Lidhu me ne

Mix

Dieta mesdhetare është gënjeshtër

Alessandro Ford

Është dieta më e famshme në botë.

Mund të jetë edhe më e keqkuptuara, mendoj, teksa rrotulloj pirunin në pjatën me spageti nero di seppia, shijoj një gotë verë të kuqe Lamezia dhe hedh vaj ulliri mbi qoftet nduja kalabreze. E kaltra e ujërave pak më poshtë thyhet nga gjelbërimi i borzilokut të Siçilisë dhe Ishujve Eolianë. Përtypem shpejt që shoku im i tavolinës të vijojë të më tregojë historinë.

Kjo kuzhinë daton mijëra vjet më parë,” thotë krenar Antonio Montuoro, president i Akademisë Ndërkombëtare të Dietës Mesdhetare. Megjithatë, ushqimi është vetëm një pjesë e saj. “Pjesët e tjera janë panorama, bukuria e natyrës, qendrat tona historike, trashëgimia jonë”, tregon ai me entuziazëm, duke nxjerrë pirunin nga një peperonata me patate për të më treguar me të peizazhin përreth nesh.

Gjithë sa sheh është pjesë e stilit të jetesës së dietës mesdhetare,” shpjegon me qetësi 72-vjeçari, duke pastruar salcën e domates nga pjata e tij me një copë të madhe buke shtëpie. Është një histori e bukur dhe një “erëz” e mrekullueshme për ushqimin që po hamë. Problemi i vetëm është se nuk është e vërtetë. Pesëdhjetë vjet nga koha kur termi dietë mesdhetare u krijua nga fiziologu amerikan, Ancel Keys, dhe një dekadë e gjysmë pasi UNESCO e njohu atë si trashëgimi kulturore jomateriale të njerëzimit – dieta mesdhetare është bërë një përzierje hiperbolash dhe gjysmë të vërtetash, të bëra bashkë për qëllime politike dhe tregtare.

Mes reagimeve kundër Marrëveshjes së Gjelbër dhe forcimit të proteksionizmit bujqësor në të gjithë Evropën, politikanët dhe lobet e jugut i kanë kthyer në armë një sërë recetash dhe përbërësish për të vënë në stres Bashkimin Evropian për politikat e tij liberale të klimës dhe tregtisë, ndërkohë që nxisin eksportet fitimprurëse – dhe shpesh të pashëndetshme – në Amerikë dhe Azi. Politikanët italianë kanë qenë gjithmonë të ndjeshëm për ushqimin, por kryeministrja Giorgia Meloni e ka çuar këtë sensitivitet në ekstreme të reja, duke u përpjekur të hakmerret në Bruksel kundër përpjekjeve për të reduktuar konsumin e mishit, hartimin e paralajmërimeve kundër pijeve alkoolike dhe zgjedhjen e një etikete unike ushqimore në pjesën e përparme të ambalazhit për vendet e BE. Zonja e së djathtës ekstreme pohon pa u lodhur se këto stigmatizojnë traditat ushqimore të stërgjyshërve të saj dhe ka nxitur një furi gastronacionaliste për të zgjeruar mbështetjen për partinë e saj, Fratelli d’Italia.

Shëndeti publik në Itali ka pasur kosto si pasojë e kësaj. Italia ka një nga nivelet më të larta në BE të obezitetit të fëmijëve. Një e dhjeta e qytetarëve pinë alkool çdo ditë dhe mbikonsumimi i kripës i kushton më shumë se Francës, Spanjës dhe Greqisë të marra së bashku, sipas një raporti të fundit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë. Nëse krahason ushqimin modern italian me idenë origjinale të dietës mesdhetare, arrin një të vërtetë të pashmangshme: Dieta mesdhetare ka vdekur. Pra, pse vazhdojmë të dëgjojmë për të?

