Mix
Cili është Ashendenti juaj në horoskop? E gjeni përmes tabelës
Ashendenti është pika ku fillon shtëpia e parë e horoskopit tuaj personal.
Shtëpia e parë është “shtëpia e vetes” meqë ka të bëjë me fizikun e personit. Ashendenti ju tregon mënyrën se si e shikoni jetën. Shpesh, është përshtypja se si perceptoheni nga ata që ju rrethojnë. Ashendenti quhet ndryshe Shenja në Ngritje apo shenja që po lind në horizontin lindor (Shenja në Lindje).
Ashendenti te…
Dashi
Marsi, sunduesi i Dashit, jep një personalitet pozitiv, agresiv dhe konkurrues. Takti zakonisht mungon kur Dashi është në ngritje për shkak të mënyrës së nxituar dhe agresive të këtij ndikimi. Me Dashin Ashendent, diplomacia në përgjithësi duhet të mësohet apo të fitohet nga faktorë të tjerë në hartë. Marsi është planeti i veprimit direkt dhe i energjisë së lartë. Ndikimi i tij në horoskopin tuaj sugjeron që vendosmëria e vërtetë ju bën të zbatoni mendimet në momentin kur ato janë formuar, pa shumë hezitim. Ju hidheni nga ideja në veprim, pa e kthyer kokën pas.
Nuk jeni dikush që e shpenzoni kohën duke u marrë me plane. Ndonjëherë mund të mërziteni apo të bëheni të paduruar nëse rezultatet nuk ju vijnë aq shpejt sa prisni, duke braktisur kështu një projekt për të nisur një tjetër. Ekziston një dëshirë për të provuar vazhdimisht vetveten përmes përpjekjeve të shumta të herëpashershme, qoftë kur diçka përfundohet apo jo.
Aktiviteti fizik është një nevojë e domosdoshme për ju, dhe nëse nuk e kryeni atë, energjia mund të shndërrohet në formë zemërimi dhe irritimi. Jeni i gjallë, vigjilent dhe zotëroni reflekse të shpejta. Ndikimi i Marsit krijon persona me aftësi atletike mbi mesataren. Shenja ndërthur karakteristikat e pamjes fizike me shpirtin e konkurrencës.
Nëse e kontrollon veten siç duhet, Dashi mund të lëvizë malet, por kur del jashtë kontrollit mund të jetë tepër i rrëmbyer dhe egocentrik në një mënyrë të pamenduar. Ju jeni një kampion i pavarësisë dhe lirisë, që shfaqet herë pas here në mendimet tuaja.
Agresioni i kësaj shenje tregohet shpesh në pikëpamjet mendore. Prandaj, mund të bëni jashtëzakonisht mirë në rrethana që kërkojnë stimulim mendor, ambicie dhe shkathtësi. Disa drejtues biznesi dhe ushtarakë mund t’ia atribuojnë suksesin e tyre Ashendentit në Dash.
Demi
Demi në ngritje jep një personalitet të qëndrueshëm, të hirshëm dhe të harmonishëm, që e ka tokën (pronën) shumë përzemër. Natyra e Demit është e dashur, e palëkundur, dhe besnike. Jeni një individ me shumë nevoja jetësore: ushqim i mirë, seks i kënaqshëm, dhe një vend luksoz për të jetuar. Kau Ferdinand simbolizonte Demin; shumë i lumtur që qëndronte në livadh, u merrte aromë luleve dhe shijonte flladin e freskët veror. Ky personalitet është pasiv dhe i butë për sa kohë qe nuk ngacmohet. Kur një ditë provokohet, Demi bëhet kokëfortë dhe i ashpër, dhe mund të shfaqë një zemërim të pakontrollueshëm ashtu si kafsha që e përfaqëson.
Me Demin në ngritje, zakonisht stili juaj është i ngadaltë dhe i rezervuar. Nuk jeni asnjëherë personi që bën ndryshime të mëdha. Të gjitha propozimet për ndryshim ju i shqyrtoni me kujdes, dhe shpesh i kundërshtoni. Jeni shumë posesiv dhe i fiksuar pas bindjeve tuaja. Metoda juaj e qëndrueshme dhe e besueshme siguron që çdo lloj projekti që ndërmerrni do të përfundohet. Megjithëse gjithnjë i besueshëm, nuk mund të jeni i nxituar, dhe refuzoni të bëni diçka ndryshe nga ritmi që ju përshtatet.
