Mix
FOTO / Dasma madhështore e Mbretit Zog!

Më 27 prill 1938 Mbreti Zog i dha fund beqarisë, duke kurorëzuar martesën me mbretëreshën Geraldinë, përmes një dasme madhështore
Dasma nisi më 23 prill, me një pritje që Mbreti dhe Mbretëresha e ardhshme dhanë për trupin diplomatik dhe për gazetarët e huaj që kishin mbërritur në Tiranë. Shpenzimet e dasmës nuk u mësuan kurrë. Gazeta “Shtypi” e datës 24 prill të 1938 raportoi në faqen e parë: “Banka Kombëtare vuri në dispozicion të Sovranit 10.000 franga ari/me rastin e martesës së tij”.
Por shuma zyrtare ishte shumë më e vogël sesa ajo që derdhën individë dhe kompani private për këtë rast. Dasma u bë eveniment botëror. Hotelet e paktë të kryeqytetit qenë rezervuar për të ftuarit e Mbretit dhe 79 fotografët e gazetarët e ardhur nga e gjithë bota, përfshi Afrikën e Jugut, Argjentinën dhe Japoninë. Dhuratat zunë vendin kryesor në shtypin e huaj.
Çifti i sapomartuar udhëtoi në mbarim të ceremonive nga Tirana në Durrës me një “Mercedes” të hapur. Mijëra veta kishin dalë në anë të rrugës për të parë Mbretëreshën 21- vjeçare. Geraldina kujton se ata u ulën në verandë për një kafe, përpara se Mbreti t’i tregonte dhomën e madhe të pritjes të mobiluar sipas stilit klasik, dhomën e ngrënies sipas stilit perandorak të Napoleonit dhe dhomën e gjumit në stilin e Maria Terezës.
Pallati veror sapo ishte restauruar me rastin e martesës dhe Mbreti Zog mburrej për tavanin e gdhendur, larë në ar. Në të qenë shtruar sixhade të shtrenjta, pjesë e koleksionit të rrallë të Mbretit. Sixhadet qenë bashkë me armët një prej pasioneve të tij.
Zogu dhe Geraldina jetuan të pandarë për 23 vjet, derisa ai ndërroi jetë në Paris në prill 1961. Geraldina vdiq në Tiranë në tetor 2002. Në fund të jetës i ishte plotësuar amaneti i vetëm, të vdiste dhe të varrosej në vendin që i kishte vënë mbi kokë kurorën. Në vitin 2014, revista “The Richest” e shpalli atë mbretëreshën e pestë më të bukur në historinë e martesave mbretërore.