Lidhu me ne

Kioske

Pse Shqipëria nuk mund të krahasohet me Gjermaninë?

SHKRUAR NGA GJERGJ EREBARA

Rama-Merkel

Kryeministri Edi Rama dha argumentin e Angela Merkel, kancelare e Gjermanisë për katër mandate, në mbrojtje të kandidimit të vet për një mandat të katërt. Pa pasur nevojë të hyjmë në diskutime krahasimore mes Merkelit dhe Ramës, duhet të vërejmë se ka disa ndryshime kyçe mes një vendi si Gjermania dhe një tjetri si Shqipëria, që e bën krahasimin të pavend.

Në vitin 2017, Turqia mbajti një referendum kushtetues ku ndryshimet transformuan presidencën e Turqisë në një presidencë ekzekutive, me pushtete të gjera edhe mbi sistemin e drejtësisë. Në një debat në një televizion shqiptar, një grua që mbulonte flokët, në një lloj solidariteti mes myslimanësh, mbështeti nismën e referendumit kontrovers në Turqi me argumentin se “edhe Shtetet e Bashkuara janë Republikë Presidenciale”.

Krahasimi mes Turqisë, një vend që ka kaluar nga diktatura ushtarake në formën e republikës parlamentare disa herë që nga themelimi i shtetit nga Ataturku, i cili ishte çlirimtari, themeluesi, babai i kombit dhe diktatori i parë e jetëgjatë, me Shtetet e Bashkuara, një vend që u themelua si demokraci nga Etërit Themelues, – pavarësisht të gjitha vërejtjeve që njeriu normal ka ndaj kësaj demokracie, nga historia e skllavërisë te e drejta jouniversale për të votuar, te pabarazia dhe te pushteti i stërmadh i pasunarëve si Trump apo Musk – ishte në fakt sikur të ta rrasnin me shpullë surratit në një tejkalim krejtësisht të pabesueshëm të ligjeve të logjikës.

Jemi gati tetë vjet pas dhe gjërat duket sikur nuk kanë ndryshuar. Erdogani vijon të jetë president, kësaj here me fuqi ekzekutive, ndërkohë që logjika ta do ndryshe. Dhe Rama në Shqipëri vijon të jetë kryeministër, në një kontekst krejt tjetër, krejtësisht të pakrahasueshëm me Turqinë e Erdoganit dhe po kaq të pakrahasueshëm me Gjermaninë e Angela Merkel.

Që Gjermania është e ndryshme nga Shqipëria, për këtë ma ha mendja bie dakord edhe vetë kryeministri, i cili së fundmi më shumë se një herë ka sugjeruar se jetesa në Gjermani është ku e ku më keq se sa në Shqipëri, por unë nuk po dua të merrem me ndryshimet e gjithëfarëllojshme; po dua të vë në dukje ndryshimet në sistemet kushtetuese, ndryshime që e bëjnë krahasimin e Turqisë së Ergodanit me Amerikën një gabim logjik dhe po kështu edhe krahasimin e Shqipërisë me Gjermaninë. Dhe meqë kryeministri Rama prej disa kohës është bërë me ligj të propozuar nga ai vetë edhe Kryetar i Këshillit Shkencor, ai me gjasa duhet ta dijë që bota e shkencës dhe e filozofisë ka një term për këto lloj krahasimesh të pavend apo gabimesh logjike. Quhet: post hoc ergo propter hoc.

Duke e lënë për herë tjetër shpjegimin se çfarë është një gabim logjik i llojit post hoc ergo propter hoc, le të merremi me ndryshimin thelbësor mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, apo, nëse më lejoni, mes Turqisë dhe Amerikës.

A e dini se si quhet forma qeverisëse e Republikës së Shqipërisë? Sipas Kushtetutës, Shqipëria është “Republikë Parlamentare” dhe është gjithashtu “Shtet unitar dhe i pandashëm”. Ndryshe nga Shqipëria, Gjermania është Republikë Federale. Dhe Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu Republikë Federale. Nëse ai socialisti i ri, petali i trëndafilit, do të kishte marrë arsimimin e duhur kushtetues, historik e ligjor, do ta kuptonte se çfarë ndryshimi dramatik në liri dhe në cilësi jetese sjell ndryshimi mes Shtetit Unitar dhe Republikës Federale. Dhe po kështu, mbështetësja shqiptare e Erdoganit tetë vite më parë nuk do të nxitonte të bënte krahasimin mes Turqisë, (gjithashtu një shtet unitar) dhe Shteteve të Bashkuara, në rastin e referendumit të vitit 2017.

