Lidhu me ne

Temporal

Kush e vrau vërtet Pier Paolo Pasolinin?



Pier Paolo Pasolini në vitin 1971

Nga Marianna Giusti

Zemra e tij ndali natën e 2 nëntorit 1975. Lutjet e tij “Mami! Mami!” nuk bënë asgjë për të ndaluar makinën “Alfa Romeo” që të mos e shtypte. Kur makina u largua me shpejtësi, trupi i tij ishte i shtrirë në një fushë futbolli të ndotur, nën një qiell pa hënë. Një erë e ftohtë ulërinte nëpër gropat përreth të Ostias dhe jo shumë larg, lumi Tiber rridhte ngadalë në det.

Ai kishte pësuar fraktura në dërrasën e kraharorit, nofullën e majtë, 10 brinjë dhe të gjithë gishtat në dorën e majtë. I ishte shqyer mëlçia, po ashtu edhe zverku i qafës. Krahët e tij të hollë por me muskuj ishin të njollosur me mavijosje obsidiane.

Një rrip i gjatë me shenja të vogla e të kuqe shihej mbi fytyrën e tij të zbehtë, në një model simetrik që përputhej me gomave të Alfa-s. Flokët në kokë i ishin brumosur me dhe, gjak dhe vaj, hunda ishte rrafshuar djathtas, veshi i majtë thuajse tërësisht i shkëputur.

Megjithatë, të gjithë ata që e panë trupin të nesërmen në mëngjes e dinin saktësisht se kush ishte ai. Shikuesit mund të dallonin ende faqet e zhytura në mënyrë elegante, mollëzat në formë diamanti dhe vetullat e gjata, të drejta dhe serioze nën një ballë të zhytur në mendime. Të gjithë e dinin se ishte Pier Paolo Pasolini.

Regjisori 53-vjeçar kishte arritur famë botërore me filmat fitues të Çmimit të Madh të Kanës, të cilët përzienin tregimet e prostitutave romake dhe heronjve biblike, mjerimin bashkëkohor dhe mitin klasik. Por Pasolini kishte qenë imun ndaj lajkave të famës. Asnjë formë apo besim i vetëm arti nuk mund të përmbajë inteligjencën e tij të pakompromis e të hollë dhe ai dukej se kënaqej duke sfiduar kategorizimin. Mori anën e të varfërve, por kundërshtoi arsimin e detyrueshëm. Ai kundërshtoi fanatizmin seksual, por shkroi kundër abortit. Ai ishte një kritik i “diktaturës së konsumizmit”, por ai nuk mund t’u rezistonte makinave të shtrenjta sportive. Dhe ai nuk e fshehu se ishte homoseksual në një vend ku kjo gjë nuk ishte e lehtë.

Në kohën e vrasjes së tij, filizi që lidhte së bashku veprën e Pasolinit ishte neveria e tij në rritje me botën moderne, e zbutur nga dhembshuria për shtresën e ulët të Italisë, të cilën ai mendonte se kapitalizmi po e korruptonte me shpejtësi. Pas vrasjes së Pasolinit, regjisori Michelangelo Antonioni tha se bashkëkohësi i tij ishte bërë “viktimë e personazheve të tij”.

Sipas rrëfimit të asaj nate, e cila në sistemin juridik italian njihet si “verità processuale”, ose “e vërteta e gjyqit”, vrasësi ishte një adoleshent. Giuseppe Pelosi, 17 vjeç, e kishte rrëfyer krimin vetëm disa orë më vonë. Ai mezi e fliste rrjedhshëm italishten standarde dhe me flokët e tij të trasha e të padisiplinuara dhe buzëqeshjen e zbehtë, dukej sikur kishte dalë menjëherë nga një fantazi pasoliniane, një njeri tjetër i vetëkënaqur e pa këpucë që endet në periferi të Romës së pasluftës të goditur nga uria.

Atë natë, Pasolini e kishte marrë nga stacioni Termini, ku Pelosi dhe të rinj të tjerë zakonisht shisnin shërbime seksuale dhe e kishte çuar në Ostia. Një mosmarrëveshje mbi natyrën e seksit për të cilin paguhej ishte kthyer në dhunë vdekjeprurëse. Pelosi kishte vepruar në vetëmbrojtje.

I mbiquajtur Pino nga miqtë dhe Frog nga shtypi, për shkak të syve të tij të fryrë, Pelosi u bë i famshëm brenda natës. Teksa u shoqërua nga komisariati të nesërmen e vrasjes, mbi turmën e mbledhur u ngritën thirrjet: “Shko Pino!” “Bravo, Pino!” “Pino, qëndro i fortë!” Ky lloj adhurimi për vrasësin e pranuar të një prej artistëve më të mëdhenj të Italisë do zgjaste deri në heqjen dorë nga e gjithë historia dekada më vonë. Por ditën e arrestimit të tij, një kalimtar i pashqetësuar në qendër të Romës u shpjegoi me qetësi gazetarëve: “Një homoseksual vdiq. Po tani?”

“Hape gojën”

Stefano Maccioni hapi nofullat e tij gjerësisht dhe shikoi lart në tavan. Një oficer i ri lau me butësi mishrat e dhëmbëve me një shtupë pambuku. Maccioni u përkul. Oficeri hoqi tamponin, shikoi me vëmendje pështymën e ngjitur pas sythit të pambukut, opaleshente dhe me flluska, më pas vidhosi një enë në formë stilolapsi të mbyllur rreth tij. Ai kontrolloi dy herë të dhënat personale në dosjen e Maccionit: avokat mbrojtës penal, lindur në Pieve a Nievole, 44 vjeç, i martuar.

Avokati Stefano Maccioni është fotografuar në fillim të kësaj vere në zyrën e tij të vogël në Romë. Ai filloi rihetimin e çështjes Pier Paolo Pasolini në vitin 2008, i goditur nga ‘padrejtësia e tij e dukshme’

Dielli roman u derdh në dhomën e ekzaminimit në selinë e RIS, Agjencisë Kriminale italiane të Mjekësisë Ligjore. Agjencisë i nevojitej një mostër ADN-je për të përjashtuar Maccionin nga lista e të dyshuarve, në rast se ai linte ndonjë gjurmë biologjike në provat materiale që do kërkonte.

Ishte maji i vitit 2010 dhe Maccioni ishte prej dy vjetësh në atë që do bëhej një kërkim 16-vjeçar për të vërtetën e asaj që ndodhi në të vërtetë natën kur u vra Pasolini. Pas marrjes së shtupës, ai priti me padurim që një oficer të vinte dhe ta shoqëronte në dhomën sterile ku kutitë e provave për çështjen ishin ruajtur që nga viti 1975.

Në kohën e vrasjes së Pasolinit, Maccioni ishte një djalë 10-vjeçar, i rritur në një familje tradicionale rurale italiane: futboll deri në muzg, meshë të dielave. Megjithëse familja e tij kishte të ardhura modeste, Maccioni nuk e kishte zgjedhur fushën e drejtësisë me synimin për të ngritur statusin.

