Aktualitet
Nga tenderët e deri tek shpenzimet luksoze, Ahmetaj lumë akuzash të reja kundër Ramës dhe Ballukut
Arben Ahmetaj, Belinda Balluku dhe Edi Rama
Arben Ahmetaj në intervistën e tretë nga arratia për Syri TV hodhi një lumë akuzash për Kryeministrin Edi Rama dhe zv/kryeministren Belinda Balluku.
Ahmetaj e cilësoi Ramën kreun e organizatës ndërsa Ballukun e quajti plaçkitësen që i ka shkaktuar dëm buxhetit më shumë se tërmeti i vitit 2019.
Ahmetaj foli me tendera e projekte konkrete që sipas duhet të hetohen pasi i kanë shkaktuar dëm shtetit.
“Më fal, se unë do t’i referohem edhe me shifra, por që nga koha e Ismail Qemalit, por jo atij virtualit që nxjerr kreu i organizatës, atij realit, Belinda Balluku është plaçkitësja më e madhe e buxhetit të shtetit. Më besoni, në përllogaritjet e mia, duke marrë referenca të drejtpërdrejta nga biznese sot, dhe ti e di mirë që unë jam bërë nukël informacioni, sot, dëmi që është shkaktuar nga Belinda Balluku në buxhet është dyfish më i madh se tërmeti i vitit 2019”-shtoi Ahmetaj.
Ish-zv.kryeministri theksoi se Partia Socialiste është në duart e krimit. Sipas tij katër qarqe drejtohen nga kordinatorëtë krimit që janë në dosjet e Encro Chat dhe SKY.
“Unë sot do i kthej përgjigje Yuri Kim, sot Shqipëria ka rënë në duart e krimit. Merr Partinë Socialiste, ka shumë socialistë, por s’ka parti. Është vetëm një organizatë e krijuar vetëm për t’i shërbyer një njeriu. Ka shumë socialist. Më thoni çfarë lidhje ka sot Partia Socialiste me qeverinë që praktikisht është bashkia1 dhe bashkia2 e dikurshme? Nuk ka lidhje. Sot praktikisht, koordinatorët politikë janë zëvendësuar me koordinatorë të krimit. Referojuni pak Encro Chat të SKY, fatkeqësisht për shkak të atyre dosjeve të ardhura në Belgjika dhe Franca dhe jo të nisura nga SPAK-u dhe unë do ta theksoj, kanë rënë katër qarqe elektorale, fatkeqësisht për ne që kemi lënë ditë, net, vit të tëra për të punuar me shumë qejf për Partinë Socialiste. Katër, ka rënë Shkodra, ka rënë Durrësi, ka rënë Elbasani, ka rënë Tirana. Po pse kjo është Partia Socialiste? Çfarë lidhje ka Partia Socialiste?”-deklaroi ai.
Ahmetaj përmendi Egys Agasin duke pyetur se ç’do ai me kryeministrin në Emirate.
“Kur shkova në zgjedhje nuk e dija që do ndodhte kjo. Çfarë do Gys Agasi në Emirate me kryeministrin edhe në DAVOS, çfarë përfaqëson?”-tha Ahmetaj.
Ish-zv/kryeministri akuzoi Belinda Ballukun se ka emëruar 5 ministra ku ka hedhur akuza të drejtpërdrejta për njërin prej tyre.
Sipas Arben Ahmetajt, Ervin Hoxha aktualisht ministër i Brendshëm është shkarkuar nga detyra për korrupsion. Sipas tij, Hoxha është emëruar në këtë detyrë nga bandat kriminale të vendit.
“Po mor po, kur unë isha ministër financash është shkarkuar ky (Ervin Hoxha) me urdhër të kryeministrit dhe i kam thënë, a mund të më thuash çfarë ka bërë? Atë e di unë, tha, ai njeri është i korruptuar. Sot e ka ministër të brendshëm. Dhe për turp të tij, do t’i ngelet tërë jetën stampë që është emëruar nga krimi dhe ka bërë atë lloj arrestimi të ndotur në sytë e shqiptarëve, arrestimin e ish-presidentit”-deklaroi Ahmetaj.
Ahmetaj tha se Balluku ka paguar njerëz kundër Erion Veliajt për të marrë pjesë në protestë.
“E di ti që këta të dy, po sidomos plaçkitësja ka paguar njerëz në protestat kundër Erjonit, kanë unitet këta tani, tani që ika unë uniteti është shumë i forcuar aty. Njerëz të saj kanë paguar njerëz për të shkuar në protestë. Ore shiko se kur të mbarosh këtë intervistën do ulesh me njerëz, kolegë të tu gazetar dhe do thonë, po ne i dimë këto o burrë, ca tha… thojini pra”-deklaroi ai.