Republika Federale është produkt i Thomas Jefferson dhe ne mundet, nga këndvështrimi i shqiptarit, ta shohim këtë personalitet të historisë amerikane si antidoti i Ndoc Rrokut. Unë kam dëgjuar gjëra se çfarë nënkuptohet në anë të ndryshme të Shqipërisë me termin “Ndoc Rroku”, gjë që nuk bën shumë sens që të ndalemi këtu. Por në instancë finale, sipas të gjitha gjasave, Ndoc Rroku është fenomen kryekëput shqiptar ndërsa Thomas Jefferson dhe leksionet e tij janë ajo çfarë Amerika mund t’i mësojë botës, përfshirë ndarjen e pushteteve, kufizimin dhe balancimin e pushtetit ekzekutiv nga legjislativi e mbikëqyrjen e këtyre të dyjave nga gjyqësori.

Nejse!

Për ta shpjeguar mund t’ju jap një shpjegim banal që u dha dikur para nja gjashtë dekadash nga Milton Friedman, kampioni i kapitalizmit që me gjasa, nën sfondin e administratës së sotme amerikane do të ngjante si një militant i ekstremit të majtë. Ta zëmë se nuk të pëlqen mënyra se si pushteti vendor apo shteti federal në të cilin jeton menaxhon ujërat e zeza nuk të pëlqen ty, shpjegoi Friedman. Ti mundet të ikësh në një bashki tjetër ose në një shtet tjetër. Ai tha se, dallimi mes republikës federale dhe shteteve unitare si Bashkimi Sovjetik është se, nëse qytetarit nuk i pëlqen një gjë në qeverisjen e një prej shteteve amerikane, mundet fare kollaj dhe pa ndonjë kosto të madhe as emocionale, as ekonomike dhe as sociale, të ikte te një shtet tjetër. Me pak fjalë, nëse nuk të pëlqen liberalizmi i Kalifornisë, mundet fare kollaj të shkosh të jetosh në Teksas. Nëse nuk të pëlqen progresivizmi i Nju Jorkut, mundet të shkosh në Utah e nëse të pëlqen diçka e ndërmjetme, ke një numër jo të vogël opsionesh se ku të shkosh të ndërtosh jetën tënde sipas pëlqimeve të tua.

Por nëse të gjitha pushtetet janë në duart e qeverisë qendrore dhe ajo nuk të pëlqen, ke praktikisht zero zgjedhje, të duhet të durosh ose të marrësh arratinë për në një shtet tjetër.

Ky lloj shpjegimi është i vlefshëm gjithashtu për Gjermaninë, ku me të vërtetë Angela Merkel ishte kancelare për 16 vjet. Ndërsa ajo ishte kancelare në qeverinë federale, të gjashtëmbëdhjetë shtetet përbërëse të Republikës Federale të Gjermanisë kanë secila politikën e vet, parlamentin e vet, qeverinë e vet dhe ligjet e veta. Merkel me të vërtetë ishte kancelare por pushteti i saj ishte i kufizuar nga Ligji Bazë, kushtetuta e Gjermanisë e cila e bën qeverinë qendrore përgjegjëse për fusha të tilla si Punët e Jashtme, Mbrojtja, Emetimi i Monedhës, Tregtia e Jashtme, Infrastruktura Kombëtare e gjëra të tilla madhore ndërsa të gjitha të tjerat, përfshirë planifikimin hapësinor, zhvillimin e ekonomisë, politikat sociale, shkollat e të tjera, janë në duart e këtyre shteteve, apo, siç njihen në Gjermani, Landeve. Nëse nuk të pëlqen politika liberale e qytet-shtetit të Berlinit, mundet fare kollaj të zhvendosesh në një land tjetër, politikat e të cilit të shkojnë më për fije. Dhe në çdo rast, ndonëse qeveria federale kontrollohej për 16 vjet nga Merkel, politikat e landeve kishin që të gjitha partitë e veta me parlamentet e veta dhe me politikën e vet, pa folur më tutje për pushtetin vendor, komuna dhe bashki, secila me këshillin e vet dhe me politikanët e vet.