“Nëse unë do i tarifoja klientët e mi me orë siç bëjnë amerikanët,” i pëlqente të bënte shaka, “tani do kisha një Ferrari”.

Që në fillim, karriera e Maccioni u shenjua nga disa nga çështjet kriminale të profilit të lartë në vend. Në vitin 1997, ai u emërua për të mbrojtur Karl Hass, një ish-oficer nazist që po gjykohej për rolin e tij në masakrën e Ardeatinës, gjatë së cilës u vranë 335 civilë.

Maccioni, i cili me ligj nuk mund ta hishte poshtë punën, e kaloi detyrën duke u larguar nga revizionizmi historik, ndryshe nga avokatët e tjerë që mbronin kriminelët e luftës. Ai u përpoq të tregonte, u tha gazetarëve në atë kohë, “respektin maksimal për viktimat”. Pas çështjes, e cila përfundoi me dënimin e Hasit me burgim të përjetshëm, Maccioni punoi vetëm në emër të viktimave.

Në qershor 2008, ai ishte në një konferencë në Qipro kur një kolege rastësisht përmendi se mendonte se Pasolini ishte rasti më intrigues i Italisë. Në vitin 1979, Pelosi ishte dënuar me nëntë vjet burg, pavarësisht pyetjeve të shumta pa përgjigje dhe mjekësisë ligjore të pashqyrtuar. Gjatë dekadave, një sërë teorish të krimit, duke filluar nga të besueshme deri tek ato më shumë imagjinatë, ishin përhapur.

Avokatët dhe magjistratët e tjerë kishin bërë peticion me sukses për rihapjen e çështjes, por nuk ishin në gjendje ta zgjidhnin atë. Më pas, gjatë një paraqitjeje shpërthyese televizive të vitit 2005, Pelosi – në atë kohë 47 vjeç dhe një burrë i lirë – e deklaroi veten të pafajshëm. Rrëfimi i tij në kohën kur u dënua dhe heshtja prej tre dekadash që pasoi, pohoi ai, ishin arritur përmes kërcënimesh me vdekje të bëra nga figura të paidentifikuara.

Faqja e parë e edicionit të 3 nëntorit 1975 të gazetës së përditshme italiane Il Corriere della Sera, me vrasjen e Pasolinit dhe arrestimin e 17-vjeçarit Giuseppe Pelosi si histori kryesore

Nuk ishte melodrama e lartë e çështjes Pasolini që e intrigoi Maccionin; ishte padrejtësia e dukshme. Instinktet e tij të bamirësisë ishin thelluar më shumë pasi u bë baba së fundmi dhe, në fillim të të dyzetave, Maccioni e njihte veten mjaft mirë sa të pranonte se ishte një idealist, me një vizion romantik të drejtësisë. Në zyrën e tij të vogël në Romë, ai filloi të studionte rastin.

Maccioni filloi duke u familjarizuar me të vërtetën e gjykimit. Rrëfimi i Pelosit shkoi kështu: ai kishte takuar regjisorin për herë të parë atë natë në stacionin Termini të Romës rreth orës 22:00. Të dy shkuan për darkë, më pas Pasolini i çoi në Ostia, rreth 18 milje larg, për të bërë seks.

Në fushën e baltosur, ku më vonë u gjet trupi i Pasolinit, ata debatuan. Pelosi pretendoi se regjisori e sulmoi atë, duke bërtitur, “Unë do të të vras”. Pelosi u kundërpërgjigj, duke marrë një copë druri nga toka duke rrahur Pasolinin derisa ai nuk mund të lëvizte. Më pas Pelosi hipi në makinën Alfa Romeo dhe e shtypi Pasolinin.

“Isha vetëm”, përfundoi ai.

Maccioni mundi menjëherë të shihte se kishte probleme me këtë dëshmi. Pelosi pretendoi se po “pikonte gjak” kur hipi në makinë, por Alfa Romeo ishte gjetur me tapiceri të brendshme kryesisht të pastër. Pelosi tha gjithashtu se ai nuk e kishte vënë re se e kishte kaluar mbi trupin e Pasolinit me makinë, megjithëse autopsia e Pasolinit tregoi se ai ishte kaluar me makinë disa herë.

Sipas të vërtetës së gjyqit, Pelosi u ndalua nga policia në Ostia për tejkalim shpejtësie në orën 1:30 të mëngjesit. Por forcat e rendit i thanë familjes së tij se makina e Pasolinit u gjet nëpërmjet Tiburtinës, 25 milje nga Ostia. Përse policia kishte lidhur dy versione kontradiktore se ku dhe si u gjet Alfa Romeo nuk ishte shpjeguar kurrë.

Maccioni po punonte vetëm në zyrën e tij një natë vonë, duke ngrënë biskota me çokollatë, kur nxori vendimin e shkallës së parë të çështjes Pasolini, nga prilli 1976. Në Itali, gjykimet penale janë një proces ligjor me shumë faza, gjatë të cilit çdo rast shqyrtohet nga gjykata dhe shkallë drejtësi të ndryshme. Është e pazakontë që gjykimi i shkallës së parë, gjetjet e fazës fillestare të këtij procesi, të ndryshojnë aq drastikisht sa do ndryshonin në çështjen Pasolini.

Teksa lexonte, Maccioni ndjeu t’i ngriheshin përpjetë qimet e kokës. Vendimi i shkallës së parë jo vetëm që e shpallte Pelosin fajtor për vrasje “në bashkëpunim me të tjerë të panjohur”, por gjithashtu ngrinte dyshime serioze për rrëfimin e tij. Kryegjykatësi vuri në dukje se ishte “e pamundur” që Pelosi të kishte dalë nga përleshja që ai e përshkroi, pa mavijosje dhe se rrobat e tij kryesisht të pastra ishin “të papajtueshme” me gjetjet e autopsisë së Pasolinit. Në një mospërputhje tjetër të madhe, arma e supozuar nuk përputhej me plagët e Pasolinit.

Kur procesi ligjor arriti në përfundimin e tij përfundimtar tre vjet më vonë, Pelosi u shpall sërish fajtor. Por këtë herë nuk u përmend më “të tjerë të panjohur”. Ai u dënua përfundimisht dhe për sa i përket drejtësisë italiane, çështja u mbyll.

Pasolini në Romë në vitin 1950. Regjisori nuk e fshehu se ishte homoseksual; Pas rrëfimit të Pelosit, e gjithë trashëgimia e tij artistike u zhvesh si një ndëshkim për dëshirat e tij të pazakonta

Maccioni qëndroi dhe ecte lart e poshtë zyrës së tij, duke lexuar vendimet. Pse vrasja e një gjeniu kishte marrë kaq pak shqyrtim? Pse rrëfimi i gabuar i Pelosit ishte bërë themeli i vendimit përfundimtar? Çfarë ndodhi ndërmjet vendimeve për të ndryshuar rezultatin e gjyqit? Ai shikoi tavolinën e tij, rrëmujën e dosjeve nën dritën e llambës mbi tavolinë dhe ndjeu sikur sapo kishte kaluar një vijë të padukshme.

