Mix
Njihuni me 10 gratë më të pasura në botë, historia pas suksesit të tyre
Ka një rekord prej 2,781 miliarderësh në të gjithë globin, të cilët kanë një vlerë të përbërë prej 14.2 trilionë dollarësh, por tani klubi nuk u përket më vetëm burrave.
Forbes publikoi listën e tij vjetore të miliarderëve dhe ajo paraqet një pjesë të vogël të grave që kanë mbajtur vendin e tyre në mesin e njerëzve më të pasur në botë.
Ato kanë lulëzuar në një mori industrish nga minierat dhe lojërat e fatit deri te bukuria dhe teknologjia.
FEMAIL ka mbledhur 10 biznesmenet më të pasura anembanë globit për të dhënë një pasqyrë se si kanë bërë pasurinë e tyre.
10. Abigail Johnson (29 miliardë dollarë)
Abigail Johnson, 62 vjeç, është gruaja e 10-të më e pasur në botë falë pasurisë së saj prej 29 miliardë dollarësh. Kjo e vendos atë në vendin e 58-të në listën e më të pasurve. Ajo ka shërbyer si shefe e gjigantit të menaxhimit të fondeve Fidelity Investments që nga viti 2014, kur mori detyrën nga babai i saj në atë kohë 84-vjeçar, Ned.
Abigail, e cila ka një Mastër në Administrim biznesi nga Harvardi, kishte punuar gjatë verës në Fidelity gjatë gjithë kolegjit përpara se të bashkohej si analiste me kohë të plotë në vitin 1988. Ajo është brezi i tretë i familjes që drejton firmën, që u themelua nga gjyshi i saj në Boston, Massachusetts, në vitin 1946.
Abigail, e cila gjithashtu mori detyrën si kryetare në vitin 2016, zotëron rreth 28.5 për qind të aksioneve të firmës e cila menaxhon asete diskrecionale që arrijnë në 4.5 trilion dollarë, sipas Forbes.
Ajo thuhet se ka përqafuar kriptovalutat gjatë mandatit të saj në firmë dhe ka nisur një platformë në 2018 që lejon investitorët institucionalë të tregtojnë Bitcoin. Përpara se t’i bashkohej firmës, ajo punoi në kompaninë e menaxhimit “Booz Allen Hamilton” ku u takua me bashkëshortin Christopher McKown. Çifti ka dy fëmijë.
9. Gina Rinehart (30.8 miliardë dollarë)
Personi më i pasur i Australisë është Gina Rinehart, e cila ka një pasuri mbresëlënëse 30.8 miliardë dollarësh. Ajo renditet e 56-ta në listën e të pasurve. Babai i saj Lang Hancock, i cili ishte një eksplorues i mineralit të hekurit, kishte krijuar një kompani që po përballej më vështirësi financiare derisa Gina mori frenat.
Ajo u bë kryetare ekzekutive në vitin 1992 dhe krijoi konglomeratin e minierave “Hancock Prospecting”. Aseti më i madh i kompanisë është miniera “Roy Hill” në rajonin Pilbara të Australisë Perëndimore, e cila filloi dërgesat në Azi në 2015. Në fillim të këtij muaji, u raportua se “Hancock Prospecting”, që është 76.6 për qind në pronësi të saj dhe 23.4 për qind të “Hope Margaret Hancock Trust”, ka rreth 20 miliardë dollarë në llogari.
Gina Rinehart ka blerë stoqe në industrinë e litiumit kohët e fundit, veçanërisht “Azure Minerals” dhe “Liontown Resources”, duke u mbështetur në rritjen e kërkesës për mineralin e përdorur në bateri, ndërkohë që kalimi në energjinë elektrike të rinovueshme rritet.
Përveç projekteve të shumta minerare, kompania investon në bujqësi përmes krahut të saj “Hancock Agriculture”. Vitet e fundit është përqendruar në prodhimin e viçit Wagyu me vlerë të lartë dhe tani është prodhuesja e dytë më e madhe e bagëtive në Australi. Ajo ka blerë gjithashtu markat ikonike të modës “Driza-Bone” dhe “Rossi Boots”.
8. Miriam Adelson (32 miliardë dollarë)
Mjekja Miriam Adelson renditet si personi i 53-të më i pasur në botë dhe ka një pasuri neto prej 32 miliardë dollarësh. 78-vjeçarja, e cila ka lindur në Izrael, është e veja e Sheldon Adelson – ish-shef i kompanisë së kazinove “Las Vegas Sands”, i cili vdiq në moshën 87-vjeçare në vitin 2021.
