Lidhu me ne

Aktualitet

Sondazhi, 40% e shtresës së mesme gati për emigrim, shkak mungesa e perspektivës dhe sistemit shëndetësor


Një sondazh i “Monitor” me 1044 persona (857 jetojnë në vend dhe 187 jashtë) i cili u zhvillua për rreth një muaj, nga data 11 shtator, zbuloi një trend të ri të emigrimit të personave të arsimuar dhe në gjendje të mirë ekonomike.

 Mbi 94% e pjesëmarrësve ishin me arsim të lartë dhe gati gjysma ishin me gradë PHD dhe 57 doktorantë.

Nga të anketuarit që jetonin në Shqipëri, 40% kishin bërë gati planet dhe infrastrukturën për t’u larguar gjatë dy viteve në vijim. 33% e atyre që pohuan se kanë menduar të largohen i takojnë grupmoshës 40-49 vjeç, 38.5% grupmoshës 30-39 vjeç.

Ndryshe nga popullata e përgjithshme që shikon si arsye kryesore të emigrimit, statusin ekonomik dhe punësimin, në shtresën e mesme dhe te profesionistët, arsyeja kryesore pse kanë vendosur të largohen nga Shqipëria është mungesa e shpresës se gjërat mund të përmirësohen dhe gjithashtu vlerësojnë të rëndësishme mungesën e cilësisë në shërbimet shëndetësore dhe arsimore.

Janë të gjitha arsyet që po largojnë shtresën e mesme.

Emigracioni në Shqipëri ka marrë përmasat e një gangrene, e cila ka mbetur pa një diagnozë, e për rrjedhojë edhe pa një kurë se si mund të fashitet para se efektet të jenë të pandreqshme.

Hemorragjia e ikjeve që nisi me shembjen e sistemit komunist në vitin 1990 vijon të jetë e fortë edhe pas më shumë se 30 vitesh dhe së fundmi po gjen përhapje në kategorinë e të arsimuarve dhe profesionistëve që përfaqësojnë shtresën e mesme.

Një sondazh i “Monitor”, që nisi më 11 shtator të këtij viti dhe zgjati rreth një muaj, ku u intervistuan 1044 persona rreth arsyeve që çojnë individët dhe familjet të largohen nga Shqipëria, tregoi për një pakënaqësi të lartë me standardet e jetës në Shqipëri, mungesën e perspektivës për të ardhmen, cilësinë e dobët në arsim dhe shëndetësi, korrupsionin e lartë etj.

Sondazhi i zhvillua online, përmes platformës ECR (Engaged Citizens Reporting- Angazhimi i qytetarëve në raportim). Kampioni është rastësor dhe nuk përbën gjetje shkencore.

Nga totali i të anketuarve 857 persona (82%) jetonin në Shqipëri dhe 187 (ose 17.9%) jetonin jashtë vendit.

Rezultatet e intervistave treguan për një emigracion potencial të lartë në mesin e të shkolluarve. Mbi 94% e pjesëmarrësve (984 persona kishin arsimin e lartë, nga të cilët 478 me gradë PHD dhe 57 doktorantë).

Nga të anketuarit që jetonin në Shqipëri 89.7 kishin menduar largimin nga Shqipëria si një opsion, ndërsa vetëm 88 persona ose 10% e atyre thanë se nuk kishin menduar asnjëherë largimin nga vendi.

Pyetjes “keni ndonjë plan konkret për t’u larguar nga vendi brenda 2 viteve të ardhshme?” i dhanë përgjigje 769 persona që jetojnë në Shqipëri, ku 40.6% e tyre (312 persona) pohuan se do të largohen nga Shqipëria në dy vitet e ardhshme.

Gjysma e të anketuarve, 54.8%, nuk do të largoheshin nga vendi për një pagë bruto jo më të vogël se 2000 euro.

Më shumë se 60% mendojnë se duhet të ulet korrupsioni për të zvogëluar emigrimin e të rinjve dhe gjithashtu përmirësimi i shërbimit arsimor dhe shëndetësor konsiderohet nga gati gjysma e të anketuarve.