Disa muaj më vonë, Maccioni lexoi për publikimin e “Deep Black”, një libër nga Giuseppe Lo Bianco dhe Sandra Rizza, reporterë të specializuar në rastet e lidhura me mafien dhe terrorizmin. Ngjyra e zezë në titull ishte një referencë për ngjyrën e këmishave ushtarake fashiste, gjë që u dha terroristëve italianë të ekstremit të djathtë pseudonimin “neri”. Libri ishte i pari që e vendosi siç duhet rastin Pasolini në kontekstin e tij historik.

Italia në vitet 1970 ishte një vatër e vrasjeve politike. Këto ishin “Vitet e Plumbave” të vendit, siç do t’i quanin historianët, gjatë të cilave atentaete, daljet nga shinat e trenave, rrëmbimet dhe sulmet terroriste morën më shumë se 400 jetë të pafajshëm.

Në të gjithë Evropën Perëndimore, agjencitë lokale të inteligjencës dhe operacionet pas të ci;ave qëndronte NATO-ja – njësi sekrete paraushtarake të krijuara pas Luftës së Dytë Botërore – u përpoqën të frenonin veprimtarinë e ekstremit të majtë, me anë të luftës psikologjike dhe operacioneve sekrete. Pjesa më e madhe e dhunës në Itali u krye nga grupet e djathta, duke u përpjekur të mbanin nën kontroll partinë komuniste më të qëndrueshme në Evropë.

Politika e Pasolinit ishte e ndërlikuar. Një marksist i vetëshpallur katolik dhe antifashist i vendosur, ai i përkiste partisë komuniste deri në vitin 1949, kur anëtarësimi i tij thuhet se u anulua pas një skandali homoseksual që përfshinte të rinjtë. Në vitet 1970, politika kishte filluar të monopolizonte vëmendjen e regjisorit.

Në vitin 1972, ai filloi të shkruante editoriale të gjata dhe plot pasion për Corriere della Sera, gazetën kombëtare me ndikim. Tre vjet më vonë, ato depërtuan në filmimin e tij në “Salò”, ose 120 ditët e Sodomës, deri tani vepra e tij më politike. Filmi i tij i 25-të dhe i fundit është një dramë periodike që portretizon një distopi seksuale sadiste në Republikën Sociale Italiane, shtetin kukull nazist të krijuar në Salò, afër Breshias, pas pushtimit gjerman të vitit 1943.

Për habinë e Maccionit, “Deep Black” argumentoi se vrasja e Pasolinit ishte e motivuar politikisht. Libri jepte me hollësi përplasjet e establishmentit politik dhe industrial të Italisë në vitet 1960 dhe 1970, duke filluar me vdekjen misterioze në vitin 1962 të Enrico Mattei, shefit ekzekutiv të gjigantit të energjisë “Eni”.

“Deep Black” raportoi se një hetim 10-vjeçar nga një gjykatës i quajtur Vincenzo Calia sugjeroi se përplasja e avionit që kishte vrarë Mattein ishte orkestruar nga Cosa Nostra amerikane. Pasolini, shpjegoi libri, kishte hetuar Mattein dhe pasardhësin e tij në “Eni” për librin e tij të papërfunduar, të titulluar “Petrolio”.

Në mars 2009, Maccioni paraqiti një kërkesë për rihapjen e çështjes Pasolini. Sipas ligjit italian, çdokush mund t’i bëjë kërkesë prokurorit publik për të rihapur një çështje të arkivuar vrasjeje duke paraqitur prova të anashkaluara. Nëse edhe prokurori edhe gjyqtari e pranojnë kërkesën, prokuroria fillon rihetimin e çështjes. Maccioni u kërkoi zyrtarëve që të shqyrtonin provat përmes ekzaminimeve moderne mjeko-ligjore, veçanërisht testimit të ADN-së, dhe të marrin në konsideratë një motiv politik, të cilin ai e mbështeti duke bashkangjitur fragmente nga hetimi i Calias. Një vit më vonë, kërkesa e tij u pranua.

Maccioni mbuloi gojën me një maskë për fytyrën, veshi një përparëse me një copë ngjyrë jeshile nenexhiku, vuri një rrjetë flokësh, mbulesë këpucësh najloni blu dhe doreza të trasha plastike. Duke ecur përpara dhomës së RIS, rrugës për në provat e pashqyrtuara, ai dukej si një astronaut. Pas përfundimit të procesit të sterilizimit që i paraprin qasjes në provat kriminale, Maccioni kaloi pranë një muri prej xhami dhe më pranë së vërtetës. Nëse, siç dyshonte ai, provat e ADN-së sugjeronin që Pelosi dhe Pasolini nuk ishin vetëm atë mbrëmje, e vërteta e gjyqit të vitit 1979 do rrëzohej si një shtëpi kartoni.

Stafi i RIS punoi në heshtje, me pajisje të plota kirurgjikale, lëvizjet e tyre ishin të  bashkërenduara dhe të patëmeta. Një nga një, nga kutitë u nxorrën 29 prova materiale. Ndërsa një oficer vari disa nga provat në një dërrasë të bardhë, duke i varur në një fije najloni, një tjetër e vendoste me kujdes pjesën tjetër në një tavolinë të mbuluar me leckë blu sintetike. Çdo prove i vihej një etiketë e madhe kartoni. Disa u vendosën pranë vizoreve, për referencë të madhësisë. Të gjitha provat prej tekstili me gjurmë të lëndës organike u prenë në mostra të vogla dhe u mbyllën në qese plastike për t’u dërguar për testim.

Një oficer me një aparat fotografik DSLR fotografoi gjithçka, një blic dhe një zhurmë kërcitëse që shënonte çdo shkrepje. Mbathjet e zeza të Pasolinit, çorapet ngjyrë kafe, xhinset Lois të Pasolinit, të lyera me gjak mbi ijë, çelësat e Pasolinit, bexha e shtypit e Pasolinit, xhaketa kauboji e pacenuar në ngjyrë çokollate e Pasolinit, me arna tartan në skaje dhe supe, xhupi i Pelosit, bluza e Pelosit, xhaketa e kuqe e Pelosit, një hartë, një krehër, një pllakë druri e thyer që Pelosi tha se ishte arma që kishte përdorur.

Disa nga objektet e përditshme ishin aq çarmatosëse në normalitetin e tyre sa Maccioni ndjeu një shqetësim të thellë. Madje, e zhytur në gjak, këmisha Missoni e Pasolinit dukej e bukur. E bërë me pambuk të hollë dhe të thurur, modeli i saj ishte si një det me vija të valëzuara. Maccioni imagjinoi Pasolinin, me gjoks të zhveshur në mëngjesin e fundit të jetës së tij, duke e zgjedhur atë nga garderoba.

