Kioske
Retro: Qeni emocional shkodran dhe bishti i tij racional
Shkruar në vitin 2015 nga akademiku Gilman Bakalli
Është e kotë! Pa provo të përdorësh prapë arsyen dhe t’i kujtosh një shkodrani antikomunist të flaktë se edhe dëshira e tij për ta uniformizuar të gjithë qytetin si qytet të djathtë (“bastion i së djathtës”) është po aq komuniste sa dëshira e diktatorit Hoxha për një botë internacionale komuniste. Po aq komuniste sa edhe dëshira e Berishës për një “Shqipëri blu”, po aq komuniste sa edhe dëshira e Ramës për një “Shqipëri mavi”.
Pak teori…
Aktualisht, ideja se zgjedhja (edhe zgjedhjet) është akt intuitiv, gëzon popullaritet më të madh se kurrë më parë. “Inteligjenca emocionale” mbetet një fjalë kyçe e psikologjisë sociale dhe e komunikimit modern. Në dhjetëra eksperimente (edhe online), psikologu amerikan Marc Hauser i Universitetit të Harvardit, përpiqet të tregojë se si, në situata dilemash, ne mbështetemi tek emocionet. Neurologë të shumtë përpiqen të shpjegojnë se impulsi i errët i vullnetit të emocioneve u paraprin reflektimeve të vetëdijshme e të kthjellëta.
Mes idhtarëve të flaktë të idesë se emocionet u paraprijnë vendimeve racionale shkëlqen një profesor i ri amerikan, Jonathan Haidt. Profesori i psikologjisë në Virginia University shkroi në vitin 2001 një ese me titull “The emotional dog and its rational tail” (“Qeni emocional dhe bishti i tij racional”). Teza e Haidt është provokuese. Sipas tij, ne nuk kemi arsye apo argumente për veprimet apo pikëpamjet tona.
Është komplet e anasjellta: ngaqë kemi disa bindje, qëndrime apo pikëpamje ndijimore (që bazohen në ndjesi tonat) ne kërkojmë vazhdimisht disa argumente të përshtatshme për t’i përligjur ato. Me pak fjalë, kundërshtarët e abortit nuk është se janë kundër abortit ngaqë janë bindur nga argumentet e arsyeshme që kanë lexuar apo dëgjuar.
E vërteta është se ata kërkojnë argumente pak a shumë të arsyeshme, ngaqë janë kundër abortit. Ose për të dhënë një shembull akoma më aktual: shkodranët nuk është se janë të djathtë, ngaqë kanë vërtet arsye dhe argumente për këtë, por thjesht kërkojnë argumente për të vërtetuar se janë të djathtë, ngaqë janë kundër së majtës (të cilën konsiderojnë komuniste).https://a99e80ceb5ec7784113d74b40b17e397.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-40/html/container.html
Për ta provuar tezën e tij, Haidt analizon vlerat e zgjedhësve amerikanë. Ai përpilon një listë vlerash dhe u kërkon të intervistuarve të krijojnë një hierarki me këto vlera. Cila vlerë u dukej më e rëndësishme, cila më me pak peshë. Ata që kishin thënë se ishin “liberal” (në kontekstin amerikan, “majtas”) i renditën në vendin më të lartë vlerat “përkujdesje” dhe “ndershmëri”. Vlera të tilla si “besnikëri”, “krenari” apo “respekt” zinin vend të ulët në hierarki. Kurse ata që e mbanin veten si “konservatorë” i renditën mjaft mirë vlerat “besnikëri”, “krenari”, por jo “ndershmërinë”.
Kjo, bile, u radhit e fundit në listë. Pra, sipas Haidt, ne ua përshtatim vlerat tona pikëpamjeve tona dhe jo anasjelltas. Për ta konkretizuar këtë me rastin e Shkodrës: të djathtët në Shkodër, ngaqë e konsiderojnë veten të djathtë e konservatorë, e konsiderojnë veten automatikisht edhe më “të ndershëm” e më “të moralshëm”. Kurse të majtët, në sytë e tyre janë të “shthurur”, “të përdalë”, “të degjeneruar”.
Epitete të tilla dëgjoje nga militantët e PD-së në adresë të kandidates së majtë Keti Bazhdari, thjesht për faktin se kjo kandidonte për një forcë të majtë. Haidt krijoi një sërë shembujsh dhe u shtroi njerëzve të kulturave të ndryshme pyetjet e mëposhtme: “A ju duket në rregull, nëse vëllai bën seks me motrën, me kushtin që të dy kanë dëshirë për seks dhe që, të dy përdorin mjete parandaluese?” “A ju duket problematike, nëse dikush ushqehet me qenin e tij të ngordhur?” “Ç’mendim keni për dikë, që fshin prapanicën dhe pastron banjën me flamurin e tij kombëtar?” “Ç’ndjesi provoni, nëse dikush, para se të hajë pulën, e përdor atë për t’u masturbuar?”
E përbashkëta e këtyre shembujve është se ato janë krijuar në mënyrë të tillë, që askush të mos pësojë lëndime, askush të mos keqtrajtohet dhe të mos ketë viktima. E megjithatë, jam i bindur se kushdo që i lexon shembuj të tillë irritohet për shkaqe të ndryshme: Sikleti që provojmë ndaj incestit është shumë i vjetër dhe haset edhe në gjitarë të tjerë të zhvilluar. Sikleti që ndjejmë kur dëgjojmë se dikush ushqehet me qenin e tij, mund të lidhet me faktin se kafshët shtëpiake i shohim pak a shumë si të ishin kushërinj të largët. Atë që dikur e kemi dashur nuk mund ta hamë, apo jo? Kurse atë personin, i cili masturbon para pulës së tij, e konsiderojmë të sëmurë psikik. Me sa duket, ekzistojnë “arsye emotive” për ta refuzuar një veprim edhe kur nuk kemi të lënduar apo viktima.
Këto “arsye emotive” Haidt i quan intuita sociale. Pothuajse gjithmonë ne udhëhiqemi nga intuita dhe vendosim “me fundin e barkut” (duke u bazuar tek emocionet). E keqja e pushtetit të intuitës është se jemi shumë më pak të arsyeshëm se sa besojmë. Kurse e mira e saj konsiston në faktin se edhe intuitat mësohen: përmes konfirmimit apo zhgënjimit dhe, para së gjithash, nga ngacmimet dhe opinionet e të tjerëve.
Qeni emocional shkodran
Sjellja e votuesit shkodran, e cila reduktohet tek ajo shprehja popullore (sigurisht diskriminuese ndaj një komuniteti), sipas së cilës “në Shkodër, edhe nji magjyp të kandidojë PD-ja, për të do votojnë shkodranët”, në thelb, manifeston faktin se, tashmë votuesi ideal shkodran nuk e vë më në punë arsyen, por thjesht emocionin. Provoni të bisedoni me një shkodran dhe ta ngacmoni në lidhje me zgjedhjet politike. Dialogu do të ketë pak a shumë këtë model:
“për kë votove kësaj radhe”?
“ça asht kjo pytje, un si shkodran i djathtë votoj dhe do votoj derisa të vdes për Partinë Demokratike!”
“po, si mundesh me ken kaq i bindun?”
“po pse, si thu ti, me votu kta për komunistat e klyshat e tyne të pamoralshëm e të degjenurum, a?”
“po kush janë komunistat dhe klyshat e tyne të pamoralshëm e të degjenerum?”
“kto socialistat, pra!”
“po kto janë socialista, jo komunista!”
“mos ia fut kot, kto kan ken dhe vazhdojne me ken pjesë e nomenklaturës së kuqe dhe nuk munden me u transformu në demokratë!”
“po edhe Berisha, pjesë e nomenklaturës së kuqe ka ken!”
“ndoshta, por i ka luftu dhe i ka rrëzu në 1990”
“po pse beson ti, që Kastriot Islami asht transformu në demokrat, kurse ish-komunistave të dikurshëm nuk ua pranon mundësinë e transformimit në socialistë? Mandej, Edi Rama as nuk ka ken e as nuk asht komunist”!
