Lidhu me ne

Radar

Vazhdimi i luftës në Ukrainë, po e rrit rrezikun e një lufte bërthamore aksidentale

Shkruar nga Greg R. Lawson

Vazhdimi i luftës në Ukrainë, po e rrit rrezikun e një lufte

“Ne mund të krahasohemi me dy akrepa brenda një shisheje, ku secili është i aftë të vrasë tjetrin, por vetëm duke rrezikuar jetën e tij”

Paranoja e Rusisë është shumë e vjetër. Ajo i ka rrënjët tek një histori pushtimesh, nga komonuelthi Polako-Lituanez në vitet 1600, Suedia në vitet 1700 dhe Napoleoni në vitet 1800 deri tek Gjermania e shekullit XX-të. Këto ngjarje, kanë diktuar sjelljen tejet mbrojtëse të Rusisë, dhe kanë vështirësuar përpjekjet e Perëndimit për të parashikuar përgjigjet e Moskës ndaj përshkallëzimeve ushtarake.

Sa herë që bën parashikimet e tij mbi Rusinë, Perëndimi nuk arrin që t’i kuptojë plotësisht këto dallime historike dhe kulturore, duke çuar kësisoj tek një lojë e rrezikshme supozimesh. Kjo është veçanërisht e vërtetë, kur kihet parasysh se aktualisht vetëm Rusia, mund të shkaktojë Apokalipsin në Shtetet e Bashkuara dhe t’i japë fund ekzistencës së saj brenda 30 minutash.

Ndërsa shumë nga shqetësimet aktuale në lidhje me përshkallëzimin e situatës drejt një lufte bërthamore në kontekstin e Luftës Rusi-Ukrainë, përqendrohen tek retorika e presidentit rus Vladimir Putin mbi bërthamore ruse dhe rishikimin e kohëve të fundit të doktrinës bërthamore të Moskës, rreziku i vërtetë qëndron diku tjetër.

Strategjia e parandalimit, ka të ngjarë të funksionojë lidhur me aktet e politikës së qëllimshme. Por nuk vlen në rastin e keq-perceptimit apo aksidenteve, të cilat lidhen me komunikimin e gabuar. Dhe zakonisht aksidentet ndodhin në mesin e krizave të sotme. Ndërsa vendimmarrësit përballen me sasi shumë të mëdha informacioni, duket i madh rreziku i keqinterpretimeve me pasoja katastrofike.

Defektet teknologjike, sidomos në sistemet e paralajmërimit të hershëm bërthamor rus relativisht të vjetruar, e shtojnë akoma më shumë këtë rrezik. Një shembull i kohëve të fundit, është sulmi me dron i Ukrainës ndaj sistemit të paralajmërimit të hershëm të Rusisë në maj të këtij viti.

Droni ukrainas udhëtoi mbi 1800 kilometra për të goditur stacionin e radarit Aramvir. Incidente të tilla, mund të përshkallëzojnë pa dashje tensionet, duke ofruar informacione mashtruese. Edhe pse në parim nuk ka shumë gjasa, potenciali për një kundërpërgjigje bërthamore nga Rusia nuk mund të hidhet tërësisht poshtë.

Sepse historia na ka treguar se sa shumë i është afruar bota katastrofës bërthamore, pikërisht për shkak të keqkuptimeve dhe gabimeve teknike. Për shembull kujtojmë pak historinë e Vasili Arkhipov në vitin 1962. Gjatë Krizës së Raketave Kubane, Arkhipov gjendej në bordin e nëndetëses sovjetike B-59, e cila ishte e autorizuar të lëshonte një silur bërthamor nëse sulmohej. Në një moment presioni të jashtëzakonshëm, Arkhipov e bindi kapitenin ta vononte vendimin, duke shmangur një luftë të mundshme bërthamore. Përballë kaosit, gjykimi i tij i qetë dhe i arsyetuar e shpëtoi botën nga katastrofa. Ndërkohë në vitin 1979, një alarm i rremë në Komandën e Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut (NORAD), gati sa nuk çoi në një sulm bërthamor të SHBA-së ndaj Bashkimin Sovjetik. Një gabim i thjeshtë – një mesazh trajnimi i futur gabimisht në një kompjuter – për pak sa nuk shkaktoi një katastrofë. Gabimi u kap në kohën e duhur, duke parandaluar katastrofën dhe shërbyer si një kujtesë e vrazhdë se sa afër mund t’i afrohemi humnerës.