Ndër të tjera Arben Ahmetaj ka hedhur më shumë dritë për skandalin e kanabizimit të Shqipërisë me një plan të mirëmenduar nga kryeministri Edi Rama, që në momentin e parë që erdhi në pushtet në vitin 2013.
Ahmetaj i’u referua një takimi në Durrës të Këshillit të Ministrave me Edi Ramën, që sipas tij është diskutuar në lidhje me kanabizimin e vendit, si një plan i detajuar dhe produkt i kryeministrit, të cilin sipas ish-zëvendëskryeministrit, e kanë kundërshtuar 5 ministra.
“Kanë qenë 5 veta që e kanë kundërshtuar atë që po ndodhtë me kanabizimin e vendit. Unë kam qenë më i zëshmi, edhe për shkak edhe të natyrë time. Por 5 ministra e kanë kundërshtuar. Erion Veliaj ka qenë ministër, e ka kundërshtuar. Saimir Tahiri që e beri ‘kokë turku’ dhe me tre çerek të zërit e ka kundërshtuar, Ditmir Bushati e ka kundërshtuar, Damian Gjiknuri e ka kundërshtuar, unë e kam superkundërshtuar. Kanabizimi i vendit është produkt i kreut të organizatës. Këta 5 ministra dhe të tjerë që nuk pipëtinin kanë kundërshtuar”, u shpreh Ahmetaj.
Ahmetaj vijoi akuzat ndaj Ramës duke thënë se kompania e cila ka përfituar projektin 15 milionë euro të laboratorëve të AKSHI-t, është e baxhanakut të kryeministrit.
Gjithashtu një tjetër fakt skandaloz sipas Ahmetaj është se për aferën e labaratorëve të AKSHI-t janë grisur dy urdhër-arreste.”AKSHI është kopshti privat i kryeministrit, ku njerëz të lidhur me familjen e tij, bëjnë çfarë ju do qejfi. Dhe është dhjetë fishi te laboratorët. Pyetje kam për gazetarët investigativë: Gërmoni këto, shkoni në doganë, po qe se nuk gjeni 10-fishin e kostos si fitim atëherë kthehuni tek unë. E dyta, gërmoni të dashur gazetarë investigativë, a janë grisur dy urdhër arreste përpara një muaji e gjysëm, dy muaj, në lidhje me laboratorët?
A janë rrëzuar dy urdhër-arreste? Investigojeni, dy urdhër arreste, siç ndodhi me inceneratorin e Tiranës.
Cila është kompania që ka marrë projektin 15-milionë euro të sigurisë kibernetike?
Kompani ‘First’, e lidhur me familjen. Ku shkojnë paratë? ‘Follow the money’! Apo ju ndiqni pllakat e Erjolës. Apo ju merreni me vlerësuesit, siç me thotë avokati Ligori që ia kanë kthyer njëhërë e po ia kthejnë prap. Apo qejfi këtyrë është që unë të jem grup i strukturuar kriminal me gruan dhe ish-gruan?
Meqë doni fakte, projekti 15-milionë është i pabotuar, i pa dalë në tender të hapur. Gjejeni të botuar! E ka marrë kompania First, dhe ‘follow the money”-deklaroi Ahmetaj.
Arben Ahmetaj vijoi akuzat se biznesmenët që kanë marrë leje ndërtimi, kanë paguar edhe për çarterat e Edi Ramës.
“Po mirë fluturimet me çarter i ka deklaruar ky, po marr nja dy, se kam 8, por po marr dy, përveç Air Albania-s që e nxora. Kush e ka paguar fluturimin nga Shtutgarti të çarterit dhe a kanë marrë leje ndërtimi, ky personi?”-tha Ahmetaj.
Ai shtoi se një biznesmen ka paguar që Edi Rama dhe Linda Rama të shkojnë në një hotel që shërben si qendër detoksifikimi.
Ahmetaj tregoi edhe emrin e hotelit dhe tha se çdo seancë aty kushton 10 mijë euro.
“Te një telefon SPAK-u ka gati 12 fluturime. Njëri i ka thënë, ore ça merreni me robin, robi s’ka lidhje fare. Pastaj ore një sekondë, aty ke 12 fluturime me çarter të kryeministrit, ‘o vëlla po c’punë kemi ne me ato, se ne s’do merremi me kryeministrin, ne kemi punë me tjetër njeri’. Po mirë, gazetarët investigativë, verifikoni ku ka qenë kreu i organizatës (Rama) në Palaco Hotel në Bolzano, qendër detoksifikimi. Ka qenë më shumë se dy herë. Ka qenë me zonjën e tij, personi kushton 10 mijë euro në javë. I ka paguar një biznesmen që është afër familjes dhe personi ka marrë në vazhdimësi leje ndërtimi. Le ta verifikojnë, Palace Di Merino, është një vend shumë i shtrenjtë, kanë qenë familjarisht, pa fëmijët dhe ka paguar biznesmeni që ka marrë leje ndërtimi”-tha Ahmetaj.