Objektet e pazakonta që dilnin nga kutitë ishin më keq. Më kryesorja midis tyre ishte një unazë në pronësi të Pelosit. Mbështetur në një piedestal të vogël në shtratin e tij, guri i madh prej xhami në mënyrë disproporcionale, në formë ovale dhe ngjyrë purpurt, i dukej Maccionit si një “sy i keq”.

Në vitet 1970, ishte kjo unazë që kishte mbajtur së bashku të vërtetën e gjyqit. Pas arrestimit, Pelosi kishte këmbëngulur që policia të kërkonte për sendin e tij të preferuar. Edhe pse i rrinte ngushtë në gishtin e tij të vogël, ai pretendoi se e kishte humbur unazën. Më vonë ajo u gjet pranë trupit të Pasolinit dhe supozohet se konfirmoi praninë e Pelosit në vendin e krimit.

Maccioni u kthye nga gjërat e Pasolinit. Syzet e tij, me xhama të mëdhenj ombre, të mbështjellë skeletin tortoise, ngjallnin imazhin e kultivuar të regjisorit të ndjerë. Kushdo që do t’i hidhte një sy një fotografie të Pasolinit, i kishte parë ato syze. Ai i kishte mbajtur ato në festa dhe shfaqje me kravata të zeza ndërsa xhironte filma nëpër Evropë. Maccioni e dinte se shumë njerëz e kishin hedhur poshtë skeleton tortoise si një afeksion, por ata që ishin më të afërt me Pasolinin e dinin se ato ishin një mbulesë sigurie, një “patericë emocionale, që e ndihmoi atë të mbante peshën e një ndjeshmërie të jashtëzakonshme”, sipas një shoku të ngushtë.

Pasolini në vitin 1974 në punë pas kamerës në xhirimet e “Il fiore delle mille e una notte” (“Netët Arabe”), i fundit në serinë e tij “Trilogjia e Jetës”

Fakti që jeta e Pasolinit ishte shoqëruar nga trauma nuk u kontestua kurrë. Në moshën 19-vjeçare, ai u largua nga Bolonja me nënën e tij Susanna dhe vëllain më të vogël Guido, për t’u strehuar nga bombardimet amerikane në Casarsa. Guido e adhuronte Pier Paolo-n për intelektin dhe idealet e tij revolucionare, dhe Pier Paolo e dinte se ai, në një farë mënyre, kishte radikalizuar vëllain e tij. Ishte Pier Paolo ai që e çoi Guidon në takimet e rezistencës. Ishte Pier Paolo ai që i dha një armë. Ishte Pier Paolo ai që e çoi për të kapur trenin për në front në vitin 1944. Jo shumë kohë më pas, Guido u vra nga nacionalistët jugosllavë ndërsa luftonte me rezistencën partizane.

Pasolini u ndje përgjegjës për vdekjen e Guidos për pjesën tjetër të jetës së tij. Të vetmuar dhe të pikëlluar, Pasolini dhe Susanna vetëm sa u afruan më shumë. Por në prill të vitit 1976, familja Pasolini u tërhoq “qetësisht dhe pa arrogancë” nga gjyqi i vrasjes. Në atë kohë, Susanna kishte filluar të shfaqte shenja të demencës dhe, pasi humbi fëmijën e saj të dytë nga një vdekje e dhunshme, ajo u tërhoq pas një velloje heshtjeje derisa vdiq në 1981.

Maccioni, i cili ka takuar vetëm një herë një pjesëtar të familjes, shpesh pyeste veten se si ata nuk u prekën nga absurditetet e çështjes, nga pyetjet e pafundme pa përgjigje dhe nga dëshmitë kontradiktore. Ai ndonjëherë mendonte se e kishin lënë për të vazhduar hetimin për vrasjen e Pasolinit në emër të tyre. Tani, ai ishte përgjegjës për zhvillimin më të madh të çështjes që nga viti 1975, duke testuar provat për ADN-në. Një oficer fotografoi syzet e diellit dhe vijoi punën.

Një natë e qetë shtatori po zbriste në Venecia. Kishin kaluar katër vjet nga rihapja e hetimeve. Megjithëse Maccioni nuk ishte në dijeni të të gjitha zhvillimeve të hetimit konfidencial, ai ishte ende i bindur se përfundimi i tij do rishkruante të vërtetën e asaj që kishte ndodhur natën që Pasolini u vra.

Ai qëndronte i vetëm, duke pritur me padurim, i veshur me kostumin e tij të zi më të mirë, jashtë Palazzo del Cinema. Ai shikonte në heshtje teksa të famshmit zbrisnin nga motobarkat prej druri të llakuar, të veshur me smoking dhe fustane të modës. Ata ishin këtu për Festivalin e 71-të të Filmit në Venecia dhe premierën e Pasolinit, me regji të Abel Ferrara dhe me aktorin Ëillem Dafoe. Filmi i ri biografik gjithashtu supozohet të tregonte të vërtetën e orëve të fundit të Pasolinit.

Ferrara, një autor neo-noir 63-vjeçar, i njohur për filmat kontrovers, si p.sh., “Bad Lieutenant” me grafikë të pamëshirshëm, mbërriti me madhështi. Biografi i vetëemëruar i Pasolinit po ecte para turmës, me një këmishë të lirë të zbërthyer dhe duke u mbajtur për dore me partneren e tij 20-vjeçare, të veshur me temina. Ai dukej i vetëkënaqur, mendoi Maccioni.

Disa javë më parë, Ferrara ishte paraqitur në zyrën e Maccionit, me një përkthyes dhe një asistent. Avokati u ofroi atyre ekspres dhe tarta me reçel supermarketi dhe i informoi gjatë. Pelosi, tha ai, jo vetëm që e kishte tërhequr rrëfimin e tij, por gjithashtu pranoi, në autobiografinë e tij të vitit 2011, se ai dhe Pasolini kishin qenë në lidhje që nga fillimi i korrikut 1975. Nëse është e vërtetë, kjo nënvizon ndjeshëm interpretimin kulturor të pranuar të krimit si pasojë morale e seksit imoral.

Maccioni e pyeti Ferrarën se çfarë versioni të vrasjes synonte të tregonte.

“A nuk është ky vendi i mistereve,” u përgjigj ai, duke tundur kokën.

“Ju italianët nuk jeni në gjendje t’i zgjidhni vetë vrasjet tuaja!” (Ferrara kundërshton rrëfimin e Maccionit për takimin.)

Maccioni e dinte se Ferrara kishte të drejtë, por kishte frikë se regjisori po anashkalonte kontekstin vendimtar kulturor, duke përfshirë ngurtësinë historike të qëndrimeve seksuale të italianëve. Gratë kishin qenë ligjërisht përgjegjëse për tradhtinë bashkëshortore deri në vitin 1968 dhe, në kohën e vrasjes së Pasolinit, nëse i vrisnin burrat e tyre, “vrasje pasioni” ishte një rrethanë lehtësuese e pranueshme. Në kohën e vrasjes së Pasolinit, divorci ishte i ligjshëm vetëm për pesë vjet.

