Lidhu me ne

Radar

Shqiptarët po shtegtojnë, në fole mbetën politikanët?!

Në vendin tonë lartësohen vetëm flamujt larushë të partive dhe masa e servilëve të frikshëm, që brohorasin liderin që është dhjetë hapa para! Dhe…Shqiptarët po shtegtojnë, në fole po mbeten politikanët.

Shkruar nga Ben Andoni

Shqiptarët po shtegtojnë, në fole mbetën politikanët?!

Në vendin tonë lartësohen vetëm flamujt larushë të partive dhe masa e servilëve të frikshëm, që brohorasin liderin që është dhjetë hapa para! Dhe…Shqiptarët po shtegtojnë, në fole po mbeten politikanët.

Pak ditë më parë, një mësues italian, më i vjetri ndër bashkëkombësit e tij të pas demokracisë në Shqipëri, mundohej të apelonte tek cilido që haste për rënien e frikshme të numrit të nxënësve. Është e tmerrshme, pohonte dhe përmendte rastin e Durrësit, ku jep mësim prej vitesh, për një bjerrje të frikshme të fëmijëve në bankat e shkollës. Apeli i sinqertë më shumë fliste për fenomenin e një hemorragjie, që nuk di të ndalet dhe mbi të gjitha konstatimin se nuk shihte asnjë predispozitë për një politikë kombëtare ta ndalë. Kuptohet veç sloganeve të pushtetarëve dhe premtimeve, që vetëm ata në pushtet mund ta ndalin! Po të njohësh gjuhën e shifrave trandesh. Në vitin shkollor 2024-2025 u regjistruan rreth 238 mijë fëmijë për të ndjekur arsimin në sistemin publik 9-vjeçar, referuar të dhënave nga Ministria e Arsimit. INSTAT-i në këtë nivel arsimi në vitin shkollor 2023-2024 llogariti të regjistruar 258 mijë nxënës në të njëjtin sistem.

Me një llogari të thjeshtë mbi këto të dhëna, numri i nxënësve në shkollat 9-vjeçare në këtë sezon është 7.8% më pak se viti i kaluar, ose 20 mijë nxënës më pak (Monitor, 2024). Nëse politikanët e referojnë si plan problematik, duket se pakkush e ka një ide se çfarë do të thotë mungesa e fuqisë punëtore ose injektimi i këtij parametri për ekonominë. Mbi bazën e analizës së kujdesshme statistikore të disa vendeve në zhvillim, Ruchir Sharma tek libri i tij “Ngritja dhe rënia e kombeve” nxjerr se mos injektimi i fuqisë punëtore është një nga shkaqet e fillimit të krizave të mëdha të vendeve në zhvillim.

Kësaj i shtohet mungesa e prodhimit, duke marrë si shembuj kampionë me vendet që kanë ngjitur shkallët drejt stadit të vendeve në zhvillim, shtuar këtu dhe me mbështetjen e ekonomisë mbi eksportin e vazhdueshëm e të palogjikshëm mbështetur te lëndët e para, pa inkurajuar prodhimin vendas. Specialistët e ekonomisë vendosin dhe argumente të tjera, por një gjë duket qartë: mungesa e adresimit të politikave të duhura për bjerrjen nuk tregon thjesht shkurtpamësi nga politika, por më shumë se kaq përfitimin e momentit, atë që u intereson fare pak njerëzve të lidhur me pushtetin dhe të panginjurve për para (lexo: të korruptuarit).

Censusi i këtij viti tregoi edhe zyrtarisht bjerrjen e shqiptarëve, ndërkohë shifrat e nxjerra po anatemohen nga opozita! Kuptohet ndodhi vetëm ditët e para, sepse edhe ata tashmë mendojnë vetëm sesi të vinë në pushtet. Veçse të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave për Censin e dymbëdhjetë në historinë e shtetit shqiptar konsiderohen alarmante: Popullsia rezidente ishte 2.402.113 banorë. Dymbëdhjetë vjet më parë, në Censusin e vitit 2011, popullsia faktike ishte ndalur tek shifra 2.8 milionë banorë ndërsa shtesa natyrore për periudhën 2012-2023 është vetëm 88 mijë vetë (Reporter, 2024).

Nuk është se problemi nuk po gjen adresime, por ende tek ne nuk ka alarm. Shqetësimi është më i madh, kur kupton se fenomeni është edhe larg mundësive të politikës, madje deri në politikën që po bëjnë vendet e fuqishme ndaj atyre të varfër si yni, me këtë rast. Fajin e ka demokracia apo BE-ja? Nëse BE-ja kërkon fuqi punëtore dhe për këtë mbase ndihu dhe liberalizimin e vizave për të gjithë vendet tona, pse duhet të fajësojmë veç politikanët tanë?

