Radar
Basha “gango” jep rezultat, rritet në sondazhe drejt mandatit për deputet
Një publikim i fundit i Barometrit në Euronews Albania, i nxjerr euroatlantikët e Lulzim Bashës në radarin e partive që mund të marrin mandat

Politika është art. Është vendosmëri. Është kurajë. Karizëm. Aftësi argumentimi.
Në Shqipëri megjithatë mund edhe të jetë gjithçka tjetër përveç kësaj.
Lulzim Basha, dikur kreu i Partisë Demokratike, sot kreu i Demokratëve Euroatlantikë, merrte elozhe nga qytetarët e njohësit e politikës për formatin e tij “evropian” të të qenit politikan.
Ai kishte pjesën më të mirë të elementëve për t’u quajtur një politikan i mirëfilltë dhe për të bindur popullin ta votonte, edhe pse në gradën sa për t’u bërë kryeministër, nuk e arriti. Kjo, edhe pasi i mungonte shtylla kurrizore, elementi kyç për ta bërë lider fitues
Më pas, rënia nga karrigia e lartë e PD-së, u përkthye edhe në rënien e Bashës si personazh, për kohë i zhdukur nga jeta aktive, i strukur në publikime demode në media sociale, në pamundësi për të rrokur vëmendje reale.
Enter fushata zgjedhore 2025…
Një Lulzim Bashë tjetër shfaqet në skenë. Me flokë të kuruara si gjithnjë, por jo të përkryera, me një balluke herë-herë edhe të rënë.
Bluzë të thjeshta. Një xhaketë lëkure.
Në sfond dëgjohen këngë të një prej ikonave të muzikës rap në shqiptari, Unikkatilit.https://ads.albanianpost.com/www/delivery/afr.php?zoneid=7&cb=761464
I bën sfidë kryeministrit të vendit, Edi Rama, të cilin e sheh si rival politik.
Papritur, dueli kthehet në një “beef”, siç do të quhej në gjuhën e rrugës. Një sensacion i mediave sociale. Një “meme” kolektive që e rikthen Bashën në qendër të vëmendjes, për mirë ose për keq, por edhe kur është për keq, është për mirë.
Sepse – dëgjojeni mirë këtë – sondazhet e fundit e nxjerrin edhe deputet Bashën “gango”.
Një publikim i fundit i Barometrit në Euronews Albania, i nxjerr euroatlantikët e Lulzim Bashës në radarin e partive që mund të marrin mandat.

Në rang kombëtar, ai projektohet në 1.1%, gjë që e bën të kalojë pragun kombëtar të nevojshëm.
Në kushtet kur në votime mund të marrin pjesë 2 milionë shqiptarë (llogaritur edhe diasporën), kjo nënkupton 20 mijë vota për Bashën.
E duke qenë se ai kandidon në Tiranë, është e pranueshme të mendohet se simpatizantët më të mëdhenj të tij (dhe fushata që ai po bën) do të jenë në Tiranë dhe do t’i japin atij votën.
E me një prag që pritet të jetë diku te 13-14 mijë vota për kryeqytetin për të marrë mandatin, nuk është habi të shohim Bashën deputet sërish.
Ai madje, ndryshe nga parti të tjera të quajtura “të vogla”, ka rritje në muajin e fundit dhe mund të ketë edhe rritje të mëtejshme duke parë “lojën” me Ramën në media sociale.
Aq sa, një aksionar si Arlind Qori me Lëvizjen Bashkë, që bëjnë fushata të vazhdueshme kundër Qeverisë, arrijnë sipas Barometrit vetëm në 1.8% në rang kombëtar, duke i vënë edhe ata në pretendime vetëm për një deputet në Tiranë.
E vërtetë është megjithatë se edhe Basha ka një organizim strukturor rreth tij, një forcë politike të mirëfilltë, edhe të mirëfinancuar.
Por kjo, nuk i mjaftonte më parë. Atij i duhej thjesht të ishte “pak gango” për ta arritur pëlqyeshmërinë. Asgjë më shumë.
Në Shqipëri, duket se kaq mjafton.