Syze dielli nga vendi i vrasjes, një nga provat e shumta të testuara për ADN nga Maccioni

Armiqtë e Pasolinit e kishin fiksuar homoseksualitetin e tij të hapur gjatë gjithë jetës së tij. Fiksimi i tyre, megjithëse soditës, u fal gjerësisht për shkak të përfshirjes së Pasolinit në raporte me burra shumë më të rinj. Në vitin 1949, ai u akuzua për “shthurje publike dhe korrupsion të të miturve”, pas një episodi të diskutueshëm që dyshohet se përfshin djem më të rinj se 16 vjeç. Përfundimisht, të gjitha akuzat u hoqën, megjithëse ai nuk i kishte mohuar ato.

Pas akuzave, Pasolini u zhvendos nga Friuli në Romë, ku, me kalimin e viteve, ai do përmendej në 33 shkelje ligjore – për “pornografi”, për “blasfemi” – dhe do shpallej i pafajshëm 33 herë.

Në vitin 1964, Pasolini ngacmoi opinionin publik italian në një dokumentar të titulluar “Takimet e Dashurisë”. I xhiruar në gjithë gadishullin, filmi paraqiste një Pasolini 41-vjeçar të veshur me rroba të përditshmërisë duke u bërë pyetje fëmijëve napolitanë dhe frekuentuesve të klubeve fiorentine për barazinë gjinore, edukimin seksual, divorcin dhe homoseksualitetin. Prirja e tij kureshtare dhe e butë depërtoi ekranin dhe qetësia e tij nuk lëkundej kurrë, edhe kur të intervistuarit përshkruajnë “frikën” dhe ” neverinë” e tyre ndaj homoseksualëve, duke mos ditur se po flasin me një homoseksual.

Homofobia e kapur nga Pasolini peshoi shumë në rastin e vrasjes së tij. Sipas profesoreshës Carla Benedetti, një studiuese kryesore e Pasolinit, rrëfimi i Pelosit në 1975 – me hollësitë e tij të shthurura – shkaktoi një rishikim masiv të jetës dhe veprës së Pasolinit përmes prizmit të seksit homoseksual “patologjik”. Vrasja e zymtë që përfshinte një punonjës seksi të mitur pothuajse analfabet, zhvlerësoi të gjitha rubrikat politike të Pasolinit. E përshtatshme për revizionistët, “Salò” e papërfunduar përshkruante torturat sadomazokiste.

Nuk kishte rëndësi, vuri në dukje Benedetti, që abuzimi seksual në “Salò” synohej si një kritikë marksiste e “komodifikimit të trupit nga kapitalizmi”. Pas rrëfimit të Pelosit, e gjithë trashëgimia artistike e regjisorit u godit si një ndëshkim për dëshirat e tij të forta. Në fund, motivi seksual jo vetëm që kishte kënaqur etjen e pashuar të vendit për thashetheme, por kishte lejuar që e vërteta e gjyqit të përkonte mjeshtërisht me opinionin publik.

E gjithë kjo kishte humbur te Ferrara, mendoi Maccioni, duke parë Pasolinin nga ulësja e tij në rreshtin e katërt, më e lira që mund të gjente. Ngjashmëria e Dafoe me regjisorin e ndjerë ishte e çuditshme: të njëjtat mollëza diamanti, e njëjta qetësi e patrazuar, të njëjtët sy depërtues. Por historia e filmit, besonte Maccioni, ishte një recital i ngazëllyer i së vërtetës së gjyqit në të cilin Pasolini ishte një komunist i sëmurë, i shthurur dhe i rrezikshëm. Ky ishte pikërisht rrëfimi që Maccioni kishte kaluar vite duke u përpjekur ta përgënjeshtronte.

I kontaktuar me telefon, Ferrara hodhi poshtë interpretimin e Maccionit për filmin.

“Filmi im,” tha ai, “është një evokim poetik për atë që mund të kishte ndodhur atë natë. Ai nuk bazohet absolutisht në të vërtetën e gjyqit. Ishte bazuar në kërkimin tonë dhe imagjinatën tonë. Unë bëra filmin tim dhe i qëndroj filmit tim.”

Kur Maccioni u largua nga pallati ku u shfaq filmi, mbrëmja e butë u ndje më e këndshme. Ai vendosi të shkojë në këmbë deri në port. Ndihej e çuditshme të ktheheshe në një dhomë hoteli me ndriçim të dobët dhe të lirë, kur Venecia ishte e gjitha me gra me fustane elegante dhe festa të zhurmshme ku pihej Campari. Por Maccioni nuk kishte asgjë për të festuar. Njerëzit do ta shihnin Pasolinin dhe do të besonin të vërtetën e gjyqit. Për t’u gëzuar, ai i kujtoi vetes hetimet e vijueshme në Romë. Ai kishte filluar dalëngadalë të zhvillonte një shije për filmat e Pasolinit dhe kënaqej duke i parë i vetëm në mbrëmje, duke ngrënë biskota me Nutella. Në dreq Venediku, mendoi Maccioni. Ai ishte i sigurt se disa nga drejtimet e tij kishin potencialin për të hedhur poshtë në mënyrë të pakthyeshme të vërtetën e gjyqit.

Treni ekspres çante përpara si një plumb në errësirë. Ishte nëntori i vitit 2015 dhe Maccioni po kthehej nga Livorno, rreth 200 milje në veri të Romës, ku ai po punonte për një çështje. Nën shkëlqimin fluoreshent të dritës së sipërme, ai u përpoq të përqendrohej në leximin e tij.

Muajt ​​e fundit kishin qenë të vështirë. Pas ndarjes nga gruaja, Maccioni ishte larguar nga shtëpia që ndante me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tyre. Humbja e tyre kishte qenë gjëja më e vështirë që ai kishte kaluar ndonjëherë. Por puna në çështjen Pasolini ishte diçka e mirë. Më pas, në maj, hetimi zyrtar u mbyll.

Maccioni kishte kaluar pesë vjet duke zbuluar dhe furnizuar prokurorin publik me pista të reja. Përveç ADN-së, ai kishte gjurmuar edhe dëshmitarë okularë që nuk ishin dëgjuar kurrë në gjykatë. Rrëfimet e tyre mbështetën teorinë se shumë njerëz kishin parë të ndodhte vrasjen dhe sfiduan rrëfimin e Pelosit në shumë mënyra të tjera.

Rezultatet e analizës së ADN-së treguan se provat në kuti përmbanin gjurmë të pesë profileve gjenetike të dallueshme, në vend të dy profileve fillestare. Njësia e hetimeve të karabinierëve dëgjoi dëshminë e një duzinë dëshmitarësh të rinj. E megjithatë, raporti i gjyqtarit arriti në përfundimin në mënyrë të pashpjegueshme se “të gjitha provat çuan në përcaktimin e vrasjes së Pasolinit si një atentat të lidhur me një kontekst prostitucioni dhe të kryer vetëm nga Pelosi”. Ai hodhi poshtë si të parëndësishme të gjithë elementët e zbuluar nga Maccioni që sugjeronin një motiv politik.

