Aktualitet
Luftë brenda llojit
Ish deputeti socialist Koço Kokëdhima vijon të sulmojë ministrin e brendshëm Saimir Tahiri. Me anë të një shkrimi në gazetën e tij “Shekulli” Kokëdhima e akuzon ministrin se po fsheh vrasjet që lidhen me pazaret e kanabisit.
“Kanabisi është kthyer kohëve të fundit në një burim të frikshëm konfliktesh të përgjakshme. Prej kohësh, pazaret e drogës janë arma vrasëse e shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit. Kanë krijuar konflikte të dhunshme dhe hakmarrje me familje dhe fise që tentojnë shfarosjen. Por kur bëhet fjalë për ngjarje të rënda kriminale, për të cilat pak kemi kurajën të hulumtojmë, kjo për shkak të implikimit gjithnjë të segmenteve të caktuara mafioze që kanë mbështetje edhe nga segmente shtetërore, policia, prokuroria, media pajtohen me një fakt: Vrasje për larje hesapesh! Këtu mbyllet historia e një viktime, e nis tjetra, kaq”, shkruhet në shkrimin e “Shekullit”.
“Ndërsa këtë vit u shfaq një dukuri e çuditshme; vrasjet për kanabis, më saktë për parcelat e hashashit, për zotërim zone e tregu, lëvizshmëri çmimesh e pazaresh, deri te spiunim apo lidhje me segmente të policisë lokale që kanë çuar në eliminim kundërshtarësh”, vijon shkrimi që shton se deri tani numërohen 7 viktima nga përplasjet për kanabisin, por që publikohen nga Policia si vrasje banale shpeshherë.
Kjo nuk është hera e parë që Kokëdhima nëpërmjet mediave të tij sulmon ministrin e brendshëm Saimir Tahiri.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu