Kryesore
Alarmuese/ Shqipëria në 10-shen e parë për rënien e popullsisë
Ranking Royals ka publikuar listën e vendeve me popullsinë më të shpejtë në rënie, bazuar në shkallën e parashikuar të ndryshimit midis 2020 dhe 2050.
Në këtë listë Shqipëria gjendet në dhjetëshen e parë, konkretisht e dhjeta në radhë.
700 mijë shtetas janë larguar nga Shqipëria
Që nga viti 2008 deri në 2020-n, janë rreth 700 mijë shtetas shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi në një nga shtetet e Bashkimit Europian. Shifrat janë bërë të ditura nga Eurostat, instituti europian i statistikave dhe janë përpunuar nga “Monitor”.
Numri më i lartë i lejeve të qëndrimit është dhënë në periudhën 2008-2009, me përkatësisht 97.3 mijë dhe 83.9 mijë, si rrjedhojë e emigracionit të lartë të fillim viteve 2000. Më pas fluksi erdhi në rënie, duke zbritur në rreth 30 mijë në vitin 2013.
Pas kësaj periudhe, rigjallërimi i ciklit të emigracionit, që tregohet dhe nga shtimi i ndjeshëm i kërkesave për azil solli një tjetër rritje të lejeve të qëndrimit, që kulmoi në vitin 2019, me rreth 60.4 mijë të tilla.
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria mban rekordin për numrin e shtetasve të saj që kanë zgjedhur të jetojnë e punojnë në një shtet të Bashkimit Europian.