Kryesore
Donald Trump bën rikthimin më të madh në historinë politike, gati 200 urdhra që synojnë politikat woke, Deep State e emigrantët
Donald Trump do betohet si President i Shteteve të Bashkuara për herë të dytë në një pikë kurorëzimi në një nga rikthimet më të mëdha në historinë politike.
78-vjeçari do bëjë betimin në zemër të Uashington DC me Zonjën e Parë Melania Trump në krah për t’u bërë zyrtarisht komandanti i përgjithshëm i 47-të i vendit.
Me sytë e botës në Kapitol, ai do marrë përsëri çelësat e Shtëpisë së Bardhë pas një fushate të paparë që pa dy atentate për ta vrarë dhe një fitore historike zgjedhore ndaj demokrates Kamala Harris.
Tetë vjet më parë, ai erdhi në Uashington, DC si një i huaj dhe ishte një tronditje për establishmentin në një qytet që zotërohej nga politikanë të karrierës.
Tani ai vjen me më shumë fuqi dhe me popullaritetin e tij në rritje, i mbështetur nga titanët miliarderë të teknologjisë që do jenë pas tij: Elon Musk, Jeff Bezos dhe Mark Zuckerberg.
Tifozët besnikë dhe të palëkundur të Trump-it, MAGA kanë pushtuar rrugët e kryeqytetit, me një det kapelesh të kuqe dhe flamuj amerikanë në çdo cep.
Ata u shpërblyen të dielën me një paraqitje të shkurtër të presidentit të zgjedhur fitimtar në tubimin e tij festiv, ku ai thjesht u tha atyre: “Ne fituam”.
Pasi turma ndoqi shfaqjet nga Kid Rock dhe një fjalim nga aktori i Hollivudit Jon Voight, Trump tha: “Njerëzit janë të lumtur. Ka kaluar shumë kohë. Asgjë nga këto nuk mund të ishte e mundur pa ju.”
Ai festoi fitoren e votës popullore, kthimin e shtatë shteteve dhe ndryshimin sizmik në mbështetje në të 50 shtetet në fitoren ndaj Harris.
Trump doli në skenë pasi nipërit e tij thanë zotimin e besnikërisë dhe djemtë Eric dhe Don Jr. dhe mbesa Kai ngrohën audiencën e mbështetësve të tij MAGA.
Tubimi ofroi një paraqitje të shkurtër të përurimit, i cili do mbahet në mjedis të mbyllur pasi një vorbull polare që vjen në SHBA detyroi një ndryshim në minutën e fundit të planeve.
Siguria do jetë e rreptë dhe trupat do rreshtohen në rrugë, por gëzimi për ndjekësit e Trump janë të dukshme kudo.
Ai dhe Melania do shijojnë një pritje me çaj dhe kafe në Shtëpinë e Bardhë të organizuar nga çifti Biden në orën 9:40 të mëngjesit përpara betimit e më pas do udhëtojnë të gjithë së bashku në Kapitol në orën 10:25.
Në mesditë, ai do vendosë dorën mbi një Bibël dhe do betohet se do mbrojë Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara përpara një auditori të zgjedhur prej vetëm 600 personash në Kapitol Rotunda.
Festimet do zhvendosen më pas në Capitol One Arena – ku më pak se 24 orë më parë ai mbajti mitingun e tij të fitores – për paradën inauguruese dhe fjalimin e tij ku do paraqesë planet për katër vitet e ardhshme në detyrë.
Ai pritet t’u thotë miliona njerëzve që do e ndjekin se do t’i kthejë Shtetet e Bashkuara në ditët e lavdisë së tyre pas administrimit të Presidentit Biden.
Fjalimi ka të ngjarë të përfshijë një vrojtim të agjendës së tij ambicioze për 24 orët e tij të para në detyrë, duke përfshirë dëbimet masive të emigrantëve në mbarë vendin dhe faljet gjithëpërfshirëse për rebelët e 6 janarit.
Në mbrëmje, ai do ndërrojë kostumin e tij me një smoking për tre ballot inauguruese – ku do kërcejë me Melania Trump.
Ndërsa festimet po i afrohen fundit, Trump është zotuar se do hidhet menjëherë në ritmin e punës.
Ai pritet të nënshkruajë rreth 200 urdhra ekzekutivë të hënën – ditën e tij të parë të kthimit në detyrë pas katër vjetësh.
Fox Neës raportoi të dielën se urdhrat ekzekutivë do përqendrohen në sigurinë kufitare, energjinë, uljen e kostos së jetesës dhe përfundimin e programeve DEI – shumëllojshmëria, barazia dhe përfshirja – në gjithë qeverinë federale.
Ai do vizitojë gjithashtu Los Anxhelosin të premten pas zjarreve shkatërruese që shpërthyen në Palisade, Malibu dhe rajonet e brendshme të Pasadenës dhe Altadenës, duke u marrë jetën tragjikisht të paktën 27 personave dhe duke shkatërruar të paktën 12,300 ndërtesa.