Ndryshe nga Merkel, kryeministri shqiptar është përgjegjës për praktikisht çdo gjë. Shumica dërrmuese e buxhetit të shtetit menaxhohet nga ai. Dhe me ndryshimet e bëra prej tij në ligjin për urbanistikën, vetëm ai ka të drejtë të japë leje për çfarëdolloj ngrehine që një qytetar mund të dëshirojë të ndërtojë, në rast se ngrehina është më e madhe se sa 250 metra katrorë. Pra, nëse nuk të pëlqen mënyra se si një bashki menaxhon punët, nuk ke mundësi të ikësh në ndonjë  bashki tjetër, siç sugjeron Friedman, sepse po Ramën ke në secilën prej tyre.

Me pak fjalë, krahasimi i Ramës me Merkel dhe i Shqipërisë me Gjermaninë, njësoj si krahasimi i mbështetëses shqiptare të Erdoganit mes Turqisë së Erdoganit dhe Shteteve të Bashkuara të Thomas Jeffersonit, është asgjë më shumë se sa një post hoc ergo propter hoc.

MË TEPËR

Kryesore3 ditë më herët

Zbulohen listat, kush janë kandidatët më të përfolur për PD dhe PS në qarkun Shkodër

Në “Top Story” në TCH janë diskutuar emrat më të përfolur të kandidatëve për deputetë në disa qarqe të vendit....

Mix3 ditë më herët

Studimi: Depresioni kalon nëpërmjet stomakut

Sipas një studimi, njerëzit depresivë hanë ndryshe nga ata të shëndetshëm. Kjo njohuri mund të japë impulse për forma të...

Mix3 ditë më herët

Vakti i mëngjesit: Ja gabimet që “sabotojnë” rënien në peshë

1. E anashkaloni plotësisht mëngjesin Ndërsa disa studime raportojnë se anashkalimi i mëngjesit mund të çojë në marrje pak më...

Radar3 ditë më herët

“Vula e PD do kalojë në Strasburg”, Basha flet edhe për zgjedhjet e 11 majit

Lulzim Basha i kooalicionit Demokratët Eurotlantik ka folur lidhur me listat, koalicionet dhe 11 majin e zgjedhjeve parlamentare që na...

Kritike3 ditë më herët

Berisha, mall i skaduar që pengon PD të fitojë zgjedhjet!

Shkruar nga Spartak Ngjela Spartak Ngjela Prandaj, sikurse edhe kuptohet, gjendja e Partisë Demokratike ka vetëm këtë shpresë për të...

Mix3 ditë më herët

Horoskopi ditor, nuk do të mungojë dashuria dhe pasioni

Dashi Gjatë kësaj dite nuk do të mungojnë kënaqësitë për shumë çifte. Dikush do të kurorëzojë një ëndërr dashurie, ndërsa...

Mix3 ditë më herët

9 vite me Danny Fujikawa, por Hate Hudson refuzon të martohet! Ja pse?!

Kate Hudson gjatë paraqitjes së saj në “The Dreë Barrymore Show” ka pranuar se edhe pse ka 9 vite me...

Mix3 ditë më herët

Shtëpia prej 5 milionë dollarësh ku Meghan Markle filmoi serialin e saj: Pse s’zgjodhi rezidencën e saj?

Prona luksoze në Kaliforni ku Meghan Markle xhiroi serialin e saj të ri të Netflix “With love, Meghan” është bërë...

Mix3 ditë më herët

Celine Dion e ftuara speciale në ”Eurovision Song Contest 2025”?

Organizatorët e Eurovision Song Contest (ESC) shpresojnë të mirëpresin këngëtaren dhe ish-fituesen Céline Dion si një mysafire speciale në finalen...

Kryesore3 ditë më herët

Kur do i mbyllë Rama, bigbrother, përputhen apo ishulli tundimeve?!

Koment nga ARDIT HAXHIJA Kur do i mbyllë Rama, bigbrother, përputhen apo ishulli tundimeve?! Edi Rama po përpiqet ta shesë...

Facebook