Pse pushtetarët tanë nuk i thonë disa të vërteta?! Në parantezë, pak vite më parë në Vlorë u rihap pas shumë viteve thashethemet se do kishte sërish eksod dhe në qytet mbërritën njerëz nga të gjithë qytetet. Ngjante qesharake që pas dy eksodeve në momentet e vështira të vendit, të shtohej një e tretë, kur vendi po ruante një lloj stabiliteti politik dhe ekonomik. Asokohe autoritetet diplomatike gjermane e mohuan dhe madje u shprehën ashpër ndaj atyre që kishin krijuar këtë fabul, duke kërkuar që fajtorët të vendoseshin para përgjegjësisë. Paradoksi ishte se vetëm pak javë më pas masiviteti i ikjes së shqiptarëve nuk do ndalej.

Kuotat e regjistrimeve të infermierisë ishin në maksimum. Të mjaftonte të shikoje e dëgjoje regjistrimin e atyre kohëve në Qendrën “Gëte” për mësimin e gjermanishtes dhe tmerroheshe se deri ku arriti e gjitha psikoza e ikjes? Sa të mbaroj gjimnazin dhe do iki, na thanë asokohe në një reportazh që realizuam me KAS, çdo i ri që pyesnim. Hapur. Cinikë. Të ftohtë. Nuk kishin asnjë sens frenimi dhe shprese. Prindërit i inkurajonin dhe të gjithë planifikonin sesi të iknin një orë e më parë…nga mallkimi shqiptar, ku nuk flitet për rregull, ligj dhe meritokraci.

Letërsia ka gjetur udhë të tjera dhe na e ka disi lehtësuar qasjen. Bullgaria është një vend, që është po kaq i shqetësuar e mbase më shumë për fenomenin, i cili nuk ndalet dhe sot që gjendet në gjirin e vendeve të BE-së, por intelektualët e saj mbeten vazhdimisht kritikë falë edhe fuqisë së artit. Politologu Ivan Krastev na tregon fabulën e romanit satirik “Misioni Turan” i një autori plot peshë bullgar, Alek Popov, përkthyer edhe në shqip. Presidenti i vendit të tij, për të marrë një mandat të ri dhe për të plotësuar mungesën e qytetarëve të vet votues që iknin, përdori dhënien e pasaportave të qytetarëve që kishin pasur prej kohësh të harruara një lidhje origjine historie me Bullgarinë. Por, të ashtuquajturit bullgarët e rinj, sapo i morën pasaportat, ia mbathën në Perëndim duke i shkaktuar humbje në zgjedhje! Paradoksi e kishte vrarë me aktin e vet presidentin.

Për fat të keq, arti ynë nuk tregon shumë vëmendje për këto gjëra dhe madje nuk është se i trajton bindshëm. Në gjë është e sigurt: tashmë humbja e popullsisë shihet ngado, madje edhe në vetë Perëndimin po kthehet në dhimbje koke. Veçse, ata e zgjidhën dhe po e adresojnë duke e treguar realisht përmes mirëqenies së tyre dhe mbi të gjitha sigurisë dhe rregullit të shtetit ligjor. Nuk duhet të harrojmë se në mungesë të emigracionit në shkallë të gjerë edhe shtetet evropiane të mirëqenies janë të dënuara. “Por qeveritë që mbrojnë kufijtë e hapur janë në telashe në shumicën e vendeve anëtare të BE-së dhe, veçanërisht në Evropën Lindore.

Pra, Evropa ka nevojë dëshpërimisht për emigrantë për të ruajtur modelin e saj social, por votuesit nuk janë të gatshëm t’u hapen kufijtë. Romani na ndihmon të kuptojmë se në një demokraci njerëzit zgjedhin qeveritë e tyre, por qeveritë po përpiqen gjithashtu të zgjedhin njerëzit e tyre duke hartuar ligje për shtetësinë, duke hartuar ligjet zgjedhore dhe duke përdorur praktika deri si mashtrimi dhe shtypja e votuesve. Dhe ndërsa tundimi i qeverive për të zgjedhur ‘popullin’ është një tipar i vazhdueshëm i politikës demokratike në momentet e ndryshimeve dramatike demografike, sociale dhe kulturore, në ndërkohë mënyra se si qeveritë përpiqen të zgjedhin njerëzit e tyre po bëhet e një rëndësie kritike”, referon Krastev në artikullin e tij “Demography and the East-West Divide in Europe” (Demografia dhe ndarja Lindje-Perëndim në Evropë).