“Në fakt, largimi i shtresës së mesme dhe njerëzve që janë në punë është jashtëzakonisht i rrezikshëm për një vend. Këtu në vendin tonë, kjo shtresë nuk largohet për para apo për vend pune, pasi tani punë gjen ku të duash.

Por largohet për një shoqëri më të mirë, më të kulturuar dhe më njerëzore, diçka që nuk e blen dot edhe sikur të paguhesh 100,000 euro në muaj. Largimi për këtë arsye është pa kompromis page dhe pasurie. Ndaj, sa të jetë kjo arsye nuk do të ketë ndonjëherë metodë frenimi për largimin”, – u përgjigj një nga anketuarit.

Sondazhi i “Monitor” evidentoi se nga 187 të intervistuar që jetonin jashtë vendit, mbi 57% nuk kanë plan të kthehen në Shqipëri ose maksimumi do të vizitojnë vendin për pushime.

Vetëm 2.1% kishin plane të afërta për rikthim dhe 23.5% pas disa vitesh.

40.6% kanë vendosur të ikin në dy vitet në vijim

Tendenca për të emigruar është më e fortë në mesin e personave të arsimuar treguan rezultatet. Rreth 90% e 857 personave të anketuar në Shqipëri thanë se kishin menduar të emigronin, por 40% e tyre tashmë kishin plane dhe po përgatiten për t’u larguar në dy vitet në vijim.

Emigracioni potencial duket se është shumë i lartë në popullsinë e mirarsimuar. Emigrimi potencial në shtresën e mesme duket se është më i lartë në popullsinë e zakonshme.

Sondazhi i “Monitor” u realizua nëpërmjet një thirrje të hapur në variantin online dhe nuk kishte një kampionim paraprak. Të 1044 personat që plotësuan anketën në pjesën dërrmuese (94%) ishin me arsim të lartë të shoqëruar me doktoratë. Për rrjedhojë sondazhi u kthye në matës të ndjesisë rreth emigrimit në një popullsi të mirarsimuar dhe me të ardhura mbi mesataren.

“Unë jam njëri nga ata që jam larguar familjarisht prej afro një viti. Kam punuar në Tiranë rreth 15 vite në sistemin bankar, përkatësisht në 3 banka.

Ka nepotizëm dhe shumë paaftësi. Karriera nuk bëhet në bazë të meritës. Tmerr! Jemi larguar sepse nuk dua që fëmijët e mi të rriten në ata katrahurë. Edhe pse këtu ku jemi, si fillim jemi 2 shkallë më poshtë nga pozicioni që kishim, ama ndihesh i sigurt, i vlerësuar, stresi zero etj.

Lëre fare pastaj të flasësh për administratën shtetërore në Shqipëri, është tmerr. Atij populli duhet t’i ndryshohet truri, nuk bëhet më. Vendi ka marrë fund. Uroj të mos ketë ndonjë krizë financiare në Shqipëri, sidomos ajo në ndërtim. Nëse Greqia e kaloi për 8 vite, Shqipëria do duhet 30 vite.” shkruan Andi.

Studime të tjera mbi zhvillimet demografike të vendit tregojnë se Shqipëria renditet në mesin e 10 vendeve me nivelin më të lartë të emigrimit në rang botëror. Organizata e Kombeve të Bashkuara në projeksionet e reja për popullsinë globale të këtij viti referoi se Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Lituania, Porto Riko dhe Moldavia do të përballet me rënie të popullsisë në nivelet 14% në 30 vitet e ardhshme.

Këto vende do të kenë normat më të larta globale të rënies së popullsisë, kryesisht nga emigracioni i lartë i të rinjve, të cilët më pas ndikojnë në rënien e popullsisë së mbetur. Banka Botërore, në raportin e fundit rajonal, evidentoi se Shqipëri kishte normën më të lartë të emigracionit mes të arsimuarve në krahasim me vendet e tjera në Ballkanit Perëndimor.

Jo vetëm të rinjtë, po ikin shtresa dhe mosha e mesme

Anketa evidentoi tendenca të forta për emigrimin në shtresën e mesme dhe në moshën e mesme. Emigracioni në Shqipëri është i përqendruar në të rinjtë ende pa krijuar familje, por vitet e fundit ka një trend në emigrimin e familjeve, me njerëz të arsimuar dhe të mirëpaguar.