Ndërsa treni i natës ecte përgjatë bregut, Maccioni shikoi nga dritarja. Ishte aq e errët sa duhet të ishte ajo natë nëntori, mendoi ai. Më vonë, teksa shfletonte lajmet në telefonin e tij, një shkrim për një film të ri i ra në sy. “The Ploy”, shkruar dhe drejtuar nga ish-bashkëpunëtori i Pasolinit, David Grieco, planifikoi të sfidonte të vërtetën e gjyqit.

Pak minuta më vonë, Maccioni po telefononte Griecon. Ai u ngrit dhe eci nëpër korridor në vendin më të zhurmshëm të vagonit, pranë dyerve, ngjitur me tualetin. Ai nuk donte që dikush ta dëgjonte.

“David? Jam Stefano Maccioni. Avokati që punoj në çështjen Pasolini.”

“Përshëndetje Stefano. Unë e di kush je.”

Zëri i Griecos ishte i mëndafshtë dhe qetësues. Ai kishte qenë aktor, skenarist dhe regjisor që kishte punuar me njerëz si Franco Zeffirelli dhe Bernardo Bertoluçi. Grieco kishte qenë gjithashtu një i afërt  dhe mik i ngushtë i Pasolinit. Në vitin 1976, Grieco kishte shkruar fjalimin që lexoi familja e regjisorit kur u tërhoq nga çështja penale. Në një farë mënyre, ai ishte edhe familjar.

Një ditë pas vrasjes, Grieco i tha Maccionit, atë që ishte gdhendur në kujtesën e tij. E dashura e tij e kishte zgjuar rreth orës 7 të mëngjesit, duke qarë. “Ata vranë Pasolinin,” tha ajo.

“E kam dëgjuar në radio. Ata thonë se ai u gjet në një fushë me baltë në Ostia.

Grieco kujtoi se po drejtonte skuterin e tij deri në Ostia atë ditë, nën një perde shiu, ku gjeti një “skenë surreale, drejtpërdrejt si nga një film i Fellinit”.

Trupi i mikut të tij shtrihej në fushë të pistë, i pambrojtur nga shikuesit e shumtë.

“Kishte edhe fëmijë që luanin futboll,” tha ai. Herë pas here, topi fluturonte shumë afër trupit dhe policët e kthenin atë me një goditje.

Ferrara, vijoi Grieco, i kishte kërkuar që të shkruante skenarin për Pasolinin. Por ata nuk u pajtuan në mënyra themelore. (Ferrara kundërshton rrëfimin e Grieco-s.) Grieco shpjegoi se ai shkroi “The Ploy” pak më vonë. Ai dhe Maccioni vijuan të flisnin, si vëllezër të ribashkuar pas një lufte të gjatë, derisa treni arriti në stacionin e fundit.

Në fillim të vitit 2016, Grieco i tregoi Maccionit filmin e tij. “The Ploy” është një “noir” elegant, por edhe i ngatërruar, duke rrotulluar një rrjetë që përpiqet të lidhë Pelosin, klasën sunduese të Italisë, kriminelët e ekstremit të djathtë dhe shërbimet sekrete. Për të gjitha synimet dhe  qëllimet, filmi është një vepër fiksioni, por Maccioni vlerësoi se ai përfshinte prova që ai mendonte se gjyqtarët dhe prokurorët i kishin anashkaluar për vite me radhë.

“The Ploy” nuk u shfaq kurrë në kinematë italiane, por u shfaq në parlament, ku deputetët ndihmuan në ngritjen e komisionit të parë parlamentar të hetimit për vrasjen. Ata ftuan Maccionin dhe Griecon të flasin.

“Nuk do ta kisha përfytyruar kurrë, kur fillova në vitin 2008, se do përfundoja duke parë një komision hetimor parlamentar për këtë çështje”, tha Maccioni me theksin e tij të butë toskan.

Ai po fliste në një sallë të madhe, të veshur me panele druri, rreshta të kundërt të stolave ​​koncentrikë rrethorë. Maccioni me mirësjellje bëri sikur nuk vuri re se vendet ishin gjysmë bosh, ndërsa vijoi të renditte shembuj të keqpërdorimeve ligjore pas vrasjes.

Kaseta origjinale e lajmeve të mbrëmjes, e transmetuar për herë të parë në orën 20:30 më 2 nëntor 1975, përmbante fragmente të gjera të rrëfimit të Pelosit, tha Maccioni.

“Përveç faktit të qartë se transmetimi i një rrëfimi është një shkelje e konfidencialitetit të procedurave të hetimit paraprak,” shpjegoi ai, “segmenti i lajmeve mund të ndihmojë ata që ishin përfshirë në krim duke “i udhëzuar se çfarë të thonë në deponimet zyrtare”.

Grieco mori fjalën pas tij, duke theksuar se “kur u transmetua rrëfimi i Pelosit, trupi i Pasolinit ishte ende i ngrohtë”. Më pas ai vijoi tsë renditte pengesat me të cilat u përball në përpjekjen për të shpërndarë filmin “The Ploy” në Itali.

“Ne jemi heshtur në çdo mënyrë të mundshme,” tha Grieco.

“Zyra e censurës fillimisht donte të vendoste një kufizim moshe për shikuesqë duhet të ishin mbi 14 vjeç për filmin tim, diçka e paparë, madje edhe në pornografi!”

Vetë gjysma e të pranishmëve në konferencën për shtyp e frenuan të qeshurën.

Disa javë më vonë, duke shpresuar për të përfituar nga momenti politik, Maccioni dhe Grieco paraqitën një tjetër kërkesë pranë prokurorit publik për të rihapur çështjen. Por deri në dhjetor, komisioni parlamentar po shpërbëhej, së bashku me qeverinë Renzi që kishte ndihmuar në ngritjen e tij. Verën tjetër, Pelosi vdiq nga kanceri dhe, disa muaj më vonë, prokurorët hodhën poshtë kërkesën e Maccionit.

Maccioni nuk mundi të përcaktonte çastin e saktë në të cilin magjepsja e tij me Pasolinin, intelektualin, e tejkaloi interesin e tij për Pasolinin  si rast hetimor. Ai nuk e kishte njohur kurrë regjisorin. Megjithatë, ai e mbrojti atë me jo më pak entuziazëm se Grieco, i cili e kishte takuar si fëmijë dhe mund të kujtonte herën e fundit që e pa të gjallë me hollësitë më të vogla.