Në momentet e tilla, ku po kalon edhe Shqipëria, politika e migrimit, diasporës po kthehen në çështje qendrore në politikën elektorale dhe emigranti më i mirë konsiderohet ai që do të votojë për partinë në pushtet. Jemi akoma larg përfshirjes si duhet të diasporës, madje në një vend që po përball vështirësi shumë të mëdha për fuqinë e saj të rrudhur punëtore. Çka shihet qartë është se adresimi i duhur nuk e zë vendin, që i takon në retorikat e liderëve tanë, bashkë me mënyrën e zgjidhjes, ashtu si të çudisin miopitë e politikës që ka ndezur motorët e fushatës zgjedhore me një narracion shumë të vjetër. Ndërkohë shifrat janë të frikshme, kurse fenomeni të trand: “Projeksionet vlerësojnë se deri në vitin 2050, Bullgaria do të ketë humbur 39% të popullsisë së saj krahasuar me 1989, Bosnja 37%, Rumania 31%, Serbia dhe Kroacia 24%, dhe Shqipëria 25%… Që nga periudha e rënies së Komunizmit dhe fundit të luftërave në Jugosllavi, banorët e Ballkanit bënë më pak fëmijë dhe emigruan masivisht. Kjo të favorizuar edhe nga mungesa e fuqisë punëtore në rajone të caktuara të Evropës, si Gjermania”. (The Economist, 2020).

Ndaj, e kuptoja mirë apelin e zëshëm dhe frikën e mos reagimit të autoriteteve shqiptare, kur mësuesi italian, që lëviz përditë me një biçikletë të vjetër, ma thoshte para fytyrës. Veçse jam i pafuqishëm, ashtu si shumë të tjerë, para një mali që s’bëzan. Në vendin tonë lartësohen vetëm flamujt larushë të partive dhe masa e servilëve të frikshëm, që brohorasin liderin që është dhjetë hapa para! Dhe…Shqiptarët po shtegtojnë, në fole po mbeten politikanët.

(Homo Albanicus)

MË TEPËR

Kryesore12 orë më herët

Sloganet e partive politike dhe mesazhet– si do të ndikojnë në fushatën zgjedhore?

Gëzim Mekuli – Njohës i mediave dhe retorikës Sloganet e bëra publike nga partitë politike për zgjedhjet e shumëpritura të...

Radar12 orë më herët

Gazetarja e njohur: Kam 10 shoqe beqare, asnjë burrë shqiptar nuk i do

Gazetarja e njohur Iva Tiço ka qenë e ftuar në emisionin Opinion, ku u diskutua tema: “Pse po vështirësohen martesat...

Radar12 orë më herët

“New York Times”: Kompleksi luksoz 1.4 miliardë dollarë, që dhëndri i Donald Trump do ndërtojë në Shqipëri

Vendimi i qeverisë shqiptare për të shpallur investitor strategjik kompaninë e Jared Kushnere, dhëndrit të Donald Trump për të ndërtuar...

Mix14 orë më herët

Për aneminë/ Kura natyrale për të rritur hemoglobinën

Hemoglobina është një proteinë që gjendet tek rruazat e kuqe të gjakut. Ajo janë përgjegjëse për transportimin e oksigjenit në...

Mix14 orë më herët

6 ushqime që shkaktojnë celulitin

Celuliti edhe pse nuk përbën një rrezik serioz për shëndetin, mund të krijojë probleme estetike. Duhet të dini se celuliti...

Mix14 orë më herët

“M’u duk sikur humba diçka nga vetja”, simptomat e paramenopauzës që çdo grua duhet t’i dijë

NGA: DAVINA McCALL Menopauza është më shumë se një libër, është një lëvizje. Një kryengritje. Nuk e di për ju,...

Kritike16 orë më herët

Ora e një vendi ka ngecur në psikikën e një njeriu (realizuar nga z. Agim Sulaj)

Është një karikaturë e Shqipërisë padyshim, e postuar në profilin në Facebook të piktorit Agim Sulaj. Po e sjellim vetëm për gjetjen...

Aktualitet16 orë më herët

PD zbulon 15 pikat e programit ekonomik, Berisha: Fund varfërisë brenda 100 ditëve të para të qeverisjes

Sali Berisha Partia Demokratike ka paraqitur pikat e programit ekonomik, që sipas saj, do të bëjë të mundur nxjerrjen e...

Mix16 orë më herët

Sofia Vergara në një romancë dashurie me Lewis Hamilton?

Aktorja e “Modern Family”, Sofia Vergara u fotografua në atë që dukej të ishte një takim dreke me pilotin e...

Kryesore16 orë më herët

Flamur Noka: Ilir Metën do ta fusim në listat e sigurta për 11 majin

Para betejës elektorale me kundërshtarin politik, demokratët i pret një garë e brendshme për te përzgjedhur kandidatët për deputet. Por,...

Facebook