Mix
Alarm i kohëve moderne/ Tre në 10 fëmijë janë miopë nga telefoni dhe tableti

Miopia është një nga sëmundjet më të përhapura tek fëmijët pasi kalojnë gjithnjë e më shumë kohë përpara ekraneve të pajisjeve elektronike, si telefonët, tabletët dhe kompjuterët.
Sipas mjekëve okulistë, në çdo 10 fëmijë që shkojnë për kontrollin e syve, 3 prej tyre rezultojnë me probleme të miopisë dhe ky është një shqetësim serioz gjithnjë në rritje pasi kontrolli i rregullt i syve për fëmijët është tepër i rëndësishëm.
Ata thonë se një fenomen që ka ndryshuar në vitet e fundit është se më parë, shumë fëmijë vuanin nga hipermetropia (probleme me shikimin e afërt), ndërsa tani janë gjithnjë e më shumë ata që përballen me miopinë, ose probleme me shikimin e largët.
“Pas futjes së pajisjeve dixhitale, si telefona, tablet, filloi të ndryshonte edhe trendi i problemeve të syve te fëmijët. Nga hipermetropia ne konstatuam që në vizitat e fëmijëve, 2 deri në 3 fëmijë dilnin me miopi ose me astigmatizëm miopik. Me rritjen e trupit të fëmijës ndryshon edhe boshti i syrit dhe ndryshon dhe problematika për shkak të lodhjes së muskujve të syrit. Kemi të bëjmë me sy të lodhur, me sy të irrituar, me sy që ankohen për tharje, me sy që mund të kenë dhe lotim të shtuar. Nëse fëmija ka filluar t’i qëndrojë televizionit shumë afër, kjo është shenjë e miopisë”, shprehet mjekja okuliste Suzana Zhuka.
Mjekët këshillojnë që qëndrimi përpara ekranit të pajisjeve elektronike të jetë sa më i kufizuar, maksimalisht 30 minuta. Rrezatimi nga këto pajisje mund të shkaktojë dëm të pariparueshëm për syrin, duke kontribuar në zhvillimin e problemeve të shikimit, si miopia.
Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që çdo vit, nxënësit e çdo moshe të bëjnë një kontroll të syve për të identifikuar çdo problem shikimi që mund të kenë, dhe për të marrë masat e duhura që të shmangen pasoja më të rënda në të ardhmen.