Nga personat që jetonin në Shqipëri, 33% e atyre që pohuan se kanë menduar të largohen i takojnë grupmoshës 40-49 vjeç, 38.5% grupmoshën 30-39 vjeç dhe 15,8% ishin nga 20-29 vjeç.

Të dhënat e sondazhit tregojnë nivel të lartë zhgënjimi te profesionistët e arsimuar mbi 40 vjeç, të cilët kishin investuar në familje dhe në profesion dhe po mendojnë të largohen nga vendi, jo vetëm për arsye financiare, por për një infrastrukturë jetësore më të mirë që lidhen me shërbime arsimore dhe shëndetësore më të mira, infrastrukturë më të mirë dhe një mjedis më të pastër.

Një i anketuar që zotëron një biznes me 25 të punësuar tha se ka planifikuar të largohet nga vendi për këto arsye: “Ajër i ndotur dhe i pamonitoruar, ushqime të dëmshme të pakontrolluara. Asnjë strategji për arsimin.

Asnjë masë për rritjen e hapësirave të gjelbra. Trafik në rritje. Jam biznesmen, por edhe jep paga të larta dhe i trajton mirë, prapë shqiptarët ikin jashtë se mendojnë se do pasurohen shpejt. Jashtë paguhesh me orë pune, ndërsa në Shqipëri paguhesh me pagë fikse.

Një inxhinier në Gjermani merr 25 euro/orë dhe mund të punojë 10 ose 5 orë sipas dëshirës. Orët shtesë paguhen. Në Shqipëri nuk zbatohet Kodi Punës, festat zyrtare bëhen ditë pune.

Nuk ka meritrokaci. Ka padrejtësi të mëdha sociale. Mungon një shtet ligjor që rregullon jetesën e popullatës në paqe. Vendi sundohet nga kriminelët dhe trafikantët që i nxjerrin nga burgu. Me pak fjalë, edhe pushtuesi do të ishte sjellë më mirë me pronën publike”.

Tendenca për t’u larguar është shumë më e fortë te meshkujt se te femrat. 72% e atyre që kishin menduar të largoheshin nga vendi ishin meshkuj dhe 27% femra.

Nga të 1044 personat e anketuar 93%, ishin të punësuar dhe vetëm 7% pa punë. Nga të punësuarit 78% ishin me kohë të plotë, 10.3% ishin të vetëpunësuar dhe 4.7% ishin të angazhuar me kohë të pjesshme.

Shumica e të anketuarve kishin krijuar familje, pasi ishin të martuar ose në bashkëjetesë dhe vetëm, pjesa tjetër 25.5% ishin beqar dhe 1.2% të divorcuar.

Arsyet që shtyjnë shtresën e mesme të largohen nuk janë ekonomike

Ndryshe nga popullata e përgjithshme që shikon si arsye kryesore të emigrimit, statusin ekonomik dhe punësimin, në shtresën e mesme dhe te profesionistët, arsyeja kryesore pse kanë vendosur të largohen nga Shqipëria është mungesa e shpresës se gjërat mund të përmirësohen dhe gjithashtu vlerësojnë të rëndësishme mungesën e cilësisë në shërbimet shëndetësore dhe arsimore.

Më shumë se 66% e të anketuarve që jetojnë në Shqipëri, 568 persona nga 857 gjithsej, dhanë si arsye për emigrimin “mungesën e perspektives për të ardhmen”.

Gjithashtu, më shumë se gjysma mendojnë si arsyen e dytë më kryesore për largimin nga vendi “standardet më të larta të jetesës”, në vend të tretë “mungesa e një shërbimi shëndetësor të përshtatshëm”, në vend të katërt, ”mungesa e sigurisë dhe stabilitetit politik, ndërsa 46% e të anketuarve kishin si një arsye “arsim më të mirë për fëmijët”.

Të anketuarit kanë zgjedhur më shumë se një arsye për largimin. Gjithashtu zvogëlimi i hapësirave publike në zonat urbane shërbeu si arsye për 30% të të anketuarve.