I vlerësoni shumë gjërat e mira të jetës, dhe kurrë nuk ngurroni të plotësoni dëshirat tuaja. Kjo për shkak të Venusit, si sundues i Demit, gjithashtu planet sundues i hartës suaj. Planeti Venus, ashtu si Demi, lidhet me dashurinë, bukurinë, jetën e rehatshme, hijeshinë, dhe sharmin (joshjen). Nga ana pozitive, Venusi sjell një shkallë të lartë diplomacie, takt dhe shoqëri. Nga një perspektivë më negative, mund të tregojë përtaci dhe vetë-kënaqësi. Ajo që e josh një person në këtë shenjë është kënaqësia. Kjo mund të përfshijë kënaqësinë e shikimit, shijimit, prekjes dhe ndjesinë. Natyra sensuale është hiper-aktive. Shpesh herë, ka talent apo të paktën një interes të fortë në të kënduar apo në të folur, vetitë natyrore të Demit.
Nga ana fizike, Demi ka prirje të jetë i rëndë (i nxitur si nga struktura e kockave ashtu edhe nga vetë-kënaqësia) dhe shumë i fortë. Më këtë forcë dhe strukturë trupore vjen një (durim) qëndresë e pakrahasuar. Qëndrueshmëria dhe këmbëngulja e Demit janë karakteristika të elementit tokë. Jeni të prirur të shfaqni një stil shumë praktik dhe kërkues kënaqësie ndaj jetës që mund të përkufizohet qartë si “me këmbë në tokë”.
Binjakët
Jeta nuk është aspak e zbehtë me Binjakët ashendent sepse kjo shenjë prodhon një personalitet mendjemprehtë dhe të zgjuar. Fatkeqësisht, natyra e tyre është e paqetë, nevrike dhe e shpërndarë. Me këtë shenjë të gjallë në lindje, ju keni nevojë për stimulim të vazhdueshëm mendor. Kjo sepse ju nuk mund ta mendoni dot të jeni të mërzitur as edhe një minutë. Doni të rrethoheni me njerëz, aktivitete, dhe situata ngacmuese. Jeni më të lumturit kur keni me se merreni dhe kur jeni pjesë e disa aktiviteteve. Binjakët janë një shenjë mendore, e ajrit, dhe nga vetë natyra jeni tepër aktiv nga ana mendore. Ju identifikoheni me idetë dhe e konsideroni veten para së gjithash një person intelektual. Jeni miqësor dhe të adaptueshëm por nganjëherë mund të jeni tekanjoz dhe paksa të pavendosur. Ndonëse dukeni të sigurte në vetvete, keni disi një pasiguri të brendshme. Gatishmëria juaj është e mirë kur ia dilni ta qetësoni dhe ta kthjelloni veten.
Jeni bashkëbisedues të mrekullueshëm, dhe shumë të lindur të kësaj shenje bëhen shkrimtarë, reporterë apo aktivë në disa faza komunikimi. Merkuri është planeti sundues i horoskopit tuaj meqë Merkuri është planeti që sundon Binjakët. Ashtu si merkuri kimik metalik, jeni dredharak dhe të shpejtë, jashtëzakonisht të vështirë për t’u kapur (frenuar). Binjakët janë të zgjuar. Mund t’jua kaloni shumë njerëzve në të folur, në mendime dhe me zgjuarsinë që keni.
Nga ana fizike, jeni të shkathët dhe të koordinuar mirë. Aktiviteti nervor ju mban të dobët. Entuziazmi juaj për ndryshim është një tipar që ju bën të mbeteni të rinj përjetësisht dhe të keni një mendje progresiste, edhe kur të jeni në moshë të thyer.
Simboli i kësaj shenje janë binjakët, dhe ky simbol përshkruan një dyanshmëri në natyrën tuaj. Keni prirje të jeni të paqëndrueshëm. Mund të kryeni më shumë se një punë njëkohësisht. Prireni të hidheni nga njëra temë në tjetrën, nga njëra punë në tjetrën, brenda dhe jashtë marrëdhënieve. Jeni një koleksionist vogëlsirash dhe informacionesh të rastësishme. Me Binjakët ashendent, në të vërtetë mund të jeni si një fjalor enciklopedik.
Gaforrja
Hëna sundon shenjën e Gaforres, prandaj konsiderohet si sunduese e horoskopit tuaj. Kur Hëna është mbizotëruese në hartë, prodhon një personalitet të ndjeshëm dhe paksa të ndrojtur. Ju pëlqen ta hetoni një situatë përpara se të merreni me të. Hëna është tregues i emocioneve, ndjenjave dhe ndjeshmërisë. Është gjithashtu e lidhur ngusht me instinktin amësor. Jeni tepër mbrojtës për njerëzit qe doni, aq sa për veten tuaj. Nëse nuk keni një familje për t’u kujdesur për ta si nënë, ndoshta do t’i shfaqni këto karakteristika përkujdesjeje ndaj miqve tuaj.
Duke qenë jashtëzakonisht perceptues, mund të jeni disi telepatik apo të paktën jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj ambientit që ju rrethon. Gjendja juaj shpirtërore është shumë e fortë dhe e ndryshueshme, ashtu si fazat e Hënës. Udhëhiqeni nga emocionet e forta dhe nga intuita juaj. Mund të ndryshoni humor, dy apo tre herë në ditë. Ju reagoni në bazë të ndjenjave dhe emocioneve, në vend që të mendoheni. Mërziteni shumë shpejt,por kurrë nuk qëndroni gjatë në atë gjendje. Kur i keni emocionet nën kontroll, mund të jeni njeriu më mirëkuptues që dikush shpreson të gjejë. Jeni të dhembshur dhe të prekshëm, në kontakt me ata që keni përreth.
Simboli i kësaj shenje është gaforrja. Ashtu si gaforrja, një i lindur në këtë ashendent shpesh zgjedh një rrugë indirekte për të arritur objektivat. Keni prirje për t’u tërhequr kur keni të bëni me ballafaqime të drejtpërdrejta, por me një këmbëngulje synimesh që është e patejkalueshme. Gaforrja është gjithmonë e prekshme, por kërkon strehim në një guaskë të fortë. Ashtu si gaforrja, ju mund të mbroni veten me një personalitet mbrojtës që mund t’ju bëjë pothuajse të paafrueshëm (të tërhequr) kur ndiheni të kërcënuar.
Ju mund ta identifikoni veten me familjen tuaj, dhe një “bazë shtëpie” e fortë është thelbësore për mirëqenien tuaj. Keni një lidhje të fortë me mjedisin dhe traditat, duke u anuar nga një sens trashëgimi dhe ngrohtësie, kostum i rehatshëm. Mund të bëheni shumë të lidhur dhe sentimental me njerëzit, vendet, dhe gjërat personale. Jeni veçanërisht të prekur nga kujtimet (objektet që ruani nga persona të veçantë) që ju kujtojnë kohët e bukura dhe njerëzit tuaj specialë.
Ju i kuptoni mirë ndjenjat e atyre që keni përreth. Kjo ju bën veçanërisht të ndjeshëm ndaj ofendimeve, apo ndaj tipave me energji negative. Është e rëndësishme për ju të shmangni njerëzit me probleme sepse jeni kaq të prekshëm saqë i trajtoni problemet e tyre si tuajat.
Luani
Luani ashendent prodhon një personalitet bujar, të përzemërt, dhe të fortë. Luani është një shenjë mbretërore, dhe duke pasur këtë shenjë si ashendent ju keni një qëndrim mbretëror dhe një sens kontrolli në shumë situata. Jeni person mjaft i hapur dhe tërheqës, duke treguar një fytyrë shumë të lumtur kur gjërat shkojnë mirë. Ndershmëria, guximi, dhe dinjiteti janë virtytet tuaja kryesore, dhe natyra juaj e hapur, “diellore” ju ndihmon të jeni shumë i kërkuar gjë për të cilën keni nevojë.
Duke qenë se ju pëlqen pushteti dhe të komandoni të tjerët, shpesh herë përpiqeni të dominoni situatat kur është e nevojshme. Edhe kur nuk keni punë më pozitë, ju tregoheni krenar dhe rrezatoni dinjitet dhe vetë-siguri. Jeni kaq të sigurt në vetvete saqë nganjëherë mund të jeni të shkujdesur.
Edhe pse zemëroheni shpejt, po aq shpejt qetësoheni. Personaliteti juaj është tërheqës kur gjithçka shkon mirë, por nuk jeni aq të përgatitur për të përballuar sfidat. Me arrogancë nuk i merrni fare parasysh njerëzit që ju shkaktojnë probleme në jetë.
Keni prirje për ta tepruar, nganjëherë duke u bërë të fryrë dhe tepër të krisur (guximtar). Jeni kokëfortë, por jo në një mënyrë të pakëndshme. Mund t’ju duket jashtëzakonisht e vështirë të hiqni dorë nga veset dhe sjellja e papëlqyeshme.
Jeni romantik dhe sentimental, por shpesh herë pak kokëkrisur. E vlerësoni atë çka njerëzit bëjnë për ju, dhe jeni një mik besnik që e mban mend dhe e shpërblen të mirën që i është bërë. Keni shije mbretërore dhe një sens luksi, që ju nxit të shpenzoni shumë për të mbajtur mirë pamjen e jashtme. Personaliteti juaj është në pozicion dramatik, i mbushur me madhështi dhe pompozitet, dhe ju kërkoni mundësi për të rrezatuar tek të tjerët anën e shkëlqyer të natyrës suaj.
Virgjëresha
Shenja e Virgjëreshes sundohet nga planeti Merkur. Virgjëresha është një shenjë toke, duke nënkuptuar një stil praktik në jetë. Merkuri shpreh energji mendore. Pra, kjo shenjë në lindje njihet për stilin e saj praktik, objektivitet, thjeshtësi, dhe analiza. Ashendenti Virgjëreshë prodhon një personalitet shpesh të qetë, disi të thjeshtë (pa pretendime) dhe kurrë të ashpër apo vulgar.
Me Virgjëreshën në lindje, ju zotëroni një mendjemprehtësi të shprehur në punët e përditshme praktike. Analitik dhe metodik në gjithçka që bëni, jeni shumë sistematik në zhvillimin e ideve dhe në shqyrtimin e projekteve gjatë realizimit. Jeni të kujdesshëm për të vrojtuar detajet. Prandaj ndodh rrallë që të gjenden të meta në çdo punë që bëni. Mendja juaj është mishërim i rregullit dhe saktësisë, që i mbledh faktet dhe gjërat e mira si një ketër kur grumbullon lajthitë për dimër. Jeni të aftë të merreni me punë të merzitshme që të tjerët i kanë bezdi. Keni prirje të bëni punëtor i madh, duke rishikuar të njëjtin vend se mos keni harruar diçka. Ka mundësi të bëni shpesh lista, që ta keni gati çdo gjë për të cilën keni nevojë. Çdo gjë duhet të ketë një vend dhe gjithçka duhet të jetë në vendin e vet që ju të jeni rehat.
Meqë i pëlqëni detajet, e vlerësoni gjithashtu saktësinë dhe rregullin. Jeni të rafinuar me sjelljen tuaj. Me një sjellje të thjeshtë, ju mund të jeni kaq modestë saqë mund të mos merrni vlerësimin që meritoni. Keni prirje të fshiheni prapa një mendjeje hetuese dhe të qëndroni jashtë roleve kryesore. Preferoni rolin e studiuesit (kërkuesit), vëzhguesit, kritikut, apo mësuesit. Mund të bëheni tepër të shqetësuar dhe nervoz, duke e pasur të vështirë të mësoni të qetësoheni. Shqetësimi juaj, së bashku me natyrën tuaj kritike, shpesh herë ju bëjnë të gjeni edhe defektet më të vogla. Pavarësisht nga prirja për të qenë pak të bezdisshëm (kërkues), njerëzit e ashendentit Virgjëreshë rrallë herë janë të këqinj. Edhe prirja për të kritikuar është thjesht një ves i keq i formuar në fëmijëri si një mënyrë mbrojtjeje (justifikimi).
Keni prirje të fokusoheni në atë çka është e sotme direkt, duke neglizhuar shpesh formimin e një vizioni për të ardhmen. Ndiheni rehat kur jetoni në një botë reale dhe prireni të pajiseni me informata intelektuale për të luftuar ndjesitë tuaja të lindura të pasigurisë.
Peshorja
Ashendenti Peshore jep një personalitet diplomat dhe të shoqërueshëm. Hijeshia, pajtueshmëria, dhe të qenit i shoqërueshëm janë tiparet e dukshme të personaliteti tuaj. Kjo është shenja e peshores së ekuilibrit dhe drejtësisë. Cilësia e parë e lidhur me Peshoren është sensi i fortë i një loje të ndershme. Ju mund të shqyrtoni të dyja anët e pothuajse çdo çështjeje, dhe ka gjithmonë një kërkesë në natyrën tuaj për të kërkuar drejtësi. Ndoshta për shkak të këtij tipari që sapo përmendëm, një numër mahnitës i politikanëve më të famshëm të botës kanë pasur Peshoren në lindje. Me Peshoren në lindje, jeni të aftë në debate, por ka mundësi të mos jeni shumë argumentues. Ju përpiqeni të fitoni pikët tuaja në mënyra që kërkojnë mendjemprehtësi dhe kujdes diplomatik. Natyra juaj e fiksuar është fshehur mirë nga sjellja juaj bashkëpunuese.
Nuk e ndjeni veten mirë në mjedise joharmonike pasi ju keni një nevojë të domosdoshme në natyrën tuaj për harmoni. Pastërtia dhe rregulli janë të nevojshme për ju në mënyrë që ta ndjeni veten rehat në çdo situatë.
Vazhdimisht gjendeni duke e korrigjuar veten për t’u rreshtuar me forcat përreth jush për të fituar një sens të brendshëm ekuilibri. Keni një natyrë kaq të ekuilibruar, dhe kaq shumë sharm, saqë zakonisht mund t’i pëlqeni pothuajse çdokujt. Shpesh përpiqeni të bëni pikërisht këtë. Jeni njeri që i kundërpërgjigjeni të tjerëve, dhe ju shkon më shumë të mbani drejtimin tuaj duke qenë të këndshëm dhe të bëni atë që ju përshtatët në mënyrë pothuajse të natyrshme.
Doni të shmangni prishjen e ndryshimit dhe të evitoni lëkundjet. Nganjëherë mund t’i dorëzoheni përtacisë. Mund të keni një prirje natyrore për të thënë atë që mendoni se u pëlqen të tjerëve, sesa atë që ndjeni në të vërtetë. Duke fshehur ndjenjat tuaja të vërteta ju synoni të fitoni aprovimin e të tjerëve dhe të mbani rregull dhe harmoni.
Për shkak të natyrës suaj të lindur paqedashëse dhe diplomatike, nganjëherë prireni të dështoni në punën e parë duke u kujdesur për vendin e parë. Nuk luftoni shumë për të dalë të parët. Keni nevojë të përqendrohuni që të mësoni të mbroni veten dhe të fitoni identitetin tuaj.
Akrepi
Akrepi në lindje prodhon një personalitet thellësisht të rezervuar, të fshehtë dhe të vendosur. Forca e personalitetit që del nga Ashendenti Akrep është kaq intensive, magnetike, dhe karizmatike, saqë është shpesh disi pushtuese. Të simbolizuar nga akrepi, ju keni një “veshje mbrojtëse” të jashtme e cila ju mbron dhe ju mundëson të mbijetoni në situata armiqësore. Nuk jeni ai lloj personi që dorëzohet ndonjëherë, edhe kur presionet dhe rrethanat do t’ju ligështonin. Kur ziheni ngusht, “pickimi vdekjeprurës i akrepit” mund të futet në lojë.
Me Akrepin në lindje personaliteti juaj është shumë i fuqishëm. Njerëzit e kanë të vështirë t’ju kuptojnë, të marrin vesh se çfarë po mendoni në një situatë të caktuar. Ka një thellësi të fshehtë në karakterin tuaj që është pothuajse e pamundur që të tjerët ta kuptojnë. Shumicën e kohës mund të ndiheni të keqkuptuar. Jeni shumë kokëfortë dhe të sigurte në vetvete, duke shfaqur nga jashtë një pamje të qetë dhe nën kontroll. Prapëseprapë keni emocione të forta së brendshmi. Akrepi është një shenjë uji, dhe fikse. Kjo do të thotë që jeni një person emocional. Këto emocione janë shumë të kontrolluara (të fiksuara), duke ju dhënë vendosmërinë dhe forcën për të fituar mbi armiqtë e mundshëm.
Zemërimi (fyerjet) dhe xhelozia mund të jenë të forta tek ju. Gjithmonë ju i ndiqni qëllimet tuaja me intensitet. Mund të qëndroni mbi pesha të rënda, dhe të lidheni në to për të qëndruar gjakftohtë, edhe në gjendjet kritike më serioze.
Prireni të jeni shumë dyshues apo skeptik, dhe herë pas here mund të jeni “në mënyrë thumbuese” sarkastik (gojëndyrë). Çdo shenjë ka shprehitë e saj pozitive dhe negative, por me Akrepin kufiri i mundësive është ekstrem. Gjithçka është e zezë ose e bardhë. Nuk ka ngjyrime gri me Akrepin në lindje. Vështrimi juaj depërtues mund të duket mirë nëpërmjet një personi apo një situate. Mund të bëni një përcaktim të menjëhershëm dhe zakonisht të saktë.
Personaliteti i Akrepit përflitet shpesh si tepër seksual, paksa djallëzor, dhe shpesh i prirur për hakmarrje. Kjo nuk është krejtësisht e vërtetë, por Akrepi merr atë që dëshiron, kurdo, dhe pothuajse gjithmonë. Nuk është një personalitet me të cilin mund të bëhet shaka.
Shigjetari
Shigjetari në lindje prodhon një personalitet nervoz (të paqetë), të hapur, të shoqërueshëm, dhe shumë të pavarur. Ky ashendent prodhon individë që janë ambiciozë; njerëz me perspektivë të gjerë dhe qëndrim filozofik. Ambiciet tuaja lidhen me qëllimet afatgjata dhe në shkallë të gjerë. Në të njëjtën kohë, jeni të aftë të keni një botëkuptim pozitiv dhe optimist. Ndjeni se çështjet do të dalin mirë, pavarësisht se sa të mëdha janë sfidat.
Keni një dëshirë të fortë për të përshkuar distanca të largëta, si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Zakonisht, gjithçka do të dalë mirë për ju. Planeti juaj ‘sundues’ është Jupiteri, ‘mirëbërësi i madh’. Jupiteri konsiderohet planeti më fatsjellës në zodiak. Ai prodhon një personalitet të karakterizuar nga humori dhe një natyrë që s’e vret shumë mendjen. Keni një nevojë të përjetoni në jetë plot mënyra të shumëllojshme. Të hapur dhe miqësor, jeni shpesh gazmor, të interesuar dhe të qeshur.
Një problem që mund të keni herë pas here është që i merrni gjërat si të vërteta pa pasur prova. Nuk ju pëlqen të keni të bëni me njerëz pesimistë apo emocionalë, dhe nuk doni të ngarkoheni me trajtimin e problemeve të tyre. Madje nuk doni të merreni as me problemet tuaja, duke i injoruar shpesh ato me një qëndrim që nëse i injoroni këto situata, do të ikin vetë ato. Mund të keni frikë se mos zhgënjeheni me natyrën tuaj e cila mund t’ju pengojë që të shikoni qartë mënyrat tuaj të suksesshme.
Ndonëse jeni një mendimtar i shkëlqyer abstrakt, jeni gjithashtu person që gjendeni shpesh jashtë shtëpisë. E doni natyrën. Në këtë mënyrë, jeni një person shumë shpirtëror i cili mund të përshtatet me forcat me të larta në jetë thjesht duke bërë një shëtitje në pyll.
Jeni një person shumë i drejtpërdrejtë. Fjalimet tuaja mund të jenë të hapura dhe me vend, shpesh me mungesë takti dhe diplomacie. Fuqitë tuaja arsyetuese janë të shkëlqyera. Për të qenë të plotësuar, keni nevojë për synime dhe sfida të vazhdueshme. Nëse këto dy faktorë janë të kombinuar në mënyra të dobishme në jetën tuaj, ju mund të bëni shumë. Kjo shenjë gëzon fatin e mirë për të pasur një natyrë mendimtare e cila i bën të mbeten të rinj dhe të freskët gjatë jetës. Botëkuptimi juaj nuk mund të lodhet nga koha apo nga trazirat.
