Radar
Kontrata 6 mln dollarëshe e PD, Rama pyet Berishën: Pse duheshin kaq para kur ishte “komploti” im dhe i Soros?

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar kreun e PD, Sali Berisha teksa komentoi nisjen e hetimeve të SPAK të kontratës 6 milionë dollarë në SHBA.
Rama u ndal te lobimi i Partisë Demokratike në SHBA, të cilin e cilësoi si përpjekje për të pastruar baltën nga bufi i kënetës.
“Një kontratë patriotike, janë mbledhur disa patriotë që nuk dihet se kush janë dhe kanë grumbulluar 6 mln dollarë për të pastruar damkën nga balli i bufit të kënetës, damkën e SHBA për korrupsion madhor.
Pse duheshin 6 mln dollar nëse ishte damka e një komploti e Sorosit me mua dhe duke shfrytëzuar vulën e SHBA-ve, pse duhej kontratë dhe këto 6 mln dollarë për të vendosur në vend një padrejtësi kaq e madhe që u tha se do të vihej sapo të vinte në pushtet Trump? Pse duhej kontrata që është ku e ku më e lebetishme se kontrata e Lulit të shkret që u bë copash për të justifikuar ato 500 mijë dollarët fantazmë. Edhe ai ashtu tha ‘disa patriotë’ për paratë që ishin të lidhur me Rusinë.
Por 500 mijë, këto janë 6 mln dollarë ku pjesë e zjarrit patriotik është edhe sjellja e Latifit në Tiranë për ti vendosur kapelën bufit në kokë. Dmth për të vendosur një kapele në kokë që të duket si Trump, por version më qesharak i mundshëm, Latifi ka marrë pjesën e tij në ato 6 mln dollarë që kanë dalë nga barku i kënetës dhe që synojnë të realizojnë ata që na u tha se ishte një gjë e realizuar”, tha Rama.