Ajo mori nënshtetësinë amerikane pasi u martua me manjatin në vitin 1991 dhe ka qenë zëri kryesor i familjes që nga vdekja e bashkëshortit të saj të ndjerë. Forbes deklaron se Miriam dhe familja e saj tani zotërojnë më shumë se gjysmën e perandorisë së lojërave të fatit të listuar në Bursën e Nju Jorkut.
Çifti më parë ka dhuruar mbi 281 milionë dollarë për çështjet republikane dhe konservatore, sipas The Center for Responsive Politics. Ata i dhuruan fushatës presidenciale të Donald Trump 2016, inaugurimit të tij presidencial, fondit të tij të mbrojtjes kundër hetimit të Muller për ndërhyrjen ruse dhe fushatës 2020.
Në shkurt 2022, Sands Corp. kapi titujt kryesorë kur shiti vendpushimet e saj kryesore veneciane te “Apollo Global Management”. Familja thuhet se që atëherë ka marrë një shumicë të aksioneve në ekipin e basketbollit “Dallas Mavericks” dhe ende zotëron gazetën “The Las Vegas Review-Journal”.
7. Rafaela Aponte-Diamant (33.1 miliardë)
Rafaela Aponte-Diamant, nga Gjeneva, Zvicër, ka një vlerë prej 33.1 miliardë dollarësh, duke u renditur në vendin e 48-të të personave më të pasur. Ajo zotëron 50 për qind të aksioneve në “MSC” – linja më e madhe e transportit në botë, së bashku me bashkëshortin Gianluigi.
Çifti u takua për herë të parë në vitet 1960 në një vendpushim të njohur në ishullin italian të Caprit, kur Gianluigi ishte një kapiten anijeje përgjegjës për transportin e turistëve. Së bashku ata hynë në industrinë e transportit detar pasi blenë anijen e tyre të parë – një anije të vogël mallrash të quajtur “Patricia”, me një hua 200,000 dollarësh në vitin 1970.
Deri në vitin 1979, dyshja kishte grumbulluar 17 anije dhe vijoi të rriste biznesin duke përfshirë lundrimet e pushimeve, logjistikën e brendshme dhe operacionet portuale, sipas Forbes. Deri sot, Gianluigi mbetet kryetari ekzekutiv i firmës dhe djali Diego vepron si president.
Rafaela, e cila është vajza e një bankieri izraelit, shërben në bordin e Fondacionit MSC, por nuk mban asnjë ‘pozicion zyrtar’. Tashmë 74-vjeçarja thuhet se është përgjegjëse për dekorimin e anijeve të lundrimit.
6. Savitri Jindal (33.5 miliardë dollarë)
Gruaja më e pasur në Indi është Savitri Jindal me një pasuri neto prej 33.5 miliardë dollarë. Ajo zë vendin e 46-të të personave më të pasur. “Grupi Jindal”, një konglomerat me qendër në Nju Delhi, u themelua nga bashkëshorti i Savitrit, Om Prakash Jindal.
Ajo është e specializuar në energjinë dhe çelikun, por gjithashtu ka asete në industri të tjera si minierat, prodhimin e energjisë, gazet industriale dhe objektet portuale. O.P. Jindal vdiq në një aksident ajror me helikopter në vitin 2005.
Pas vdekjes së tij, kompanitë u ndanë midis katër djemve të tij, të cilët i drejtojnë ato në mënyrë të pavarur. Asetet më të mëdha të grupit mbikëqyren nga djali i Savitrit me bazë në Mumbai, Sajjan Jindal. Savitri, tani 74 vjeç, është futur në qeverinë e kongresit të Indisë dy herë më pare, një herë si Ministre e Energjisë dhe përsëri si Ministre e Organeve Lokale Urbane.
5. MacKenzie Scott (36.5 miliardë dollarë)
Ish-bashkëshortja e themeluesit të Amazon, Jeff Bezos, MacKenzie Scott, ka një pasuri prej 36.5 miliardë dollarësh, duke u renditur në vendin e 43-të në listën e të pasurve. Çifti ishte i martuar për 25 vjet, por ajo u largua me 4 për qind të aksioneve të Amazon pas divorcit të tyre në vitin 2019.