Kuzhina e varfër

Ekzistojnë dy teori konkurruese se si lindi dieta mesdhetare. Të dyja fillojnë me Ancel Keys, themeluesi i saj. Një polimat i lindur në Kolorado, me doktoraturë në biologji dhe fiziologji, Keys hyri në botën e të ushqyerit në vitet 1930, duke zhvilluar një dispozitë portative për trupat e Shteteve të Bashkuara ndërsa përgatiteshin të hynin në Luftën e Dytë Botërore (i famshmi “Racion K”).

Një paketë energjetike me sallam dhe ëmbëlsira, racioni K nuk ishte i shëndetshëm. Por në atë kohë nuk ishte i tillë as ushqimi bashkëkohor amerikan, yndyra me bollëk e të cilit po vriste me shumicë meshkuj të klasës së mesme. Në atë kohë, mjekët ishin të habitur: Ky ishte grupi më i ushqyer i kombit më të pasur në Tokë. Çfarë po ndodhte? Keys dhe gruaja e tij kimiste, Margaret, kuptuan se kjo vinte për shkak të dietës, veçanërisht yndyrnave të tepërta të ngopura, dhe në vitin 1951 ata udhëtuan drejt Italisë jugore për ta provuar këtë. Një koleg u kishte thënë atyre se napolitanët e klasës punëtore rrallë vuanin nga ataku në zemër dhe në përgjithësi jetonin më gjatë se, le të themi, zyrtarët e Minesotës. Çifti Keys matën kolesterolin e banorëve vendas, i cili rezultoi shumë më i ulët.

Por korrelacioni nuk ishte shkakësor, kështu që çifti nisi një studim pilot në Nicotera, një qytet bregdetar me diell në majë të çizmes italiane. Dy studiuesit mbajtën nën vëzhgim 35 familje dhe, për tre vitet e ardhshme, morën mostra gjaku, llogaritën masën trupore dhe u monitoruan zakonet e të ushqyerit, për të parë se çfarë dhe sa hanin. Ishte “cucina povera” (kuzhinë e varfër), përshkroi Montuoro, të afërmit e të cilit kujtojnë se u pritën nga studiuesit e huaj. Gjithçka që ata hanin ishte vendase dhe bio, me rrënjë në recetat tradicionale të ardhura nga mbijetesa përmes bujqësisë.

Rezultatet e hulumtimit të çifti Keys ishin të pabesueshme. Përveç sëmundjeve të pakta koronare, eksperimenti gjeti kancere ose sëmundje degjenerative minimale. Në fund të gjetjeve të tyre, shkencëtarët organizuan “Studimin e Shtatë Vendeve”, më i madhi i karakterit epidemiologjik në histori, që përfshin 12 000 njerëz në tre kontinente. Ai u dha famë dy studiuesve, të cilët publikuan disa libra gatimi të shitur.

“Si të ushqehemi mirë dhe të jetojmë mirë në mënyrën mesdhetare” u botua në vitin 1975, duke sjellë shumë receta fshati për familjet e tejushqyera të Amerikës industriale. Imazhet idilike ishin çelësi i suksesit të kësaj diete, duke ndihmuar në përhapjen e nocionit la dolce vita përtej Atlantikut. Kjo kontribuoi në një rënie dramatike të atakeve në zemër, duke kursyer mijëra dollarë dhe duke nxitur rritjen globale të ushqimit italian.

Deri këtu, në rregull. Aty ku ndahen dy teoritë është ajo që çifti Keys gjeti në të vërtetë në Nicotera. U tha se dyshja amerikane zbuloi një regjim fantastik ushqyes, kryesisht me bazë bimore, të përqendruar në ushqyerjen e moderuar dhe të përbashkët, si dhe një piramidë ushqimore shumë e ngjashme me atë që të gjithë e kemi parë kur ishim fëmijë. Sipas të dhënave të tyre, të rinjtë e merrnin një të tretën e konsumit ditor nga drithërat, një të tretën nga frutat dhe perimet, një të pestën nga vera dhe një të dhjetën nga proteinat shtazore dhe vaji i ullirit. Sheqeri dhe kripa ishin të papërfillshme. Ky është interpretimi dominues mbi të cilin mbështeten nutricionistët modernë kur pohojnë se dieta mesdhetare është më e shëndetshmja në botë.