Kremtimi romantik i Pasolinit për Italinë rurale para-industriale e ktheu Maccionin në fëmijërinë e tij në Toskanë. Katolicizmi intim dhe arkaik i regjisorit rezonoi thellë me Maccionin, i cili u prek nga të njëjtat vlera të krishtera që Pasolini kishte portretizuar aq fuqishëm në epikën e tij biblike të vitit 1964, “Ungjilli sipas Mateut”. Integriteti luftarak dhe pa kompromis i Pasolinit, i cili ndriçoi shkrimin e tij, ngjalli te Maccioni të njëjtat ndjenja që e frymëzuan atë të ndiqte karrierën.

Unë u bëra avokat,” thoshte ai shpesh, “për të mbrojtur ata që nuk mund të mbrohen”.

Pak viktima i dukeshin Maccionit më të pambrojtur se Pasolini. Ai ishte braktisur nga njerëzit që kishte dashur pas vrasjes së tij dhe, më e keqja, vrasja e tij ishte përdorur i armë si pjesë e një kryqëzate për të asgjësuar trashëgiminë e tij artistike. Nganjëherë, duke u shqyrtuar mbi dokumentet e gjykatës deri në orët e vona të natës, Maccioni pothuajse dëgjonte zërin e tij: E vërteta është këtu, diku. Grieco vetëm me gjysmë shaka e quajti këtë “ethet e Pasolinit”.

Më në fund ethet u ndërprenë. Në atë kohë, ishin bërë 10 vjet që Maccioni merrej me rastin hetimor, dhe vendosmëria e tij, e dobësuar nga kundërshtimet e njëpasnjëshme, u frenua më tej nga dy vjet pandemic Covid-19. Grieco dhe Maccioni ishin ende miq, megjithëse pothuajse nuk folën më për Pasolinin. Por një mbrëmje në vitin 2022, teksa të dy po darkonin së bashku, Grieco ndjeu se Maccioni nuk kishte përfunduar plotësisht me çështjen. Ai i sugjeroi shokut të tij të shkruante një libër.

“Merr një regjistrues, mbylle veten në një dhomë dhe tregoje të gjithë historinë me zë të lartë,” i tha Grieco, mes kafshatave të ushqimit.

“Gjithçka do shpërthejë si një rrjedhë lumi. Do ndiheni më mirë. Do e shihni.”

Maccioni vendosi të anulojë të gjitha takimet e tij të hënën e ardhshme dhe bleu një regjistrues zëri të stilit të vjetër. Ai mori në shtëpi një mori dosjesh që përmbanin vendime, copëza gazetash dhe shënime të gjykatës që dokumentonin 47 vjet histori juridike. Ai i futi disa në bagazhin e motoçikletës së tij dhe pjesën tjetër e vendosi në një qese të madhe të vendosur në mënyrë të pasigurt midis këmbëve të tij. Duke përshpejtuar në trafikun roman, ideja për të përmbledhur të gjitha në një numër relativisht të vogël faqesh dukej qesharake.

Erdhi e hëna. Jashtë dritareve franceze të kuzhinës së Maccionit, një diell i freskët dimri vështronte përmes gjetheve të mëdha jeshile të rrapit përballë ballkonit të katit të dytë. Qeni i tij me qime ngjyë kapuçino, Thea, dremiste, siç bënte sa herë që ai punonte nga shtëpia, në karrigen pranë tij.

Maccioni nxori një pako me biskota. Ai e mbushi aparatin e tij të ekspresit me ujë të vakët rubineti, futi bustinën e kafes dhe shtypi butonin. Makina e kafesë gumëzhiu fort dhe aroma e ekspresit e mbushi dhomën. Piu një gllënjkë të madhe kafe, mori regjistruesin dhe filloi të fliste.

Ai vijoi të fliste, pa ndërprerje, për pesë orët e ardhshme. Ai ecte rreth tryezës së kuzhinës – një deklaratë dëshmitari në njërën dorë, regjistruesi në tjetrën dhe një shkrim gazete i vendosur si një baguette nën sqetull. Pastaj, ai bënte xhiro lart e poshtë në korridor, herë pas here vraponte përsëri në kuzhinë për të marrë një dokument.

Kur e luajti kasetën më vonë, Maccioni mundi të dëgjonte zërin e tij si shigjetë rreth dhomës, duke zgjidhur nyjet, duke skicuar profile, duke vizatuar diagramet. Dhe ai e kuptoi, me qartësi çarmatosëse, se ajo ishte gjithashtu historia e jetës së tij. Ai pa fytyrën e koleges së tij kur ajo shqiptoi për herë të parë emrin e Pasolinit në Qipro, shikimin e urryer të unazës së Pelosit, Ferrarën që shikonte rreth zyrës së tij dhe bisedën e trenit ku dëgjoi për herë të parë zërin e Grieco-s. Maccioni e kuptoi se ndjekja e tij e çështjes kishte mbjellë farat për divorcin e tij.

O nëna ime!, mendoi ai, u bënë 14 vjet. Katërmbëdhjetë vjet mbledhje të provave. Katërmbëdhjetë vjet hartim dokumentesh, intervista, paraqitje kërkesash. Katërmbëdhjetë vjet duke besuar se e vërteta ishte e arritshme. Për kë kishin qenë të gjitha? Për Pasolinin? Për veten e tij? Për Italinë? Ai nuk e dinte.

Pasolini në Romë në vitin 1959. Deri në kohën e vdekjes së tij, ai kishte bërë 25 filma ‘duke përzier prostituta romane dhe heronjtë biblike, varfërinë bashkëkohore dhe mitin klasik’

Në tetor 2022, Maccioni mori një telefonatë nga mjeku i tij. Një test gjaku doli pozitiv për kancerin e zorrës së trashë. Dy javë më vonë, ai iu nënshtrua rezeksionit segmental për të hequr kancerin. Për shkak të rregulloreve të Covid-it, ai nuk lejohej të kishte vizitorë në spital, kështu që ai i kalonte ditët i vetëm, i paaftë për të ecur apo për të fjetur, pranë një pacienti me hemorragji në repartin e onkologjisë. Pas kësaj, Maccioni ndjeu një nevojë të rrënjosur thellë për të vazhduar.

Në dhjetor, Maccioni po pushonte në shtëpi, duke u përpjekur të shtonte peshë dhe të ecte pa paterica, kur mori një mesazh nga Grieco, me linkun e një shkrimi që tërhoqi një nga teoritë më intriguese dhe të nënhetuara për atë që ndodhi natën e vrasjes së Pasolinit.

Në verën e vitit 1975, një grup filmash shumë i pazakontë u zhduk nga vendi ku ruheshin i një kompanie me efekte vizuale në Romë. Ata ishin përzgjedhur me kujdes midis kilometrave të gjatë të filmit, tha një zëdhënës për shtypin, dhe ishin jashtëzakonisht të vlefshëm sepse përmbanin skena të zgjedhura nga regjisorët për skenat përfundimtare të filmave të tyre të pa publikuar. Bobinat përmbanin negativë nga “Salò” i Pasolinit, Casanova i Federico Fellini dhe “A Genius, Tëo Partners and a Dupe” i Damiano Damianit, prodhuar nga Sergio Leone. Episodi u bë i njohur si “vjedhja e ‘picave’”, për shkak të formës së sheshtë të bobinave.