Rezultatet tregojnë se, arsyet që kanë të bëjnë me punësimin dhe gjendjen ekonomike zënë një peshë më të ulët për largimin. Mundësi më të mira punësimi, paga më e ulët dhe problemet ekonomike në vend zunë vendin 7, 8 dhe 9 në grupin e arsyeve.

Një qytetar komentoi “Anarki, korrupsion në organet e drejtësisë së re, prokurori dhe gjykata. Mbi të gjitha, Drejtoria e Tatimeve të Bashkisë së Tiranës. Familja nuk shikon të ardhme dhe siguri në vend. Mundësi më shumë për fëmijët. Meritokraci e munguar në Shqipëri. Unë personalisht ika për fëmijët. Dy djem, (në 2015, kur ikëm) njëri 19 e tjetri 13 vjeç. Nuk shikoja të ardhme për ta në Shqipëri”.

Një qytetare tjetër A. Elezi komentoi “sepse të heqin nga puna. Punët nuk janë kurrë afatgjata. Nuk ka pensione, nuk ka të ardhme. Kur marrin vesh që ke 5 lekë të ruajtura diku i ke gjithë ditën me fatura në dorë. Pa arsyetuar që njeriu i do për sëmundje, ilaçe, pushime, shkollim, apo për të siguruar pleqërinë. Se të heqin e të vënë gjithë ditën nga puna”.

54.8% nuk rrinë Shqipëri as për 2000 euro pagë

Sondazhi evidentoi se, shumica e profesionistëve që përfaqësojnë shtresën e mesme në Shqipëri nuk rrinë në Shqipëri as për 2000 euro pagë. Pyetjes se “për cilin nivel page nuk do të mendonit largimin nga vendi (bruto/muaj)”, 4.8% e të anketuarve që jetojnë në Shqipëri, rreth 469 persona, mund të rrinë në Shqipëri për paga mbi 2000 euro.

10% e të anketuarve pohuan se nuk do të largoheshin nga vendi për paga 1100-1400 euro në muaj, 12,7% nuk ikin nga vendi për paga në intervalin 1400-1700 euro në muaj, ndërsa 7,1% nuk ikin nga vendi për një pagë 500-1100 euro në muaj.

“Në këtë vend, as për +2000 euro apo më shumë nuk rrihet. Është keqardhje për veten dhe fëmijët të rrish. Sistem arsimor përtokë, shëndetësia është më mirë të të vrasin me plumb sesa të shkosh në spitale, për të mos folur për edukatën qytetare dhe njerëzore nga të gjithë. Fatkeqësisht jemi tmerr”, komentoi Gerd.

Joani, një qytetar tjetër, komentoi: “Problemi më i madh në vendin tonë është mentaliteti nga koha e komunizmit që njerëzit akoma trajtohen pa respekt. Nuk ka asnjë ndërgjegjësim për brezat e rinj. Harrojnë oligarkët dhe biznesmenët që janë njerëzit që punojnë dhe që vendosin makineritë e tyre në punë.

Harrojnë që ne paguajmë taksa që ata të marrin tenderë, etj. Çdo hap që hidhet nuk merr parasysh perspektivën, por sot për nesër”.

Gjermania, SHBA dhe Kanadaja, vendet e synuara për të ikur

Profesionistët dhe shtresa e mesme që mendojnë të largohen nga Shqipëria synojnë vendet më të zhvilluara.

Nga grupi i personave që po bëhen gati të ikin nga Shqipëria në dy vitet në vijim, 312 persona ose 37.8% e tyre synojnë të largohen në Gjermani, 21% në SHBA dhe 9% në Kanada. Përqindje më të ulëta zgjodhën Italinë (8.6%), Britaninë e Madhe (5%) Zvicrën (2%) dhe vende të tjera të BE-së me një përqindje më pak se 1%.

Nga pjesa që jeton në Shqipëri, 48% nuk ishin aspak të kënaqur me karrierën e tyre, 44.5% ishin disi të kënaqur dhe 7.7% ishin shumë të kënaqur.

Pas vitit 2015 ka një trend në rritje të emigrimit drejt Gjermanisë, për shkak të lehtësive në procedurat burokratike për profesionistët.