Por ka një version tjetër. E mbështetur nga akademikë dhe antropologë ikonoklastikë, kjo alternativë argumenton se librat e Ancel Keys nuk ishin menduar kurrë të ishin përshkrues – ata kishin karakter rekomandues. “Italianët nuk e kanë praktikuar kurrë dietën mesdhetare”, thotë Alberto Grandi, autor i librit “Ushqimi italian nuk ekziston” dhe profesor në Universitetin e Parmës.

Qëllimi është t’i bëjmë amerikanët të ushqehen më mirë dhe kështu [Keys] ndërton një model ideal ushqimi“, një amalgamë imagjinare përbërësish të kultivuar rreth pellgut të Mesdheut, këmbëngul Grandi. Dieta u shpik më shumë sesa u zbulua dhe te vendasit në Nicotera kishte ndikuar një përbërës tjetër: uria.

Çifti Keys “shkoi në shtëpitë e banorëve dhe ata u vunë në siklet. Ata u thoshin: ‘Hajdeni sërish nesër se sot nuk do të hamë asgjë”. Ose kishin vetëm polenta ose miell gështenje,” pohon Grandi. Të pretendosh se individë të tillë shijonin një eliksir të lashtë gastronomik, është “vërtet fyese për kujtimin e gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë. Sepse ata ishin të uritur.”

Kjo është një qasje kontroverse që e ka bërë Grandin të famshëm në Itali. Disa nga të intervistuarit e mi e hodhën poshtë akademikun e veriut të Italisë si një njeri të sensacionit, që kërkon vëmendje. Të tjerë, megjithatë, e mbështetën, duke cituar prova arkeologjike, shpjegime kritike nga çifti Keys dhe kujtime prindërore. Është e pamundur të dihet me siguri dhe, në një farë mënyre, nuk ka rëndësi. Përfundimi është se ndërsa dieta mesdhetare mund të qëndrojë në eminencë mbi të tjerat, rrënjët i ka thellë në mister. Dhe për shumë njerëz, kjo është e volitshme, pasi kjo paqartësi ka qenë thelbësore në transformimin e kuzhinës së thjeshtë të Nicotera-s në mes të shekullit, në markën e shkëlqyeshme të marketingut masiv që njohim sot.

Kuzhina komerciale

Duhet kohë që ikonat të bëhen të tilla dhe dieta mesdhetare nuk ndryshon në këtë pikëpamje. Veriorët e pasur dhe të dhënë pas modës fillimisht qeshën me sugjerimin e studiuesve Keys se duhej të imitonin jugun e varfër dhe të prapambetur, thotë John Dickie, profesor i studimeve italiane në University College London dhe autor i “Delizia: Historia epike e italianëve dhe ushqimi i tyre”.

U deshën njëzet vite të trazuara për të ndërruar mendje. E para ishte mrekullia ekonomike e viteve 1960, e cila industrializoi Italinë në të njëjtën kohë kur “revolucioni i gjelbër” i bujqësisë i zhvendosi njerëzit nga fermat në fabrika. Më pas ishin “vitet e plumbit“, gjatë të cilave anarkistët dhe mafiozët i vinin bomba shtetit. Më pas erdhi kriza financiare e shkaktuar nga kriza e naftës e viteve 1970. Të mbingarkuar, italianët iu kthyen një të kaluare mitike, duke përqafuar ushqimet popullore dhe një kryqëzatë kulinarie për të ashtuquajturin “autenticitet”. “Ajo që ne e lidhim me dietën italiane, këto tradita të supozuara, shumë prej tyre datojnë nga [periudha] kur italianët e kishin lënë pas jetesën e fshatit dhe e kishin mbuluar atë me nostalgji për fshatin”, thotë Dickie.

