Kryesore
Rinia “kukull”, gënjeshtra e re e politikës Shqiptare!

Rinia “kukull”, gënjeshtra e re e politikës Shqiptare!
Tani që zgjedhjet po afrojnë në Shqipëri, televizonet dhe rrjetet sociale janë mbushur me “të rinj premtues”, që promovohen si “shpresa e re” e politikës. Po le ta themi troç: na keni hapur barkun me këtë gënjeshtër të madhe.
Na shiten si mendjet e ndritura të së ardhmes ata që s’kanë punuar asnjë ditë në jetë. S’kanë dhënë kontribut në profesion, s’kanë ndërtuar kurrë asgjë. Disa prej tyre mezi kanë mbaruar një shkollë, e të tjerë janë kthyer nga jashtë me diplomë në xhep dhe me një histori të lodhur në gojë:
“Mbarova jashtë, por u ktheva për t’ju shpëtuar.”
Realiteti? Asnjë vend normal s’të mban në kurriz pa dhënë produkt. Kur nuk i vlejnë askujt jashtë, kthehen këtu dhe e shesin kthimin si sakrificë. Në fakt është thjesht një vend për t’u strehuar në sistem – ku “puna” është të lexosh deklaratat e liderit dhe të brohorasësh në televizor.
Kush përfiton nga kjo farsë?
Nga njëra anë, liderët politikë që duan ushtarë të bindur, jo njerëz me mendje të lirë e me integritet.
Nga ana tjetër, këta të rinj parazitë, që zënë vende në parlament dhe paguhen majmë për të shitur teori boshe e për të recituar fjali që s’i kanë menduar kurrë vetë.
Politika nuk është trampolinë për fëmijët e ish-funksionarëve.
As karrierë për ata që janë shkolluar me lekët e babit, e tani duan të zëvendësojnë babin në Kuvend. Kjo nuk është meritokraci, është trashëgimi politike me emër tjetër.
Shpëtimi i këtij vendi nuk janë këta “të rinj”.
Shpëtimi janë të rinjtë që kanë punuar fort, që janë shkolluar në universitetet më të mira të botës, që kanë ndërtuar karrierë të ndershme dhe kanë kontribuar me vite në fushat e tyre. Ata që dinë të çojnë një projekt deri në fund, që kanë prodhuar vlera reale.
Ata janë të rinjtë që Shqipëria i ka me bollëk – por që politika i mban larg. Sepse janë të zotë, të pavarur, dhe nuk janë të komandueshëm.
Ndaj, mos na shisni përralla me “të rinjtë shpëtimtarë” të partive. Jepuni të rinjve vendin që meritojnë në ekonomi, në arsim, në teknologji. Politika u takon atyre që e kanë provuar veten në jetën reale – jo atyre që e kanë zëvendësuar jetën me teori.
/Podiumi.com – Media online prej vitit 2016