Javën që kaloi u mbushën 41vjet nga dita kur oficeri sovjetik, Stanislav Petrov u përball me një situatë të ngjashme, dhe e shpëtoi botën nga e keqja. Sistemi i paralajmërimit të hershëm që po monitoronte ,tregoi befas një lëshim rakete nga ana e SHBA-së. Duke i besuar instinkteve të tij mbi protokollin, Petrov e identifikoi alarmin si një alarm të rremë, dhe zgjodhi të mos e raportonte tek eprorët si një sulm.

Edhe pse ishte një shkelje e protokollit sovjetik, ai shmangu një sulm hakmarrës dhe një konflikt të mundshëm bërthamor. Pastaj ishte Incidenti i Raketave Norvegjeze i vitit 1995, ku Rusia ngatërroi një lëshim paqësor të një rakete për qëllime shkencore mbi Norvegji me një sulm me raketa bërthamore.

Pavarësisht alarmeve fillestare, lidershipi rus vendosi të mos hakmerret, falë edhe besimit mes presidentëve Yeltsin dhe Clinton, diçka që mungon dukshëm në klimën gjeopolitike aktuale. Këto incidente, nënvizojnë pasigurinë që ka parandalimi bërthamor, dhe kur vetëm vendimet individuale dhe fati e ka parandaluar katastrofën.

Legjenda e Prometeut, i cili sfidoi Perënditë për t’i sjellë zjarr njerëzimit, shërben si një metaforë prekëse për dhuratën e rrezikshme të teknologjisë bërthamore. Ajo është potencialisht e dobishme, por e mbushur plot me rreziqe. Ashtu si dhurata e Prometeut që pati pasoja të padëshiruara, edhe fuqia e armëve bërthamore qëndron mbi ne si Shpata e Demokleut, siç u shpreh dikur presidenti John Kennedy.

Edhe i ndjeri Henry Kissinger e kishte theksuar prej kohësh interesin e përbashkët për të shmangur luftën bërthamore. Puna e tij mbi kontrollin e armëve bërthamore, e vuri theksin tek rëndësia e të kuptuarit të ndërsjellë të rreziqeve, për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Këshillat e Kissinger mbeten të rëndësishme edhe sot, duke na kujtuar që të menaxhojmë me kujdes arsenalet atomike për të shmangur përdorimin aksidental ose të paautorizuar.

Ndërsa vazhdon lufta në Ukrainë, mundësia e një komunikimit të gabuar apo e ndonjë defekti teknologjik, nxjerr në pah nevojën urgjente për kërkimin dhe arritjen e një zgjidhje diplomatike. Rreziku i një lufte bërthamore, qoftë edhe aksidentale është shumë i madh, dhe ai shtrihet përtej Ukrainës.

Mjerisht, kjo çështje nuk po diskutohet aq sa duhet dhe me seriozitet në publik. Shumë amerikanë ka të ngjarë të jenë tërësisht të pavëmendshëm ndaj kërcënimit të shkatërrimit që u qëndron mbi kokë çdo minutë të çdo dite, si dhe për lojërat që po bën qeveria e tyre në raport me një kundërshtar si Rusia.

Ndoshta ata kanë nevojë të lexojnë librin e fundit të Annie Jacobsen “Lufta bërthamore:Një skenar”. Edhe pse ajo skicon një ndërthurje disi të pamundur të ngjarjeve, nuk flitet për fantazi. Konflikti bërthamor është shumë i mundshëm, dhe rezultatet e tij do të ishin apokaliptike. Për më tepër, ai ka më tepër gjasa që të ndodhë në kuadër të mjegullës së Luftës së Ukrainës, sidomos tani që Kievi ka nisur të kërcënojë se do të përdorë një raketë balistike të prodhuar vetë. Ndaj është koha për të arritur sa më shpejt një marrëveshje.