Trump tha se po lutet për të mbijetuarit e zjarreve të Los Anxhelosit dhe do ndihmojë në rindërtimin e qytetit ‘më të bukur’ se kurrë më parë.
Trump përmendi gjithashtu planet për të ndihmuar të mbijetuarit e uraganit në Karolinën e Veriut që ende po vuajnë pasojat, duke argumentuar se ata “janë trajtuar shumë keq si shtet”.
Turneu i Trump do fillojë gjithashtu menjëherë, pasi të përpiqet t’u heqë lejet e sigurisë 51 zyrtarëve të inteligjencës që thanë në vitin 2020 se laptopi i Hunter Biden ishte fushatë dezinformimi rus.
Presidenti i ardhshëm do përpiqet gjithashtu të riemërtojë Gjirin e Meksikës – në Gjirin e Amerikës – dhe të vendosë përkufizime biologjike të seksit, pasi republikanët i cekën jo pak amerikanët transgjinorë gjatë fushatës 2024.
Gjatë tubimit të tij, ai përsëriti komentet që përdorte shpesh në fushatë, duke kritikuar mandatin e Biden si një ‘administratë e dështuar’ dhe duke premtuar se do t’i japë fund mbretërimit të një institucioni politik të dështuar dhe të korruptuar.
“Nesër, në mesditë, perdja ulet për katër vitet e gjata të rënies amerikane dhe ne fillojmë një ditë krejt të re të fuqisë dhe zhvillimit e mirëqenies, dinjitetit dhe krenarisë amerikane,” u tha ai mbështetësve.
Por ai tashmë po feston edhe fitoret të cilat ai thotë se nuk do kishin ndodhur nëse nuk do kthehej në detyrë këtë javë – anulimi i ndalimit të TikTok dhe armëpushimi në Gaza.
Trump inicioi ndalimin e TikTok në vitin 2020 mes shqetësimeve se kompania po ndante informacionin personal të amerikanëve me qeverinë kineze.
Por menjëherë teksa ndalimi hyri në fuqi, Trump tha se ai ka “një vend të ngrohtë në zemër për TikTok”, duke e vlerësuar aplikacionin që e ndihmoi të fitonte votuesit e rinj në zgjedhjet e 2024-ës.
“Që sot, TikTok është kthyer,” u tha ai turmave në tubimin e tij.
“Sinqerisht, ne nuk kemi zgjidhje. Duhet ta ruajmë. Ne nuk duam t’ia japim biznesin tonë Kinës. Ne nuk duam t’ua japim biznesin tonë njerëzve të tjerë.”
Trump sugjeroi se do përdorte mekanizmat në dorën e tij për të kërkuar një sipërmarrje të përbashkët në të cilën qeveria e SHBA do zotëronte gjysmën e kompanisë pa vënë para.
“Pra, nëse ju pëlqen apo jo TikTok, ne do të fitojmë shumë para”, tha Trump.
Dhe duke folur për marrëveshjen e armëpushimit midis Izraelit dhe Gazës, Trump tha: “Ne arritëm më shumë pa qenë në presidencë sesa ata arritën në katër vjet duke qenë aty”.
Biden ka marrë gjithashtu meritën për marrëveshjen.
Elon Musk ishte mes folësve në mitingun e mrekullueshëm, duke dalë në skenë me djalin e tij, X Æ A-12, dhe duke përqafuar Trump.
Miliarderi ngiti duart në ajër ndërsa turma brohoriste, duke festuar fitoren të cilën ai e parashikoi dhe rrënjosi gjatë gjithë fushatës.
Musk ishte një mbështetës i hapur i Trump dhe donator bujar gjatë gjithë fushatës, dhe është shpërblyer për përpjekjet e tij me një emërim si bashkëdrejtor i nismës DOGE të Trump për të çmontuar pjesë të qeverisë federale.
“Kjo fitore është vetëm fillimi, me të vërtetë,” i tha ai turmës së ekzaltuar.
“Ajo që ka rëndësi në të ardhmen është që në fakt të bëhen ndryshime të rëndësishme, të çimentohen ato ndryshime dhe të vendoset themeli që Amerika të jetë e fortë për një shekull, për shekuj, përgjithmonë.”
Në ditën e parë të Biden si ish-president, ai do largohet nga Kapitoli dhe do udhëtojë në bazën e përbashkët Andreës, ku pritet të “mbajë një fjalim në një takim lamtumire me stafin”, tha Shtëpia e Bardhë.
Ai dhe gruaja e tij Jill do udhëtojnë në Santa Ynez, Kaliforni për pushime – i njëjti vend që ata vizituan pasi Biden u tërhoq nga gara për t’u kthyer si President në 2024.