Pasoi një reagim anti-amerikan. Lëvizja Slow Food shpërtheu në vitin 1986 pasi u hap një McDonald’s në qendër të Romës. E zemëruar me “banalizimin e ushqimit”, aleanca e fshatarëve të krahut të majtë kërkonte kthimin te linja gastronomike e Italisë, duke përfshirë dietën mesdhetare gjithnjë e më të njohur, thotë Barbara Nappini, presidentja aktuale e Slow Food Italy. Edhe të djathtëve u pëlqente kjo, dhe shpejt adoptuan të njëjtën retorikë. Sindikatat e fermerëve dhe kompanitë e ushqimit e pikasën menjëherë këtë mundësi dhe lobuan në Komunitetin Ekonomik Evropian – paraardhësin e BE-së – për mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe promovimin jashtë vendit, të cilat i morën në vitet 1990.

Megjithatë, edhe pse dieta mesdhetare kryesisht pa mish tërhoqi interes në rritje sidomos nga mjekët, në imagjinatën popullore ajo po bëhej gjithnjë e më e hapur për interpretim. Mania shëndetësore e viteve 1990 e vulosi vendin e dietës në revistat e fitnesit, të cilat ishin më pak të shqetësuara për proteinat shtazore. Mishi dhe djathi dalëngadalë fituan më shumë rëndësi, ashtu si vaji i ullirit, ndërsa frutat dhe perimet u lanë mënjanë.

“Fillojnë ethet e trashëgimisë evropiane,” kujtoi Michele Fino, vreshtar dhe profesor i së drejtës evropiane. “Djathërat, mishrat e pjekur, perimet e konservuara, gjërat e pjekura, makaronat – një gamë e tërë, e madhe.” Së bashku me verën, këto janë produktet me të cilat mund të bëheshin para, që krijojnë më shumë vlerë të shtuar dhe sjellin më shumë fitim se drithërat, frutat dhe perimet modeste të promovuara nga Keys. Megjithatë, ato janë gjithashtu produktet më pak të shëndetshme, të destinuara për t’u konsumuar me masë.(Pikërisht në këtë kohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë e klasifikoi si kancerogjen alkoolin, për të cilin nuk ka nivel të sigurt përdorimi (mishi i përpunuar mori të njëjtën notë në vitin 2015, kur mishi i kuq u listua si “ndoshta kancerogjeni”).

Në kohën kur UNESCO e njohu dietën si një trashëgimi kulturore jomateriale të njerëzimit në vitin 2010, kishte ndodhur një ndryshim në mendësi. Në teori, njohja e UNESCO-s nuk ka për qëllim të japë ndonjë përfitim komercial. Në praktikë, kjo mbështeti dhe lançoi një nga markat më të suksesshme në botë. “Dieta mesdhetare” u bë sinonim i “ushqimit mesdhetar” – sikur çdo gjë që hanin italianët të ishte e shëndetshme me përkufizim.

Atë vit, eksportet italiane agro-ushqimore arritën në një vlerë modeste prej 27 miliardë eurosh, me në krye frutat dhe perimet e freskëta (mbi 4 miliardë euro në vlerë), të cilat ishin afërsisht ende në të njëjtin nivel me mishin, djathin dhe makaronat e përpunuara të marra së bashku. Mbi një dekadë më vonë, eksportet janë trefishuar, duke kaluar në 70 miliardë euro vitin e kaluar.

Edhe përbërja e listës ka ndryshuar. Vera dominon në renditje (8 miliardë euro), e ndjekur nga makaronat dhe mallrat me bazë brumi (7 miliardë euro), qumështi (6 miliardë euro) dhe perimet e përpunuara (salcat e domates dhe të ngjashme). Prodhimet e freskëta janë rritur gjithashtu, por jo aq sa mishrat e përpunuara dhe vaji i ullirit, të cilët tani arrijnë rreth dy miliardë secila. Ky evolucion është pasqyruar nga një ndryshim në mënyrën se si hanë italianët. Raftet e supermarketeve në vend janë mbushur me produkte brumi dhe salca të përpunuara, që kanë shkaktuar një krizë obeziteti dhe mbipeshe. Në mënyrë të veçantë janë prekur jugorët dhe fëmijët, madje këta të fundit renditen të dytët në Evropë (pas fëmijëve në Qipro dhe pak përpara Greqisë, Kroacisë dhe Spanjës fqinje). 

Ushqimet ultra të përpunuara dhe pijet me sheqer luajnë padyshim një rol të madh, por po ashtu edhe produktet kryesore lokale. Ndërsa është e volitshme të fajësohet yndyra në importet e huaja, moshat nën 18 vjeç janë gjithashtu konsumatorët më të lartë të mishit, bulmetit, makaronave dhe ëmbëlsirave, si dhe më pak të kujdesshëm ndaj kripës së tepërt dhe konsumojnë më pak fruta dhe perime se gjithë moshat e tjera, sipas statistikave zyrtare vendase.

Vaktet e fëmijëve të sotëm në Nicotera ka më shumë gjasa të kenë në përbërje një gelato sesa një domate. Megjithatë, kjo nuk i ka ndaluar kompanitë që t’u tundin para syve dietën në reklamat e tyre, për t’i orientuar drejt produkteve që gjyshërit e tyre pak gjasa ka t’i kenë njohur. “Dieta mesdhetare vendos rekorde në tavolinat botërore”, tha Coldiretti, sindikata më e madhe e fermerëve në Itali, në një deklaratë për shtyp këtë muaj, teksa festoi bumin e shitjeve të verërave të markës tregtare, vajit të ullirit dhe makaronave industriale.

Sipas Massimiliano Giansantit, kreu i sindikatës së tretë më të madhe të fermerëve në Itali, Confagricoltura, e gjitha është një kthesë fitimprurëse. Kur pyeta nëse njerëzit po i ngatërronin termat, ai pranoi se “ekziston një rrezik i mundshëm“, por argumentoi se nuk duhet t’u themi njerëzve se çfarë të hanë.

“Ne po i eksportojmë në botë produktet e dietës sonë mesdhetare”, përfundon ai me krenari.

Kuzhina politike

Thuhet se italianët, dy gjëra i kanë fiksim: futbollin dhe ushqimin. Ish-kryeministri Silvio Berlusconi është i famshëm për mënyrën si e shfrytëzoi të parin, fitoi shumë elektorat duke luajtur me maninë për calcio-n (partia e tij Forza Italia e mori emrin nga një kor gjatë ndeshjeve). Giorgia Meloni ka përdorur të dytin, duke krijuar një gastronacionalizëm të fortë me ministrin e saj të Bujqësisë dhe ish-kunatin, Francesco Lollobrigida.

Meloni e ka kritikuar Brukselin për ushqimin përpara se të vinte në pushtet, duke sulmuar strategjinë Farm to Fork, komponenti bujqësor i Marrëveshjes së Gjelbër, një sulm që e ktheu në një nga shtyllat e platformës së saj. Në fjalën e saj në një event në Parlamentin Evropian në vitin 2021, opozitarja e atëhershme pretendoi se kishte “politika diskriminuese” ndaj mishit, duke iu referuar planeve të BE-së për të ulur emetimet e bagëtive dhe për të inkurajuar dieta më të qëndrueshme, me bazë bimore. Komisioni Evropian nga ana tjetër synonte të krijonte një etiketë ushqimore në mbarë bllokun për të ndihmuar konsumatorët të bënin zgjedhje më të mira. Konkurrenti kryesor ishte Nutri-Score i Francës, i cili u paraqiti blerësve një klasifikim të thjeshtë ushqimor me pesë ngjyra, nga jeshilja te e kuqja.

