Këta punonjës konsiderohen pjesë e njësisë bazë dhe ndihmojnë në mbështetjen e veprimtarive mësimore të universitetit. Konkretisht, në këtë kategori futen laborantët dhe teknikët, si dhe personel tjetër, sipas përcaktimeve të bëra në aktet e brendshme të institucionit. Ndërsa personeli ndihmës me karakter administrativ ndihmon në realizimin dhe mbështetjen e veprimtarive të mësimdhënies, kërkimit shkencor, si dhe zhvillimit të institucionit të arsimit të lartë në nivel njësie bazë, njësie kryesore ose në nivel institucional. “Kriteret e punësimit të personelit ndihmës-akademik, me kohë të plotë, propozohen nga njësia së cilës ky personel i shërben, bazuar në nevojat e kësaj të fundit. Konkursi në institucionet e arsimit të lartë drejtohet nga një komision ad-hoc, i përbërë në shumicë nga përfaqësues të njësisë përkatëse. Rregullat dhe procedurat për përzgjedhjen e anëtarëve të komisionit ad-hoc, si edhe të përzgjedhjes së personelit ndihmës-akademik caktohen në aktet e brendshme të universitetit”, sqarohet në ligjin e arsimit të lartë.
Nis shpallja e kandidaturave për Këshillin Kombëtar të Shoqërisë Civile
Nis puna për ngritjen e Këshillit Kombëtar të Shoqërisë Civile. Do të jetë votimi online që do të bëjë përzgjedhjen finale të përfaqësisë së këtij këshilli. Kreu i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, ka theksuar ditën e djeshme se çdo përfaqësues nga shoqatat apo organizatat jofitimprurëse, që plotëson kriteret ligjore, e që kërkon të bëhet pjesë e Këshillit Kombëtar të Shoqërisë Civile, duhet të paraqesë kandidaturën e tij. Më pas, kandidatura do të nominohet dhe votohet nëpërmjet një procesi online në internet. Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të këtij këshilli është iniciuar gjatë ditës së djeshme në një aktivitet të zhvilluar me përfaqësues të shoqërisë civile dhe drejtues të Agjencisë së Shoqërisë Civile. “Do donim shumë që t’u largoheshim praktikave ku të gjithë ankohen që nuk kemi marrë informacion. Do doja shumë që të isha transparent për të gjithë ata që duan të marrin pjesë në këtë këshill, dhe po ashtu do të doja që askush, për çfarëdo lloj arsyeje, të mos ishte pjesë e procesit të votimit dhe përzgjedhjes së atyre përfaqësuesve të denjë të shoqërisë civile, të cilët do të jenë pjesë e debatit me strukturat qeveritare”, theksoi ministri Klosi. Më tej, ai shtoi se vetëm duke pasur një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, do mundet të krijohet një këshill që t’u shërbejë vërtet interesave të shoqërisë civile, si dhe të këshillojë qeverinë për marrëdhëniet dhe politikat për këtë grupim, kryesisht për zhvillimin e marrëdhënieve të partneritetit dhe bashkëpunimin midis qeverisë dhe organizatave të shoqërisë Civile, krijimin e një shoqërie civile të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, zhvillimin e kapitalit social dhe detyrime të tjera shumë të rëndësishme për të cilat angazhohet ajo. Kalendari i veprimeve në kuadër të këtij procesi parashikon që nga data 5 deri në 12 shkurt të jetë periudhë për paraqitjen dhe nominimin online të kandidatëve për anëtarë të këshillit. Ndërkohë që nga dita e djeshme është konfirmuar edhe ngritja e një komisioni ad-hoc zgjedhor, në përbërje të cilit do të ketë edhe përfaqësues ndërkombëtar. Ndërkohë që nga data 13 shkurt do bëhet publikimi i kandidaturave të kualifikuara gjatë nominimeve, ndërsa shpallja e fituesve pritet të bëhet me 25 shkurt. Këshilli Kombëtar i Shoqërisë Civile do të ketë 27 anëtarë, 13 nga të cilët do të jenë përfaqësues të nivelit të lartë drejtues të institucioneve publike, 13 përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe një përfaqësues nga komuniteti i biznesit. Drejtimi i këtij këshilli do të bëhet nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Kërkohet mbyllja e 937 shkollave të fshatrave, nuk kanë nxënës
Janë me qindra shkollat e arsimit parauniversitar që zhvillojnë mësim me një numër shumë të vogël nxënësish. Verifikimet e bëra nga autoritetet e arsimit thonë se këto shkolla që funksionojnë kryesisht nëpër fshatrat e largëta të vendit zhvillojnë mësim për jo më shumë se 35 nxënës në total. Numërohen rreth 937 shkolla të arsimit parauniversitar në të gjithë vendin, në të cilat numri i nxënësve që mësojnë është shumë i vogël. Kundrejt kësaj situate, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, bëri me dije se do të bëhet mbyllja e tyre. Si zgjidhje, ministrja tha se shkollat do të grupohen, pra dy fshatra me të njëjtën shkollë. Ende nuk dihet se si do të zgjidhet problemi i transportit veçanërisht në dimër. “Këto shkolla duhet të grupohen në bazë të afërsive”, vuri në dukje ministrja Nikollla. Lëvizjet brenda vendit, por edhe ikjet e shumta jashtë kanë shkaktuar uljen e numrit të nxënësve nëpër shkolla. Ministrja shtoi më tej se kalimi i kompetencave dhe i disa funksioneve tek vendorët duke ju referuar dhe miratimit të buxhetit të ri, do të rrisë cilësinë dhe bashkëpunimin mes qeverisjes vendore dhe asaj qendrore. Kjo gjë do të ndikojë edhe në përmirësimin e cilësisë në arsimin parauniversitar.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu