Radar
Drejtorët e Bashkisë në pranga/ Teliti: Veliaj duhet të japë dorëheqjen
Dorian Teliti
Specialisti i Çështjeve Ekonomike në Partinë Demokratike, dhe njëherësh nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, në një reagim për CNA TV me gazetaren Fabjona Pasho, ka komentuar arrestimin e drejtorëve të Erion Veliajt, në lidhje me dosjen “5D”.”Një strukturë e mirë-organizuar, që ndonëse ishin punonjës në Bashkinë e Tiranës dhe merrnin rrogat në institucionet e varësisë, nuk e kishin mendjen të bënin punën, por si e si të përfitonin nga fondet e Bashkisë, fondet e UKT, OSHEE apo edhe statusin e investitorit strategjik.
Janë 29 procedura tenderimi të cilat kanë dalë, në të cilat është e përfshirë kjo kompania e famshme 5D. Mund të ndodhë njëherë që t’i rrëshqasë eprorëve, mund të ndodhë edhe 2 herë, nëse qenkan aq të aftë dhe eprorët nuk e marrin vesh, por që të ndodhë në 29 raste dhe që eprorët nuk ditkan gjë dhe që stafi i tyre, në emër të njërit hanë dardha e në emër të tjetrit hanë fiq, pa e ditur eprorët.
Aludohet qartë që kjo të ketë ndodhur në dijeni të kryebashkiakut, kryeministrit, etj. Çfarë u ka dalë përpara mesa duket ata e kanë futur në xhepin e tyre. Së pari, ata që janë kapur, janë në arrest me burg apo shtëpie, përbëjnë shtabin kryesor të Erion Veliajt. Po të ishim në një vend normal, me demokraci funksionale, një kryetari bashkie që i ikën pjesa dërrmuese e stafit, që i ka në arrest, përpara drejtësisë, normale do ishte të jepte dorheqjen.
Kryetari i Bashkisë duhet të dalë përpara qytetarëve dhe të mbajë qëndrimin e tij, të distancohet nëse nuk e ndjen veten të përfshirë. Distancimin nuk mund ta bëjë dot mesa duket, se një pjesë e kontratave janë të Bashkisë së Tiranës, dhe kontratat i firmos drejtuesi i Autoritetit kontraktor, që është vetë Erion Veliaj. Kontratat e tyre janë nga njëra anë të firmosura nga administratori i kompanisë 5D dhe nga ana tjetër, nga Erion Veliaj.”
Teliti ka komentuar edhe përpjekjen e disa mediave afër Veliajt, për të zbehur ngjarjen dhe për t’i konsideruar të arrestuarit si ish-drejtorë.“Ne e dimë që një pjesë dërrmuese e medias shqiptare nuk është e lirë, lajmet i jep të cunguara. Një pjesë të lajmeve, kur flitet për kryeministrin apo kryetarin e Bashkisë nuk i jep fare. Përfaqësuesit e opozitës reagojnë çdo ditë përkundrejt padrejtësive të ndryshme që ne shohim, nuk i japin fare.
Sa për mosreagimet e PS-së, ata kanë edhe luftën brenda tyre. Hanë kokat e njëri-tjetrit. Një pjesë është e mërzitur për çfarë po ndodh, një pjesë tjetër është e kënaqur. Këtë pjesë të debatit nuk duan ta bëjnë në media, vazhdojnë ta bëjnë nën rrogozet e politikës.”
Teliti i ka bërë thirrje SPAK ta çojë hetimin deri në fund, për të vënë përpara drejtësisë çdo të implikuar në këtë aferë korruptive.