Meloni e quajti “të çmendur” këtë nismë, duke argumentuar se favorizonte produktet franceze dhe penalizonte në mënyrë të padrejtë prodhimet italiane, si sallamrat, djathin Parmigiano Reggiano dhe vajin e ullirit (në realitet, këto produkte yndyrore morën të njëjtin rezultat si homologët e tyre francezë). Megjithatë, lobet si “Coldiretti” dhe “Confagricoltura” patën një zgjidhje edhe për këtë. Studiuesit kishin grumbulluar prova se dieta mesdhetare (ajo vetëm vegjetariane) ishte ndër më të shëndetshmet në botë. Mishrat dhe djathrat e Italisë që bënin shumicën e parave ishin ende në matricën e saj, sado minimale. Pse të mos themi se Nutri-Score ra ndesh me dietën e pakundërshtueshme mesdhetare?

Kështu që Meloni u hodh në veprim. Pas fitores dërrmuese në tetor 2022, ajo organizoi një përpjekje të shumëanshme ndikimi në Bruksel për të likuiduar ligjin e etiketave në pjesën frontale të produktit. Ndërsa Lollobrigida e ngriti zërin fort në takimin mujor të ministrave të Bujqësisë, ligjvënësit e Melonit iu bashkuan flash mobeve dhe demonstratave jashtë zyrave të BE-së.

Atje, stafi i “Coldiretti” dhe “Confagricoltura” ngritën tabela ku shkruhej: “Produktet italiane = cilësi” dhe “Jo për Nutri-Score“. Në prapaskenë, ambasadori italian u takua edhe me Komisionerin e Bujqësisë, Janusz Wojciechowski – pjesë e familjes politike të Konservatorëve Evropianë dhe Reformistëve të Melonit – dhe i bëri presion që të anulonte ligjin e etiketimit. Ditë më vonë, shefi i shtabit të zyrtarit të lartë polak i dërgoi email komisionerit të Shëndetësisë, i cili ishte përgjegjës për dosjen, për të argumentuar kundër sistemit francez, sipas dokumenteve të aksesuara së fundmi nga OJQ-të në bazë të ligjit për të drejtën e informimit.

Kjo ishte pengmarrja e dietës mesdhetare,” më tha në telefon Serge Hercberg, profesor në Sorbonë dhe shpikësi i Nutri-Score. “Ata e dinin se ishte e rreme. Ata duhej ta dinin. Por me forcën e përsëritjes, ata menduan se do t’ia dilnin të bindnin dhe ia dolën”. Më shumë se 300 shkencëtarë publikuan një raport duke hedhur poshtë akuzat në vitin 2023, por ishte tepër vonë. Komisioni e la në sirtar ligjin. “Është thënie e Gëbelsit”, tha Hercberg. “Përsërite një rresht shumë shpesh dhe kthehet në të vërtetë.”

Loja pati aq sukses sa Roma e përsëriti atë edhe me alkoolin. Këmbënguli se qëllimi i Komisionit për të vënë në ambalazhin e pijeve paralajmërimet për kancerin shkelte dietën mesdhetare. Historikisht, ata kishin më shumë pikë në këtë aspekt, duke pasur parasysh sasitë e pijeve alkoolike që pinë nikoteranët, por shkencërisht kërkimi ecur përpara. Tani e dimë se komunitetet bregdetare nuk ishin të shëndetshme për shkak të pirjes së verës, por pavarësisht asaj. Nuk ka rëndësi. Komisioni e hodhi poshtë edhe atë plan. Përfundimisht, Irlanda mbeti e vetme, duke u përballur me një breshëri kritikash italiane. Lollobrigida pretendonte se ishte një komplot proteksionist për të goditur verën në favor të uiskit vendas (pavarësisht faktit se ata do të mbajnë të njëjtën etiketë).