MacKenzie, një romanciere 53-vjeçare, iu bashkua rradhës së filantropistëve ultra të pasur në botë si nënshkruese e “Giving Pledge” në atë kohë, pasi ajo premtoi të dhuronte gjysmën e pasurisë së saj për bamirësi gjatë gjithë jetës së saj. Ajo krijoi një faqe interneti të quajtur “Yield Giving”, e cila thotë se, deri më sot, ka dhënë më shumë se 17.3 miliardë dollarë për mbi 2,300 organizata jofitimprurëse.
Në fillim të këtij viti, u zbulua se filantropistja kishte kanalizuar një pjesë të madhe të parave të saj për grupet ekstreme të majta të ‘identitetit gjinor’ dhe organizatat jofitimprurëse të avokimit të emigrantëve – duke përfshirë një që tha se Ron DeSantis dhe politikat e tij kundër emigracionit ‘duhet të ndalohen.’ MacKenzie u martua përsëri me bashkëshortin e dytë, mësuesin e kimisë Dan Jewett, por bëri kërkesë për divorc në 2022.
Sipas peticionit, një ndarje e pasurisë duhej të ‘përcaktohej në një kontratë ndarjeje’ për të cilën dyshja ranë dakord. Kontrata nuk u bë publike dhe Dan nuk e kundërshtoi divorcin, thanë të dhënat e gjykatës. Jeff, 60 vjeç, ka gjetur sërish dashurinë me personazhin mediatik, 54-vjeçaren Lauren Sanchez.
4. Jacqueline Mars (38.5 miliardë dollarë)
Jacqueline Mars gjithashtu hyri në listën e Forbes me një pasuri prej 38.5 miliardë dollarësh. Ajo u rendit e 35-ta në listën e më të pasurve. Gjyshi i saj Frank Mars e nisi biznesin e tij duke bërë çokollata në kuzhinën e tij në Tacoma, Washington, në vitin 1911.
Në vitin 1929, kompania shpiku nougat-in e njohur me shije malti, që bë skedari i karameleve të Milky Way dhe Snickers dhe biznesi lulëzoi. Jacqueline, 84 vjeç, tani zotëron një të tretën e perandorisë së Marsit, pasi ka punuar për kompaninë për gati 20 vjet. Ajo shërbeu në bord deri në vitin 2016 me djalin Stephen Badger, që tani është drejtor.
Vëllai i saj John zotëron një të tretën tjetër të kompanisë me katër vajzat e vëllait të saj të ndjerë Forrest Jr. që pretendojnë pjesën tjetër. Në vitin 2013, Jacqueline e gjeti veten të përfshirë në skandal pasi u deklarua fajtore për ngarje të pakujdesshme në lidhje me një aksident fatal në të cilin u vranë një gjyshe dhe një foshnjë e palindur. Asaj iu pezullua patenta e drejtimit për gjashtë muaj dhe u urdhërua të paguante një gjobë prej 2500 dollarësh gjatë një seance në Gjykatën e Përgjithshme të Qarkut Loudoun, Virxhinia.
Gjykatësi mund ta kishte dënuar atë me një vit për akuzën e kundërvajtjes, por familja e viktimës Irene Ellisor i kërkoi gjykatësit të mos e dënonte Jacqueline në burg.
3. Julia Koch (64.3 miliardë dollarë)
Julia Koch, 61 vjeç, ka një pasuri prej 64.3 miliardë dollarësh, duke e vendosur atë në vendin e 23-të në të gjithë listën e miliarderëve. Ajo dhe tre fëmijët e saj trashëguan 42 për qind të aksioneve në “Koch Industries” nga bashkëshorti David pas vdekjes së tij nga kanceri i prostatës në moshën 79-vjeçare në vitin 2019. David, i cili punoi si inxhinier kimik dhe biznesmen, iu bashkua biznesit të tij familjar në vitin 1970 dhe e rriti atë në kompaninë e dytë më të madhe private në Shtetet e Bashkuara.
Julia, e cila u zhvendos nga Ioëa në Neë York City në vitet 1980, filloi si asistente e stilistit Adolfo, duke punuar me një mori klientësh të profilit të lartë, përfshirë Nancy Reagan. Ajo u takua për herë të parë me Davidin në një takim në vitin 1991 përpara se përfundimisht të lidhë kurorë me të pesë vjet më vonë.
Ajo tani shërben si presidente e “Fondacionit David H. Koch”, një organizatë jofitimprurëse e angazhuar për të çuar përpara trashëgiminë filantropike të bashkëshortit të saj për të “pasuruar jetën e individëve në mbarë botën përmes shkencës dhe kërkimit mjekësor, arsimit, politikave publike dhe arteve”, sipas faqes së tyre të internetit.
