Mix
Dasma e Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez ‘paralizon’ Venecian për tre ditë

Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez po përgatiten për një dasmë madhështore në Venecia, e cila do të zgjasë tre ditë, nga 24 deri më 26 qershor. Për këtë ngjarje janë rezervuar pesë hotele luksoze dhe të gjitha taksitë ujore të qytetit, duke e kthyer lagunën në një hapësirë ekskluzive për të ftuarit.
Çifti do të mbërrijë me superjahtin e tyre 500 milionë dollarësh, ndërsa për organizimin po kujdeset agjencia londineze Lanza & Baucina, e njohur për planifikimin e dasmave të mëdha, si ajo e vajzës së miliarderit indian Agarwal në 2011.
VIP-at e ftuar dhe spekulimet për Trump
Në listën e të ftuarve janë emra të njohur si Leonardo DiCaprio, Robert Pattinson, Barbra Streisand, Kris Jenner, Eva Longoria, Oprah Winfrey, Katy Perry dhe Orlando Bloom. Ka spekulime se mund të marrë pjesë edhe Donald Trump, duke qenë se Bezos dhe Sánchez ishin të pranishëm në ceremoninë e betimit të presidentit amerikan.
Masa të rrepta sigurie dhe lokacionet sekrete
Dasma e një prej njerëzve më të pasur të botës do të ketë masa sigurie në nivel presidencial. Organizatorët kanë planifikuar disa vende të ndryshme për eventet festive, për të shmangur publikun dhe për të garantuar privatësinë e çiftit dhe të ftuarve. Një nga opsionet është Fondacioni Cini në ishullin San Giorgio, ndërsa çifti ka shprehur dëshirën për një ambient tradicional, larg pallateve të mëdha të Kanalit të Madh.