Lidhu me ne

Kioske

Opozita, akoma larg një projekti për rrotacionin e pushtetit

Shkruar nga Preç Zogaj

Opozita, akoma larg një projekti për rrotacionin e pushtetit

Elita e partisë u la jashtë primareve. Një absurditet që goditi qysh në krye parimin e zgjedhjeve të drejta e të barabarta.

Me rikthimin në krye të partisë më të madhe opozitare Berishës i ra barra e ndërtimit të një projekti për rrotacionin e pushtetit në vend. E kishte dhe e ka faktor lehtësues konsumimin për tre mandate radhazi të Edi Ramës në krye të qeverisë. Duke pas hedhur e djegur në betejë kundër tij Lulzim Bashën, pa marrë vetë asnjë përgjegjësi si kryetar i kryetarit për tetë vite me radhë.

Kësisoj i bie të rikthehet si sfidant i freskët, pas një pauze dymbëdhjetëvjeçare, me shpresën të mbledhë gratis frytet e pakënaqësisë dhe veljes së shoqërisë me një kryeministër që rri kaq gjatë në qeveri, rrethuar me afera të shumta korruptive në hetim dhe në gjykim si asnjëherë në histori. Në fakt, me këtë bilanc të korrupsionit, qeveria e Ramës do të ishte parakaluar më kohë në sondazhe nga opozita PD-LSI e vitit 2021, kur doli me vetëm 37 mijë vota më pak, dhe sot do të ishte duke shkuar e sigurt drejt një fitoreje bindëse.

Berisha e prishi atë PD për arsyet që dihen. E rithemeloi, po të shprehemi me gjuhën e tij dhe tani u premton ndjekësve rikthimin për herë të tretë.

Mund të ishte kjo një kapriço e historisë. Politika ka njohur tek-tuk raste. Por është në lojë fuqishëm edhe një kapriço në inversin e së parës: Berisha të mundësojë në rolin e faktorit numër një fitoren e Ramës për herë të katërt në qeveri.

Në zgjedhjet vendore të para dy viteve koalicioni i madh i Berishës, Metës dhe gjithë partive të vogla aleate pësoi humbjen me të thellë në histori duke fituar vetëm gjashtë bashki, të gjitha të vogla, me përjashtim të Kavajës. Edhe pse PD zyrtare që drejtohej nga Enkelejd Alibeaj në ato zgjedhje mbështeti në nëntëdhjetë përqind të bashkive kandidatët e Berishës. Ky u justifikua se nuk kishte siglën, një mungesë e konsiderueshme, por jo sa të përligjte një humbje aq të madhe.

Rezultati i atyre zgjedhjeve, një test paraprak për zgjedhjet politike të këtij viti, duhej të kishte rënë si një kambanë alarmi për opozitën. Parasëgjithash për zotin Berisha, që mori edhe siglën e PD-së në qershor të vitit të kaluar.

Nga ky moment, i qetësuar dhe i shpërblyer në përpjekjen e tij, ai kishte gjithë kohën e nevojshme në dispozicion për të ndërtuar një projekt të rrotacionit të pushtetit. Kjo kërkonte vendime të forta, në funksion të bashkimit të madh të PD-së dhe rinovimit të lidershipit të saj për t’ju qasur shoqërisë shqiptare pa gjylet e problemeve të tij dhe aleatëve të tij nëpër këmbë. Qoftë me drejtësinë, qoftë me faktorin ndërkombëtar.

Asgjë e tillë nuk ndodhi. Përkundrazi.

PD u pajtua me ndryshimet ligjore në ligjin zgjedhor duke i mbyllur listat e kandidatëve për deputetë në një të tretën e tyre. Madje duke i “mbrojtur” të emëruarit pa garë të listës së mbyllur edhe nga vota nominale, siç ka qenë në zgjedhjet e vitit 2021. Që të mos merret vesh sa mbështetje kanë!

Në rrafshin retorik, PD e kishte përgatitur elektoratin opozitar se do të bënte diferencën me lista të hapura. Kur erdhi çasti i provës, e bëri me keq se sa ishte. Ky ishte autogoli i parë antielektoral që dha mesazhin se kasta partiake kishte vetëm një hall: si të sigurohet për vetë në shmangie të votës popullore, siç bën prej njëzet vjetësh.

E gjithë kjo e padiste si të dobët dhe pa besim ambicien e zotit Berisha sikur i interesonte vetëm një gjë: të ruante një opozitë të koracuar rreth tij, duke ua lënë rrethanave, rastësive a ndonjë dhurate të fatit rrotacionin eventual të pushtetit.

Në të vertetë PD nuk ka fituar tamam as një palë zgjedhje me ligjin elektoral të listave të mbyllura. Ajo nuk e ka vënë ujët në zjarr të analizojë: a mos vallë PS, së cilës i peshon më rëndë bishti se sqepari, e ka veç në favor këtë ligj? Kurse PD, që normalisht duhet ta ketë forcën te individi, e ka në disfavor?

Primaret, në vend që t’i zvogëlonin efektet e ligjit elektoral deledash, e thelluan më tej ndarjen mes “patricëve” të partisë që emërohen deputetë në pjesën e listës së mbyllur dhe “plebejve” të listës së hapur që duhet të mbajnë në kurriz të parët drejt bregut tjetër të lumit. Elita e partisë u la jashtë primareve. Një absurditet që goditi qysh në krye parimin e zgjedhjeve të drejta e të barabarta. Në një parti demokratike nuk mund të ketë ca të nënës ca të njerkës.