Çifti më parë ka dhuruar 10 milionë dollarë për “Qendrën Mjekësore Mount Sinai”, 10 milionë dollarë për Spitalin e Fëmijëve Stanford për të studiuar alergjitë ushqimore dhe 3 milionë dollarë për degën ortopedike të NYU Langone.
Nëna e tre fëmijëve është gjithashtu një ‘patrone e përkushtuar e artit’. Ajo ka shërbyer më parë në Bordin e Drejtorëve për Shkollën e Baletit Amerikan, ku drejtonte çdo vit dy nga ngarjet më të njohura të shkollës – “Nutcracker Family Benefit” dhe “Winter Ball”.
2. Alice Walton (72.3 miliardë dollarë)
Alice Walton, e cila është vajza e vetme e themeluesit të Walmart, Sam Walton, thuhet se ka një pasuri prej 72.3 miliardë dollarësh. Ajo siguron vendin e 21-të në listën e të gjithë miliarderëve. Vëllezërit e saj, Rob dhe Jim, hynë në biznesin familjar, por Alice e kundërshtoi trendin dhe në vend të kësaj e ktheu vëmendjen te kurimi i artit pasi bleu veprën e saj të parë kur ishte vetëm 10 vjeç.
Ky interes e çoi atë në kryesimin e “Muzeut Crystal Bridges të Artit Amerikan”, që u hap për publikun në qytetin e saj të lindjes, Bentonville, Arkansas, në 2011. Alice, së cilës më parë iu dha një vërejtje për drejtimin e makinës në gjendje të dehur që më vonë u hoq, thuhet se ka dhuruar koleksionin e saj të artit për të formuar bazën e ekspozitave dhe ka shpenzuar mbi 300 milionë dollarë për ndërtimin e institucionit.
Tani përmban vepra nga Andy Warhol, Jackson Pollock dhe Norman Rockwell. Faqja e internetit e muzeut përshkruan Alice si një filantropiste e cila është ‘e përkushtuar për të rritur qasjen në arte, për të përmirësuar arsimin, për të përmirësuar shëndetin dhe për të çuar përpara mundësitë ekonomike për të gjithë.’
Ajo gjithashtu u mor me rritjen e kuajve për më shumë se një dekadë në një fermë në Teksas, të cilën e shiti në vitin 2015, duke pasur në pronësi gjashtë kuaj kampionë përgjatë viteve. Në vitin 2022, instituti shëndetësor holistik që ajo themeloi në Bentonville vitin e kaluar u riemërua “Shkolla e Mjekësisë Alice L. Walton”.
1. Francoise Bettencourt Meyers (99.5 miliardë dollarë)
Gruaja më e pasur në botë është Francoise Bettencourt Meyers, mbesa e themeluesit të L’Oreal, e cila ka një vlerë marramendëse prej 99.5 miliardë dollarësh. Ajo renditet në vendin e 15-të në listën e të gjithë miliarderëve.
Biznesmenia franceze, 70 vjeç, dhe familja e saj zotërojnë më shumë se një të tretën e markës së bukurisë së tregtuar publikisht, që u themelua në vitin 1909. Ajo ka shërbyer në bordin e L’Oreal që nga viti 1997 dhe mbetet kryetare e kompanisë së familjes bashkë me djemtë e saj, Jean-Victor Meyers dhe Nicholas Meyers, të cilëte janë drejtorë.
Francoise trashëgoi pasurinë e saj të jashtëzakonshme pasi nëna e saj Liliane Bettencourt, atëherë gruaja më e pasur në botë, vdiq në moshën 94-vjeçare në vitin 2017. Vdekja e saj pasoi një betejë e madhe ligjore, që u shndërrua në një skandal politik, nëse ajo ishte në gjendje të menaxhonte pasurinë e familjes.
Thuhet se Francoise ka shkruar dy libra – një mbi Biblën dhe tjetri për perënditë greke – dhe i bie pianos për orë të tëra në ditë. Miliarderja e izoluar është gjithashtu kampione e kauzave filantropike, kryesisht përmes fondacionit të familjes së saj.
Familja Bettencourt Meyers dhe L’Oreal dhuruan 226 milionë dollarë për të riparuar Katedralen Notre Dame pas zjarrit të prillit 2019.