Kandidati për zëvendëspresident të SHBA-së J.D.Vance, ka folur së fundmi mbi elemente të një skenari realist, nëse ai dhe ish-presidenti Trump fitojnë në nëntor. Ndërsa rezultati nuk ka gjasa të kënaqë të gjithë, rreziqet e katastrofës vetëm sa do të rriten me vazhdimin e mëtejshëm të kësaj lufte. Nëse diku shfaqen re të mëdha në formë kërpudhe, nuk do të ketë aspak rëndësi se cilat janë argumentet morale për luftën në Ukrainë.

Siç u shpreh dikur një nga arkitektët e bombës bërthamore J.Robert Oppenheimer: “Ne mund të krahasohemi me dy akrepa brenda një shisheje, ku secili është i aftë të vrasë tjetrin, por vetëm duke rrezikuar jetën e tij”. Kjo thënie, përshkruan më së miri ekuilibrin delikat të mekanizmit të parandalimit bërthamor, dhe domosdoshmërinë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, qoftë edhe me koston e heqjes dorë nga e drejta dhe morali.

/ “National Interest”

MË TEPËR

Mix2 ditë më herët

Cilat janë 5 gjërat që njerëzit më të suksesshëm bëjnë çdo ditë?

Çdo ditë është një mundësi për të bërë përparim dhe për të rritur suksesin tuaj. Disa gjëra të thjeshta, por...

Kryesore2 ditë më herët

“Politikisht je autik nëse voton kënetën”, Edi Rama kërkon falje për deklaratën: Krejt pa dashje

“Të zgjedhësh midis BE-së dhe kënetës, kënetën, domethënë nuk je mirë… Politikisht je autik, nuk je mirë”. Kështu u shpreh...

Radar2 ditë më herët

“Fundërrinë, imoral, legen…” – Kush është njeriu që përçmon më shumë Monika Kryemadhi?

Deputetja Monika Kryemadhi ka ndarë në Quo Vadis në Vizion Plus detaje si nga jeta politike, por edhe personale. Ajo...

Kryesore3 ditë më herët

Edi Rama:Kush shkon tek këneta është, politikisht autik

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar burrat që mbështesin Sali Berishën, duke theksuar se kush shkon, sipas tij, në kënetë është gjysmak....

Mix3 ditë më herët

Nga pjeprat Hokkaido tek bifteku Kobe, 5 ushqimet më të shtrenjta në botë

Teknika të veçanta kultivimi, mbarështues skrupuloz dhe, ndonjëherë, mashtrim. Ka shumë faktorë që mund të bëjnë që një ushqim të...

Aktualitet3 ditë më herët

Donte një fushatë si të Trumpit, po i del një fushatë si e Bidenit

Nga Skënder Minxhozi Si Trump ka vetëm kapelen që i kanë thënë të mbajë në kokë. Të tjerat deri tani...

Kryesore3 ditë më herët

Sondazhi i McLaughlin: PS kryeson me 49.2%, PD mban vendin e dytë. Ja si do të votonin sot shqiptarët

Një sondazh i ri i kryer nga McLaughlin & Associates në bashkëpunim me Top Channel dhe i publikuar në emisionin...

Kryesore7 ditë më herët

Populli ishte gati për rrotacion, opozita jo

Gazetari Ervis Iljazaj komentoi në emisionin Now në Euronews Albania situatën e politikës në Shqipëri para zgjedhjeve të 11 majit....

Mix7 ditë më herët

Si të bini nga pesha në dy javë duke konsumuar vezë të ziera

Vera ende pritet të vijë dhe akoma jemi në kërkim për metodat më të shpejta për të humbur kilogramët e...

Mix7 ditë më herët

Këto janë shenjat më kampione të horoskopit

Në botën e takimeve moderne, “ghosting”-u është kthyer në sport ndërkombëtar – dhe sipas astrologjisë, disa shenja janë thjesht kampione...

Facebook