Anketa tregoi se shtresa e mesme synon të largohet në mënyrë të organizuar në vende shumë të zhvilluara, me kontrata pune ose me emigracion të organizuar.

Andrea shkruan: “Pse ikin mjekët? Mjeku edhe këtu po të punojë, merr një pagë dhe ka të ardhura të mira. Pse largohen atëherë? Largohen sepse në spitale janë të njëjtët mjekë, me fëmijët e tyre, me gratë e tyre që punojnë prej 40 vjetësh dhe i pengojnë të gjithë të rinjtë të futen në sistem.

Ndaj të rinjtë, sa të lodhen në këto procese largohen dhe vazhdojnë karriera të mira jashtë. Ndërkohë ata mjekë jo vetëm bllokojnë vendin e punës, por edhe vjetrojnë moshën mesatare të stafit dhe nuk sjellin asnjë avantazh”.

Ulja e korrupsionit, kusht për përmirësimin e situatës

Kur u pyetën “Çfarë mendoni se duhet të përmirësohet në vend për të zvogëluar largimin e të rinjve? (Zgjidhni deri në 2 përgjigje)”, më shumë se gjysma e të anketuarve 674 prej tyre mendojnë se ulja e korrupsionit është e para.

Pothuajse të gjithë të anketuarit dhe ata që kanë komentuar përzgjedhjet e tyre konsiderojnë korrupsionin në prapavijë të arsyeve.

Çështja e dytë më e rëndësishme që duhet përmirësuar është “Arsimi”, e cila është përzgjedhur si çështje kryesore për përmirësim nga 45.9%, gati gjysma e të anketuarve, gjithashtu gati gjysma konsiderojnë se duhen përmirësuar stabiliteti politik dhe ekonomik dhe sistemi shëndetësor. Gjithashtu rritja e mundësive për punësim dhe mbështetja e sipërmarrëse të rinj ishte e rëndësishme, përkatësisht për 38% dhe 25% të të anketuarve.

“Duhen plane konkrete për ta bërë qytetin më të jetueshëm (Tirana – trafik i rënduar, mungesa e vendparkimeve, mungesa e hapësirave të gjelbra, transporti publik i munguar, uji dhe ajri i ndotur), rritja e pagave (çmime të larta krahasuar me të ardhurat). Së dyti, respekti i punonjësve që punojnë në sektorin privat, pushime vjetore, vlerësimi për orët shtesë që punojnë, paga e plotë e deklaruar.

Duhet riformatimi i sistemit të gjyqësorit, arsimit, shëndetësisë dhe kontrolli i cilësisë dhe çmimeve të shportës bazë. Shteti duhet të financojë të rinjtë, për kredi me kosto të përballueshme, kam 20 vjet pune dhe me vështirësi mora kredi që të blej një apartament”.

Gjithashtu 74% e të anketuarve që jetonin në Shqipëri mendonin se kushtet e punës në Shqipëri janë shumë të rëndësishme për të mos u larguar nga vendi, 20% mendojnë se janë disi të rëndësishme dhe 5.6% jo shumë të rëndësishme.

“Përmirësimi i kushteve të jetesës” frenon largimin

Të anketuarit u pyetën për një grup arsyesh në pyetjen “Çfarë mund t’ju bindte më shumë për të qëndruar në vend? (Zgjidhni deri në 3 përgjigje)”.

Shumica 76% renditen “Përmirësimi i kushteve të jetesës”. Më shumë se 50% zgjodhën si kritere themelorë që duhen përmirësuar për të mos lënë vendin “Rritjen e pagës dhe përfitimeve”, “Stabilitetin politik dhe social”, “Zhvillimin e mundësive për karrierë” dhe “Më shumë mundësi për arsim dhe trajnime profesionale”. Arsyet e tjera zunë një peshë më të ulët.

“Pushtetarët e sotëm, çdo ligj, vendim apo udhëzim e bëjnë për veten. Po marr vetëm një shembull. Një punonjës i thjeshtë apo ish-zyrtar, pavarësisht se ka punuar një jetë të tërë, 35 – 40 vjet merr aktualisht një pension maksimumi 45,000 lekë, ndërsa një deputet, i cili ka qenë të paktën për një muaj deputet e pastaj është larguar merr 75,000 lekë në muaj. Kjo është barazia e shtetit tonë demokratik”, komentoi Xh. Zagorcani.

