Mix
Vera e kuqe nuk është e shëndetshme. Studimi: Nuk parandalon as kancerin, as sëmundjet e zemrës

Hulumtimet për lidhjen e saj me kancerin kanë nxjerrë një rezultat shumë befasues dhe një lajm të keq edhe për sëmundjet e zemrës.
Padyshim është një prej këshillave më të njohura për një jetë të shëndetshme që shumë prej nesh mbajmë mend– pini verë të kuqe (me masë) për të ulur rrezikun e sëmundjeve si kanceri, sëmundjet e zemrës dhe demenca.
Si pjesë e një diete e stilit mesdhetar (e cila është e pasur me vaj ulliri, peshk, perime dhe bishtajore), vera e kuqe ka gëzuar prej vitesh një reputacion si një nga sekretet për një jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme.
Studimet – shumica e tyre mbi kafshët – kanë treguar se një deri në dy gota çdo ditë gjatë vakteve mund të ulë rrezikun e disa lloje të kancerit, të mbrojë kundër sëmundjeve të zemrës dhe të zvogëlojë mundësitë për zhvillimin e demencës.
Por tani një studim i ri i publikuar në revistën Nutrients, ka arritur në përfundimin se vera e kuqe – edhe në masë të moderuar – nuk është më e mirë se vera e bardhë për të parandaluar kancerin. Në fakt, studimi zbuloi se asnjëra nuk ul rrezikun për asnjë lloj tumori.
Hulumtuesit nga Universiteti Brown në Rhode Island, SHBA, kanë analizuar të dhënat nga më shumë se 40 studimeve që shqyrtojnë marrëdhënien midis konsumimit të verës dhe kancerit te gati 100,000 njerëz.
Duke bashkuar të dhënat nga shumë studime të tilla, u arrit një rezultat më i fuqishëm sesa ato nga studime të vogla individuale – dhe në këtë rast, rezultati ishte përfundimtar.
Siç thanë hulumtuesit në raportin e tyre: “Ne nuk gjetëm ndonjë ndryshim mes tyre. Kjo sfidon besimin e zakonshëm se vera e kuqe është më e shëndetshme se vera e bardhë.”
Reputacioni i verës së kuqe si një mbrojtëse kundër kancerit ishte mbështetur në faktin se lëvorja e rrushit është e pasur me përbërës që përmirësojnë shëndetin, veçanërisht një antioksidantë të quajtur resveratrol, që sipas studimeve mund të parandalojë dëmtimin e qelizave të trupit që lejonë formimin e kancerit.
Rrushi i kuq ka përqendrime shumë më të larta të resveratrolit sesa ai i bardhi, prandaj ka pasur një reputacion luftues kundër kancerit.
Por nëse vera e kuqe është kaq e pasur me resveratrol – dhe testet në laborator tregojnë se mund të parandalojë zhvillimin e kancerit të gjirit, zorrës, lëkurës, stomakut dhe veshkave – pse tani duket se nuk ka asnjë efekt mbrojtës?
Një arsye e propozuar nga hulumtuesit amerikanë është se ndoshta alkooli vetë është kancerogjen (dmth. shkakton kancer), duke kundërshtuar çdo përfitim të mundshëm nga resveratroli.
Një shpjegim tjetër mund të jetë se resveratroli, pavarësisht se sa shumë konsumojmë, absorbohet dobët nga trupi. Në fakt, studimet tregojnë se 75 përqind e asaj që konsumojmë hiqet si mbetje para se të mund të vijë në kontakt me qelizat që mund të bëhen kancerogjene.
Kjo, thonë hulumtuesit, mund të shpjegojë pjesërisht pse gjithë efektet kundër tumoreve në laborator – dëshmojnë se resveratroli ka pak ose asnjë ndikim në kancerin në trupin e njeriut.
Përmbledhja e gjetjeve të tyre ishte: “Nivele të ulëta të resveratrolit pas konsumimit të verës së kuqe mund të mos rezultojnë në përqendrime bioefektive që sjellin ndryshime në rezultatet shëndetësore.”
Reputacioni i verës së kuqe nuk po shembet vetëm për kancerin. Disa vite më parë, vera e kuqe u shpall si e mirë për zemrën, por tani shumica e kardiologëve bien dakord se nuk ka prova të mira nga studimet në shkallë të gjerë që ajo mbron kundër sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru.
/Dailymail