Ishte gjithashtu hera e parë dhe e vetme në historinë e kinemasë që rrotat e filmave vidheshin në këmbim të shpërblimit. Hajdutët kërkojnë 2 miliardë lira, të barasvlershme me 20 milionë euro në atë kohë, në këmbim të kthimit të tyre të sigurt. Veçanërisht “Salò” i Pasolinit ishte më në rrezik, pasi nuk kishte kopje të negativëve të tij të vjedhur.

Para se të lexonte shkrimin, Maccioni mendoi për Sergio Cittin, bashkëskenaristin e “Salòs”, i cili ishte përpjekur të dëgjohej nga gjyqtarët për vjedhjen e bobinave për më shumë se 30 vjet. Në vitin 2005, duke u ndjerë i anashkaluar nga autoritetet dhe i sëmurë përfundimisht, Citti i tha një gazete italiane se Pasolini kishte lënë një takim për të marrë bobinat e vjedhura pranë Ostias dhe se Pelosi po shkonte me të. Citti pretendoi se ai kishte negociuar shkëmbimin me një gangster, i cili vërtetoi historinë e Cittiy në një intervistë policie në 2011.

Tani, nëpërmjet mesazhit të Grieco-s, Maccioni mësoi se një tjetër anëtar i bandës kishte rrëfyer në komisionin antimafia të Italisë se kishte marrë pjesë në vjedhjen e bobinave të “Salò”-s. Ai tha se ai nuk ishte përfshirë në vrasje, por ishte i disponueshëm për të bashkëpunuar me autoritetet për rastin Pasolini.

Maccioni telefonoi menjëherë Grieco-n dhe shkarkoi raportin e komisionit antimafia. Ata fillimisht kishin folur për mundësinë që Pasolini të ishte vrarë ose duke tentuar të merrte bobinat ose se shkëmbimi ishte një hile për t’i vrarë. Papritur, kishte prova të mjaftueshme për të ndjekur të dyja teoritë.

Në mars të vitit 2023, Maccioni dhe Grieco paraqitën një kërkesë tjetër për të rihapur hetimin, duke i kërkuar prokurorit të dëgjonte mafiozin që ishte vënë në dispozicion dhe të kryente teste të mëtejshme të ADN-së. Në një deklaratë, prokurori tha se elementët “nuk kishin të bënin drejtpërdrejt me vrasjen, por kishin të bënin me episode në sfondin e saj”. Kërkesa e tyre u hodh poshtë.

Hera e parë që fola me Maccionin ishte në një video-telefonatë nga Londra, dy ditë pasi kërkesa e tij e vitit 2023 u hodh poshtë. Me një kostum të sapomarrë nga pastrimi kimik, i ulur në tavolinën e tij në Romë, ai mezi arrinte të fliste për atë që do të thoshte për të mohimi i fundit. Do të kuptoja javë më vonë, duke vizituar zyrën e tij, se hapësira pas monitorit të tij është e mbushur me relikte të viteve që kishte punuar për çështjen Pasolini: foto me kornizë, një poster të nënshkruar, pirgje librash.

Kur filluam të flisnim, qëndrimi i tij ishte i ngurtë, zëri i tij i dobët. Pas disa pyetjeve, ai filloi të lëvizte krahët ndërsa fliste, zëri i tij u ngroh dhe filloi të hapej. Në fund, ai bëri një shaka. Diçka në të, e ngurtësuar nga 15 vite qorrsokak, u zbut sërish përpara një publiku të mbërthyer e të interesuar.

Para se të thoshte lamtumirë, Maccioni më tha: “Shumë herë, gjatë viteve, jamë përpjekur mamsimalisht për ta lënë këtë çështje dhe për të vijuar jetën time. Por sa herë që provoj, një person i ri ose një ngjarje e paprecedentë shfaqet nga askund dhe më zhyt drejt e në të.” Kuptova se ai i referohej këtij artikulli.

*Marianna Giusti është një gazetare e FT Weekend

 FT

MË TEPËR

Radar1 ditë më herët

Dalina Buzi: Parashqevia, ylli shqiptar që e fshiu vendin e vet, i vetmi që e deshi e s’do e linte të mblidhte ndihma

Dalina Buzi, tregon përmes një eksperience personale dhe profesionale nga viti 2003 kur e gjendur në Amerikë për të ndjekur...

Kryesore2 ditë më herët

“Trump është legjendë, ju jo” / Evi Kokalari sulmon Sali Berishën!

Aktivistja Evi Kokalari dhe kreu i PD Sali Berisha Aktivistja Evi Kokalari ka reaguar sërish pas deklaratave të bëra një...

Aktualitet2 ditë më herët

“Nuk i njeh askush s’ka njeri që di të përmendë 5 emra ministrash në këtë vend “

Lorenc Vangjeli: Analisti Lorenc Vangjeli foli në “Top Story” për deputetët në Kuvend, teksa disa prej tyre i konsideroi si...

Kioske2 ditë më herët

Tiranës i duhet një metro

Eduard Zaloshnja Zona metropolitane e Tiranës, që përfshin bashkitë Tiranë, Kamëz e Vorë, ka plot 716 mijë banorë, 216 mijë...

Radar2 ditë më herët

Basha: Partia Demokratët Euro Atlantikë ka kolosë në gjirin e vet. Rakipi: Në Atlantik ka peshq

Lulzim Basha, deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, se në partinë Demokratët Euro Atlantikë ka “kolosë” të cilët...

Mix2 ditë më herët

iPhone 17 Pro, Apple gati për të revolucionuar dizajnin: këto janë risitë e mundshme

Me sa duket, risitë që vijnë në iPhone 17 nuk do të kenë të bëjnë vetëm me ekranin. Në fakt,...

Mix2 ditë më herët

Kush është blogerja Bettina Anderson? 5 gjërat që duhet të dini për të dashurën e re të Donald Trump Jr

Bettina Anderson u bë e famshme pasi u shfaq krah për krah me Donald Trump Jr. Në fotot e marra...

Radar2 ditë më herët

Nuk është shaka/Nis dialogu me qytetarët për luftën ndaj korrupsionit

Teksti më poshtë është marrë nga ATSh dhe sugjerohet si lajm nën titullin: Komisioni i posaçëm antikorrupsion, nisin nga Durrësi forumet...

Kritike3 ditë më herët

Mashtrimin e Edi Ramës me rritjen e pagave e beson vetëm Helena Kaçi

Nga Irena Beqiraj Në 7 prill 2023, ministrja e Financave e asaj kohe, Delina Ibrahimi, na dha lajmin e mirë...

Mix3 ditë më herët

3 ushqimet më të mira për mëngjes!

Tërshëra 1. Të gjithë e dimë se tërshëra është një superushqim. Gjëja më e mirë është që ju mund ta...

Facebook