Bricjapi
Bricjapi në lindje prodhon një personalitet serioz, të kujdesshëm, dhe të duruar. Saturni sundon Bricjapin, dhe bëhet planeti sundues në hartën tuaj. Ndikimi i Saturnit sugjeron tipin më të përgjegjshëm të personalitetit, dhe jep një stil jete “kurrë mos thuaj vdes” që është thelbi i jetës suaj. Ashendenti Bricjap jep gjithashtu një përmbajtje (rezervim) dhe kufizim që ju bëjnë të dukeni shumë të ashpër dhe melankolik. Dukeni kritik dhe të ftohtë për shkak të një qëndrimi etik dhe të ndershëm që detyra duhet kryer. Kjo është një shenjë komplekse.
Ju dukeni të përmbajtur dhe të paafrueshëm, sidoqoftë një cilësi elegante mund të fshehë një ndrojtje të qënësishme. Jeni disi të turpshëm, dhe madje mund edhe të vuani nga ndjenjat e pamjaftueshmërisë (papërshtatshmërisë), sidomos në vitet e para të jetës suaj. Me qëndrime të rrepta morale dhe sjellje të rregullt është nganjëherë një pamje e jashtme që fsheh një sens pasigurie apo ndjenje sikur nuk ju duan apo nuk ju vlerësojnë.
Mund të jeni punëtor të mëdhenj dhe shpresoni që edhe të tjerët që ju rrethojnë të ndajnë një përkushtim të tillë ndaj detyrës. Mund të jeni kritik ndaj të tjerëve në çështje të ndryshme. Kjo shpesh sforcon marrëdhëniet tuaja. Ngaqë jeni kaq perfeksionist me punën tuaj, ju vonoheni goxha. Jeni konservator në veprimet dhe zakonet tuaja, dhe do të mbeteni të tillë edhe nëse grumbulloni pasuri.
Zakonisht, Bricjapi në lindje prodhon një person ambicioz. Sidoqoftë ju shqetësoheni më shumë për shkallët e prestigjit dhe pozitës sociale, sesa për shumat e parave që mund të sjellin përfundimisht arritjet e synimeve tuaja. Ju dukeni shumë serioz dhe të pjekur (të moshuar) para kohe edhe kur jeni të rinj; edhe kur jeni fëmijë, ka mundësi të jeni shumë të pavarur . Nganjëherë përgjegjësia fitohet në moshë të re.
Ashtu si dhia e maleve, simbol i Bricjapit, ju ngjiteni në maje në një mënyrë shumë të ngadaltë, të qëndrueshme, gjithmonë duke qëndruar në një terren të fortë dhe duke iu përkushtuar plotësisht. Keni një natyrë shumë të qëndrueshme dhe rrallë herë nuk e humbisni besimin tek vetja, edhe kur hasni në pengesa. Bashkimi i aftësive tuaja tepër organizative me një vendosmëri të fortë ju sigurojnë arritje suksesi, ndonëse nganjëherë të vonuar.
Ujori
Ujori në lindje jep një personalitet kreativ, të pavarur dhe të veçantë. Është një shenjë që sugjeron shumë cilësi unike. Shpesh, një personalitet i pazakonshëm që është i ndryshëm dhe përparimtar. Jeni inteligjent dhe në disa mënyra ekscentrik. Keni një mendje pozitive që është spontane, shpikëse, origjinale dhe unike. Sidoqoftë, ju gjithmonë duket sikur veproni me intuitë dhe impulse sesa me plan. Nëse ju u rezistoni këtyre tendencave të natyrshme për të qenë “ndryshe”, dhe përpiqeni të përshtateni të jeni si gjithë të tjerët, prireni të riktheheni dhe të rebeloheni në kohët kritike dhe të papërshtatshme. Mund të bëheni nevrik dhe të paparashikueshëm, duke e menduar veten si një rebel. Gjëja që keni frikë më shumë është të qenit “i rrethuar” dhe se mos vuani humbjen e individualitetit tuaj të lindur. Jeni miqësor dhe mund të jepni gjithmonë kontribute të rëndësishme në aktivitetet në grup. Edhe në një grup, mbeteni personalisht të pavarur dhe pothuajse kundërshtoni t’u nënshtroheni, apo të jeni pjesë e, autoriteteve institucionale.