“çfarë Edi Rame, mor, ai bëthq…, a e shef me çfar kriminelash rrin në pushtet?”
“Me kë?”
“Me Ilir Metën”
“Po a ndejti edhe Berisha me Ilir Metën në pushtet?”
Heshtje.
Siç shihet qartë, ajo që e dallon qartaz një votues shkodran nga pjesa tjetër e Shqipërisë është fakti se shkodrani kërkon ta përkthejë votën politike në atribut të tijin moral. Duke deklaruar votën e djathtë, ai në mënyrë të pavetëdijshme kërkon të vishet me vlerat që lidhen me të djathtën dhe kërkon të shpallet publikisht si mbartës i këtyre vlerave (ndershmëri, besnikëri, respekt etj.). Vota është edhe një akt kulturor. Deri këtu s’ka asnjë problem. Por të zbavit “bishti racional” shkodran, i cili kërkon që të japë njëkohësisht edhe idenë e votuesit racional, i cili ka një arsye të fortë se pse voton të djathtën. Dhe cila është arsyeja? Antikomunizmi tradicional dhe medemek “shthurja morale” që karakterizoka të majtën.
Pa provo të përdorësh arsyen dhe t’i kujtosh një shkodrani të flaktë antikomunist se edhe mënyra e tij e sjelljes është 100% komuniste në kuptimin që, edhe komunizmi e vendoste partinë mbi individin dhe partia komuniste e diktatorit Hoxha pikërisht këtë kërkonte prej nesh: të votonim individin thjesht dhe vetëm sepse e kishte propozuar partia. Është e kotë! Pa provo të përdorësh prapë arsyen dhe t’i kujtosh një shkodrani antikomunist të flaktë se edhe dëshira e tij për ta uniformizuar të gjithë qytetin si qytet të djathtë (“bastion i së djathtës”) është po aq komuniste sa dëshira e diktatorit Hoxha për një botë internacionale komuniste. Po aq komuniste sa edhe dëshira e Berishës për një “Shqipëri blu”, po aq komuniste sa edhe dëshira e Ramës për një “Shqipëri mavi”.
Mesa duket, dëshira e shkodranëve për t’u identifikuar me disa vlera, të cilat arbitrarisht e konvencionalisht besojmë se lidhen me ca ideologji të caktuara, nuk i lejon të shohin një fakt krejt të thjeshtë. Se gjatë këtyre 25 viteve ende nuk është ndarë shapi nga sheqeri, porse vazhdojmë qeverisim e të punojmë të gjithë në një varkë: përndjekës e të përndjekur, persekutorë e viktima, bij persekutorësh e bij viktimash. Janë verbuar kaq fort nga dëshira për t’u paraqitur si qytet mbartës i vlerave të patjetërsueshme të qytetërimit saqë nuk arrijnë ta shohin se në të gjitha institucionet lokale pa përjashtim mielli nuk është ndarë nga krundet. Shkodranët janë të lirë të zgjedhin kë të duan e si të duan e me çfarë të duan. Ama mos të bëhen më qesharakë duke kërkuar t’i japin votës së tyre karakter heroik e opozitar, e të mos shfaqen si shpëtimtarë të vlerave të demokracisë. T’i lënë mënjanë arsyet se pse e kanë votuar PD-në dhe të pranojnë se janë, edhe ata si të gjithë të tjerët, si “qeni emocional dhe bishti i tij racional” i psikologut amerikan Haidt. Janë duke votuar thjesht me “fundin e barkut”. Llambën e kuqe të arsyes nuk e duan. Kanë mbrrit në një pikë që u duket edhe ajo, socialiste!
*I ndjeri Gilman Bakalli e ka botuar këtë shkrim në vitin 2015 te gazeta “Mapo”. Ish deputeti i së Djathtës Shkodrane, një akademik dhe profesor i zoti u nda nga jeta në vitin 2016, në moshën 49 vjeçare. “Pamfleti” e sjell shkrimin e tij sot me statusin e një editoriale pasi e konsideron qëndrimin e Profesorit si një radiografi politike të 3 dekadave të fundit, jo vetëm në Shkodër por në të gjithë Shqipërinë.