Për pyetjen “Çfarë mund t’ju bindte më shumë për të qëndruar në vend? Një qytetar tjetër komentoi: “Një qeverisje dinjitoze ku qytetari të ndihet krenar për qeverisjen e tij dhe autoritetin e vendit të tij në botë.

Një shtet që mirëfunksionon (ulje korrupsioni, ofrim shërbimesh për të cilat paguajmë, mbrojtje e konsumatorit/individit). Paga duhet të vendoset me orët e punës, në një punë dua të punoj 4 orë, në punën tjetër dua të punoj 5 orë.

Pra shteti gjeneron më shumë të ardhura nëse personat janë të dypunësuar. Aktualisht jemi në një punë dhe duhet të rrimë nga ora 8:00 deri 16:00 me pagë bazë.

Paga nuk ka lidhje me vendimin për të ikur, por shëndetësinë e mirë, arsim, hapësira publike, barazi para ligjit, por mendoj që këto nuk do bëhen kurrë, sepse korrupsioni është bërë gangrenë në çdo pjesë të shoqërisë.

Më vjen keq, por do largohem edhe pse kam dy biznese me 25 të punësuar”.

 Monitor

MË TEPËR

Mix3 orë më herët

Anita Haradinaj nuk mban dot lotët: Kam kaluar 3 aborte të vështira!

Bashkëshortja e Ramush Haradinaj, Anita ishte e ftuar në podcastin e Orinda Hutës “Mam”, ku beri disa rrefime te patreguara...

Mix3 orë më herët

Nudo dhe seksi, Belen Rodriguez publikon FOTOT HOT në vaskë

Belen Rodriguez ka publikuar foto nudo në vaskën e shtëpisë së saj të re. Bukuroshja argjentinase shfaqet provokuese dhe e...

Mix3 orë më herët

Sa para do të përfitojë Donald Trump nga mandati i tij i dytë?

Shkruar nga Jill Filipovic Trump kaloi 1 nga çdo 3 ditë të 3 viteve të tij të para në detyrë...

Radar1 ditë më herët

Stresi i indinjuar me karikaturën e Sokol Ballës në zyrë

Reperi Stresi ka reaguar ashpër ditën e sotme ndaj gazetarit Sokol Balla. Ai ka ripostuar në ‘story’ në Instagram një...

Mix1 ditë më herët

Victoria Beckham reagon pas aludimeve për ndërhyrje në hundë

Victoria Beckham ka reaguar ndaj thashethemeve të vazhdueshme për ndërhyrje kirurgjikale në hundën e saj. Gjatë një interviste në ‘Today...

Kryesore1 ditë më herët

Noka reagon pas sherrit me Agron Shehajn: Ai është ushtar i “Rilindjes”

Flamur Noka ka reaguar për sherrin që ka pasur me Agron Shehajn në foltoren e Kuvendit. Noka e shtyu me...

Mix1 ditë më herët

Çfarë kanë të përbashkët migrena dhe endometrioza?

Sa herë që përmendet fjala “migrenë” apo “endometriozë,” shumica e njerëzve mendojnë për dy probleme të veçanta. Por ja ku...

Sport1 ditë më herët

Si Carlo Ancelotti shkroi historinë me Real Madrid

Carlo Ancelotti Carlo Ancelotti vazhdon të bëjë histori me Real Madridin. Trajneri italian është bërë trajneri me më shumë tituj...

Mix2 ditë më herët

”Televizioni po shkon drejt llumit” – Alketa Vejsiu ‘përballet’ me Dalina Buzin: Po ‘Andale’ yt çfarë është?

Në podcastin e Alketa Vejsiut, Dalina Buzi, producente dhe një figurë e njohur e televizionit shqiptar, ka dhënë mendimin e...

Mix2 ditë më herët

Syzet inteligjente Ray-Ban Meta tani përkthejnë në kohë reale

Lajme nga Meta për syzet e saj inteligjente. Kompania e Mark Zuckerberg në fakt ka njoftuar se Ray-Ban Meta është...

Facebook