E gjithë kjo s’ka bërë gjë tjetër veçse i ka kthyer zotit Berisha shijen e dorovitjes a mosdorovitjes së atyre që presin me ankth çfarë do të vendosë ai për ta.

Por nuk mbaron me kaq. PD shtrëngohet t’u bëjë vend në listat e mbyllura kandidatëve të partive aleate të cilët në karrierën e tyre nuk i janë nënshtruar, së paku prej njëzet vjetësh, asnjë testi të votës popullore individuale. Përfshirja e tyre do të shtyjë kandidatë demokratë që kanë fituar më shumë vota në primare. Në Tiranë mund të mbesim në listën e mbyllur vetëm dy a tre syresh.

Një projekt i fitores së PD-së do të kishte kërkuar hapje ndaj shoqërisë si në përvojat më të mira të saj në të kaluarën; hapje ndaj rivalëve politikë në opozitë, brenda llojit apo jashtë llojit. Subjekte politike apo individë qofshin. Nuk mund të them cila do të kishte qenë përgjigja e tyre, por ai që udhëheq përpjekjen për rrotacion ka barrën të provojë kodo ku sheh mundësi, leverdi. Pa pritur t’i luten.

Aq më shumë në rastin e PD-së, ku fraktura e krijuar për shkak të vijës ndarëse që vuri sanksionimi non grata i zotit Berisha nga SHBA dhe Britania e Madhe, është përtej deputetëve dhe partiakëve që lëvizin për interesa pragmatike; është te një fashë anëtarësh dhe simpatizantësh që dinë të dallojnë çfarë është një vijë ndarëse parimore dhe një tjetër jo parimore. Këta nuk kanë asnjë instrument të hyjnë në brendi të mekanizmit amerikan apo britanik që prodhon sanksionimet. I marrin të mirëqenë sa të jetë në fuqi si vendime të aleatëve strategjikë dhe refuzojnë bashkimin si asimilim me një të kapërcyer të ylberit.

Koalicioni i zotit Berisha nuk befason në asgjë me politofoton e një bashkësie kryetarësh të përjetshëm, si në asnjë vend të planetit. Dhe në fakt nuk se pritej diçka ndryshe. Berisha mban vetë rekordin. Të vegjlit vetëm e imitojnë.

Ndërkaq, mesazhi më i qartë i projektit të tij është antielektoral: të sfidojë drejtësinë. Opsion tipik pakice. Ngado që ta marrësh, veprimet dhe qëndrimet e Berishës tregojnë se ka si merak të parë të mbajë radhët. Pastaj ç’të jetë shkruar. Turrë a jazë.

MË TEPËR

Mix14 orë më herët

Cilat janë 5 gjërat që njerëzit më të suksesshëm bëjnë çdo ditë?

Çdo ditë është një mundësi për të bërë përparim dhe për të rritur suksesin tuaj. Disa gjëra të thjeshta, por...

Kryesore15 orë më herët

“Politikisht je autik nëse voton kënetën”, Edi Rama kërkon falje për deklaratën: Krejt pa dashje

“Të zgjedhësh midis BE-së dhe kënetës, kënetën, domethënë nuk je mirë… Politikisht je autik, nuk je mirë”. Kështu u shpreh...

Radar15 orë më herët

“Fundërrinë, imoral, legen…” – Kush është njeriu që përçmon më shumë Monika Kryemadhi?

Deputetja Monika Kryemadhi ka ndarë në Quo Vadis në Vizion Plus detaje si nga jeta politike, por edhe personale. Ajo...

Kryesore1 ditë më herët

Edi Rama:Kush shkon tek këneta është, politikisht autik

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar burrat që mbështesin Sali Berishën, duke theksuar se kush shkon, sipas tij, në kënetë është gjysmak....

Mix1 ditë më herët

Nga pjeprat Hokkaido tek bifteku Kobe, 5 ushqimet më të shtrenjta në botë

Teknika të veçanta kultivimi, mbarështues skrupuloz dhe, ndonjëherë, mashtrim. Ka shumë faktorë që mund të bëjnë që një ushqim të...

Aktualitet2 ditë më herët

Donte një fushatë si të Trumpit, po i del një fushatë si e Bidenit

Nga Skënder Minxhozi Si Trump ka vetëm kapelen që i kanë thënë të mbajë në kokë. Të tjerat deri tani...

Kryesore2 ditë më herët

Sondazhi i McLaughlin: PS kryeson me 49.2%, PD mban vendin e dytë. Ja si do të votonin sot shqiptarët

Një sondazh i ri i kryer nga McLaughlin & Associates në bashkëpunim me Top Channel dhe i publikuar në emisionin...

Kryesore6 ditë më herët

Populli ishte gati për rrotacion, opozita jo

Gazetari Ervis Iljazaj komentoi në emisionin Now në Euronews Albania situatën e politikës në Shqipëri para zgjedhjeve të 11 majit....

Mix6 ditë më herët

Si të bini nga pesha në dy javë duke konsumuar vezë të ziera

Vera ende pritet të vijë dhe akoma jemi në kërkim për metodat më të shpejta për të humbur kilogramët e...

Mix6 ditë më herët

Këto janë shenjat më kampione të horoskopit

Në botën e takimeve moderne, “ghosting”-u është kthyer në sport ndërkombëtar – dhe sipas astrologjisë, disa shenja janë thjesht kampione...

Facebook