Lollobrigida sulmoi edhe mishin e rritur në laborator dhe mbështeti salsiçet vegjetale, duke u bashkuar me partitë e ekstremit të djathtë në Spanjë, Francë, Hungari dhe Poloni për të kritikuar me zhurmë Brukselin mbi përpjekjet e tij të supozuara për të çmontuar traditat kombëtare të ushqimit. Sado absurde të ishin akuzat, ato kanë fituar zemrat dhe mendjet e njerëzve. Të djathtë apo të majtë, pothuajse çdo italian me të cilin fola për këtë artikull ishte kundër politikave agro-ushqimore të Brukselit. Ata ishin të bindur se gatimet e tyre ishin ndër më të shëndetshmet në botë dhe se obeziteti ishte importuar nga korporatat e huaja. Kjo është pjesërisht e vërtetë. Por është gjithashtu pjesërisht e rreme, dhe derisa italianët të pranojnë se nuk po hanë më si paraardhësit e tyre, ata dhe fëmijët e tyre do të jenë ata që do të paguajnë çmimin.

Dieta mesdhetare ka vdekur. Dikush duhet t’ua thotë këtë italianëve

Burimi: Politico

MË TEPËR

Mix1 orë më herët

“Ishuj në qiell”, çmenduria e radhës nga Dubai

Dubai, i njohur për arkitekturën e tij mahnitëse, vazhdon të çudisë botën me projekte të reja të guximshme. Pas ndërtesave...

Kryesore2 orë më herët

Chris LaCivita: Kryeministri Rama kukull e Xhorxh Sorosit, Berisha do fitojë njësoj si Trump

Arkitekti kryesor i fushatës presidenciale të Donald Trump, Chris LaCivita, i cili do drejtojë fushatën e PD-së për zgjedhjet e...

Radar3 orë më herët

Punoi me Trump, tani do të bashkëpunojë me Berishën: Kush është Christopher LaCivita që do të drejtojë fushatën elektorale të PD

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha së bashku me aleatët opozitarë kanë prezantuar sot (10 shkurt) Christopher LaCivita si drejtuesin...

Mix3 orë më herët

A është e vërtetë që birra bën mirë për kockat?

Sipas një studimi të publikuar në American Journal of Clinical Nutrition, konsumimi i moderuar i birrës mund të jetë i...

Radar3 orë më herët

Funerali politik i Sali Berishës

Nga Ilir Demalia Të shtunë ishte funerali politik i Sali Berishës dhe taborit të Dum Bab Salistëve Berisha dhe tabori...

Mix3 orë më herët

Portokalli, fruti kundër sëmundjeve të zemrës

Shija e portokalleve të freskëta nuk ka të krahasuar dhe është gjithnjë tërheqëse. Ky frut përmban pak kalori dhe asnjë...

Radar3 orë më herët

Adriatik Dosti: Nuk rrëzohet Rama me 1 mijë veta, o Doktor!

Shkruar nga Adriatik Dosti* (SHBA) Jam i zhgënjyer tmerrësisht pas “protestës ” të demokratëve me 8  shkurt 2025 . Doktor!...

Kioske4 orë më herët

Rrjetet sociale nuk kanë qenë kurrë neutrale.

Andrea Colamedici Rrjetet sociale nuk kanë qenë kurrë neutrale. Ata kanë ndryshuar, pas çdo scroll-i, vetë mënyrën se si ne...

Mix4 orë më herët

FOTO/ Elton Ilirjani e bën Parashqevinë si vetja

Këngëtarja e njohur shqiptare, Parashqevi Simaku ishte e ftuar VIP në Javën e Modës në New York. Siç shihet në...

Radar4 orë më herët

Rama: Shqipërinë turistike e bëmë ne, jo Zoti

Kryeministri Edi Rama, përmes një videomesazhi, iu përgjigj komentit të një qytetari që thotë se merita e ‘boom-it’ të turistëve...

Facebook