Për sa i përket ndjenjave ju dukeni të ftohtë dhe të matur. Personaliteti i Ujorit shpreh instiktet më humane të shenjave, por e bën këtë në një mënyrë kaq të ftohtë dhe të pavarur. Ju kujdeseni për njerëzit në një mënyrë të veçantë, saqë shpesh herë akuzoheni se lini pas dore familjen dhe njerëzit e dashur. Gjithmonë mund të mendoni për mënyra që gjërat mund të përmirësohen, dhe me zemër jeni reformator.
Shpirti juaj i lirë dhe origjinal ju mundëson të keni sukses në shumë aktivitete intelektuale. Sidoqoftë ju mund të keni vështirësi me punët e përditshme të zakonshme. Duke qenë tolerant, mendjegjerë (me horizont) dhe kurioz, interesat tuaja mund të përfshijnë disa fusha “të pazakonta” të jetës. Në mënyrë të veçantë ju pëlqen gjithçka që përfshin ndihmën e shoqërisë, apo reformat për të mirën e njerëzimit.
Peshqit
Me Peshqit në lindje, planeti “sundues” i horoskopit tuaj është Neptuni. Ky ashendent prodhon një personalitet idealist, tepër të ndjeshëm, dhe zakonisht një person me shumë vizion. Ndikimi i Neptunit në natyrën tuaj ju shkakton të keni diçka të një kompleksi Don Kishot, me shumë pak lidhje me realitetin. Jeni shumë tolerant, nganjëherë mund të dukeni edhe të plogët; romantik dhe ëndërrimtar.
Me Peshqit në lindje mund të jeni ai lloj personi i cili kërkon shpesh këshilla, sepse ju mungon besimi për të vazhduar përpara, dhe jeni kaq të pasigurt në vetvete. Çuditërisht, rrallë herë i merrni parasysh këshillat që ju japin. Prireni të jeni ëndërrimtar në jetë, duke zbukuruar (idealizuar) situata, njerëz, gjendje, dhe rrethana. Jeni një person shumë sekret, pjesërisht sepse jeni disi të ndrojtur, një fakt që e fshihni me mjeshtëri. Mund t’i shmangeni dëshirës për të tërhequr vëmendjen, për shkak se ndoshta mund të mos merrni vlerësimin që shpesh meritoni. Keni një nevojë të fortë të brendshme për t’u shërbyer të tjerëve në punët e jetës suaj dhe mund të jeni vërtetë të lumtur nëse mund ta bëni këtë.
Vetë- realizimi ka rëndësinë kryesore, prandaj është thelbësore për ju të shpenzoni goxha kohë për veten. Shpesh kjo shenjë tregon pjesëmarrje apo interes të fortë në muzikë apo në një formë tjetër arti.
Ka mundësi t’i vendosni vetes qëllime të larta dhe prisni shumë nga vetja dhe nga ata që ju rrethojnë. Meqë prisni që njerëzit të jenë të përkryer, shpesh zhgënjeheni prej tyre. Megjithëse nuk ju pëlqen aspak të debatoni, jeni shumë të bindur që keni të drejtë gjatë gjithë kohës. Duke jetuar jetën utopike, e keni të vështirë të pranoni që i keni bërë llogaritë gabim.
Peshqit janë një shenjë uji (emocionalë) dhe është një shenjë e ndryshueshme, apo e adaptueshme. Simboli i kësaj shenje janë dy peshq, që notojnë në drejtime të kundërta. Kjo simbolizon vështirësinë që mund të keni në marrjen e vendimeve. Ballafaqimi dhe vendimet e qarta nuk janë shumë të lehta për ju për t’u menaxhuar. Preferoni një rrugë më të menduar që mbështetet në ndjenjat tuaja intuitive për të ecur si duhet. Ka njëfarë naiviteti që lidhet me këtë ashendent që nuk është ndryshe nga struci kur fsheh kokën e tij në rërë.